LAJMI I FUNDIT:

Dialogu Kosovë-Serbi, sot publikohet këndvështrimi i qytetarëve

Dialogu Kosovë-Serbi, sot publikohet këndvështrimi i qytetarëve

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), sot organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosen rezultatet e hulumtimit të realizuar me qytetarët e Republikës së Kosovës lidhur me procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

Në këtë konferencë do të shpaloset publikimi “Transparenca e dialogut Kosovë-Serbi: këndvështrimi i qytetarëve”, me rezultatet e dala nga hulumtimi i opinionit publik rreth transparencës, llogaridhënies dhe informimit të përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës rreth procesit të dialogut.


Sipas njoftimit për media, disa nga aspektet kryesore që ka trajtuar ky hulumtim janë njohuritë e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës rreth marrëveshjeve të arritura në Bruksel, nivelin e knaqshmërisë me punën e deputetëve në mbikëqyrjen e Qeverisë në procesin e dialogut, përfshirjen e tyre në këtë proces, informimin lidhur me mbarëvajtjen e dialogut si dhe  gatishmërinë e qytetarëve për të kontribuar për temat e dialogut.

Këto janë disa nga çështjet me të cilat KDI u është drejtuar qytetarëve të Kosovës për të mësuar më shumë rreth relacionit që ata kanë ndërtuar me dialogun Kosovë-Serbi, në një kohë kur kanë kaluar 5 vite nga fillimi i këtij procesi, kur skena politike është tejet e polarizuar rreth procesit të dialogut dhe kur është paralajmëruar një fazë e re e dialogimit Kosovë-Serbi. /KosovaPress/