LAJMI I FUNDIT:

Dinari serb valuta e dytë në Kosovë, a po shkelet Kushtetuta? (Video)

Dinari serb valuta e dytë në Kosovë, a po shkelet Kushtetuta? (Video)

Lejimi që të shkelet Kushtetuta e Republikës së Kosovës nga Banka Qendrore e Kosovës, e cila do të duhej të jetë rregullator i ekonomisë së vendit, duket të jetë normale për guvernatorin Bedri Hamza. Qytetarët nëpër komuna me shumicë të minoritetit serbë në Kosovë vazhdojnë të shfrytëzojnë valutën serbe dinar për këmbime në mallra dhe shërbime të ndryshme. Kjo dukuri është e ndaluar me ligjet dhe rregulloret e Kosovës, për faktin se vendi ynë, valutë zyrtare ka euron.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, (BQK), Bedri Hamza, ka pranuar për KosovaPress se në zonat e banuara me serbë përdoret valuta serbe dinari. Banka Qendrore madje e ka licencuar një bankë të Republikës së Serbisë, e cila funksionon me dinarë.


“I marrim dinarë e blejmë me dinarë. Dinarin e marrim nga Serbia. Pagën e marr nga Serbia”, thotë një qytetar i minoritetit serb nga Graqanica që është vetëm 5 kilometra nga kryeqendra e Republikës së Kosovës, Prishtina.

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Kapitulli I, neni 11 thuhet: Në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme.

Në ç’do dokument apo raport precizohet qartë që valuta e vetme në Kosovë është euro. Në uebfaqen zyrtare të BQK-së, është e qartësuar se cilat monedha mund të përdoren dhe si e vetme mbetet euro. Linku ku thuhet që në Kosovë përdoret euro (http://bqk-kos.org/index.php?id=27)

Kosova duket se është vendi i vetëm në Evropë që lejon valutën e një shteti tjetër, duke e dëmtuar me qindra miliona shtetin dhe duke rritur ekonomin joformale.

Në lokalët apo super-marketet e Republikës së Kosovës nuk mund të blesh me lekë, franga, dollarë apo ndonjë valutë tjetër, por mund të blesh me dinarë.

“Në Kosovë valutë zyrtare për momentin në mënyrë të një anshme ka adaptuar euron, për të gjitha transaksionet i referohemi valutës euro…. Ka qarkullim me valuta edhe të vendeve të regjionit, sidomos në pjesët ku jetojnë minoritetet në Kosovë, në pjesën veriore të Mitrovicës, Graqanicë dhe vende të tjera. Mund të jetë në qarkullim dhe prezent edhe dinari serb. Nuk ka dokument diku ku shkruan se thotë se ndalohet qarkullimi i një valute në Kosovë. Po flasim gjithmonë për pjesën zyrtare. Për pjesë të tjera ne nuk kemi informacion dhe nuk i dimë. Ata i kryejnë transaksionet mes klientëve, sigurisht që kryhen në pjesën veriore, kryhen edhe në enklava të caktuara “, tha Hamza.

KosovaPress ka vizituar qytetin e Graqanicës dhe se atje shkëmbimet tregtare bëhen kryesisht përmes dinarit, madje kjo për banorët është shumë normale. Ata tregojnë që pagat nga Serbia i marrin përmes “Komercialna Banka”, e cila ka licencë nga BQK-ja, dhe se parat aty i marrin nëse duan me dinarë ose edhe me euro dhe për ata nuk paraqet ndonjë problem.

Dean Kitiq, një qytetare serbe që jeton në Graqanicë tregon se pagën ai e merr me dinarë përmes bankës.

“Dinarin e marrim përmes bankës, pagesës së pagës në komercialna banka”, tha Kitiq.

Ndërsa për Milka Gjokiq nuk ka ndonjë problem, ajo merr pagën me dinarë, paguan me euro dhe kjo nuk paraqet ndonjë problem.

“Paguajmë me euro po pjesën kryesorë e pagesave e bëjmë me dinarë. Unë punoj në institucionet serbe dhe pagën e marrë me dinarë përmes Komercialna Banka “, tha Gjokiq.

Edhe Zorica Periq, tregon që pagën mujore e ka nga institucionet e Serbisë dhe se paguan me euro.

“I marrim dinarë e blejmë me dinarë. Dinarin e marrim nga Serbia. Pagën e marrë nga Serbia, ndërsa, këtu krejt është në euro, punoj në shtëpinë e shëndetit”, thotë Periq.

Përndryshe, dega e bankës serbe “Komercialna Banka”, shkëmben valutën dinarë është në dijeni edhe guvernatori Hamza.

Ai tha se kjo nuk paraqet ndonjë problem.

“Ju e dini që është edhe një bankë e licencuar. Degë e bankës s ë Serbisë në Kosovë që është ‘Komercialna Banka’, që tani është shoqëri aksionarë, ku aksionet kryesore i kanë shtete të tjera të fuqishme në këtë bankë. Bën transaksione edhe me dinarë, nuk e thashë që është apo nuk është problem por përdoret valuta. Euro është valuta kryesore që përdoret në Kosovë por përdoren dhe valuta të forta dhe valuta të vendeve të regjionit”, tha Hamza.

Ky luksi i shkëmbimit të parave, varësisht si dëshiron nuk e ofron asnjë vend në regjion. Maqedoni që ka si valutë denarin e saj, asnjë blerje nuk e pranon me monedhën e vendeve fqinje. /Telegrafi/