LAJMI I FUNDIT:

Diplomacia qytetare

Një nga trendet e reja në diplomaci është ai i diplomacisë qytetare, koncept sipas të cilit secili nga qytetarët e vendit konsiderohet si një lloj përfaqësuesi diplomatik, për sa kohë që është jashtë vendit të tij apo përfshihet në çfarëdo kontakti me qytetarë apo institucione të shteteve tjera. Sherry Mueller, një nga njohësit më të mirë të kësaj fushe, e definon diplomacinë qytetare si koncept sipas të cilit secili qytetar individualisht ka të drejtën, në fakt përgjegjësinë, të ndihmojë në formimin e marrëdhënieve të jashtme të shtetit. Ajo i definon “diplomatët qytetarë” si ambasadorë jozyrtarë që krijojnë një rrjetë të lidhjeve sociale që më vonë shërben si kontekst për dialogun dhe negociatat zyrtare.

Diplomacia qytetare është pjesë e konceptit më të gjerë të diplomacisë publike. Ajo i referohet aktiviteteve nëpërmjet të cilave individët marrin pjesë dhe kontribuojnë për avancimin e qëllimeve të diplomacisë publike me anë të thellimit të lidhjeve ndërmjet individëve dhe komuniteteve nga vende të ndryshme. Këto lidhje private dhe joformale po fitojnë rëndësi për shkak të ndikimeve që qytetarë të zakonshëm dhe organizatat joqeveritare mund të ushtrojnë në vendimmarrjen politike të një vendi, përfshirë vendimmamrrjen për politikën e jashtme.

Diplomacia qytetare është posaçërisht e dobishme për menaxhimin e konflikteve, atëherë kur raportet ndërmjet dy shteteve, apo popujve të ndryshëm janë në krizë dhe diplomatët e përfaqësuesit tjerë shtetërorë e kanë të vështirësuar komunikimin dhe negocimin. Në kësi situatash, nëpërmjet aktiviteteve të diplomacisë qytetare, shumë më lehtë mund të ndërtohen ura komunikimi dhe negocimi mes vendeve. Në të njëjtën kohë, diplomacia qytetare shihet si formë e diplomacisë që angazhohet edhe për zhvillimin e çështjeve me interes të përbashkët si të drejtat e njeriut, mbrojtja e ambientit dhe vlerat tjera të përbashkëta njerëzore, përkundër diplomacisë tradicionale, e cila konceptohet si më shumë e fokusuar në realizimin e interesave shtetërore.

Aktivitetet e diplomacisë qytetare nuk mjaftojnë si të tilla. Ato duhet të jenë në koordinim me aktivitetet tjera të diplomacisë publike, dhe në shërbim të realizimit të politikës së jashtme të shtetit. Zhvillimi i teknologjisë informative, përfshirja e individëve dhe e organizatave joqeveritarë në krijimin dhe zbatimin e diplomacisë qytetare e ka bërë këtë të fundit shumë më efektive, por në të njëjtën kohë edhe me rreziqe të mospërputhjes me synimet strategjike të politikës së jashtme të shtetit përkatës. Në një kohë kur pothuajse çdo telefon mobil ka kamerë dhe një numër shumë i madh i njerëzve zotërojnë shkathtësitë e përgatitjes teknike, ngarkimit online the shpërndarjes përmes rrjeteve sociale të fotove, videove e lajmeve, ky rrezik është real. Një kësi situate, një pastor anonim i një kishe të vogël në Florida, rrezikoi të shkatërrojë shumëçka nga ajo që kishte ndërtuar administrata amerikane në përpjekjet për ndërtimin e raporteve miqësore me myslimanët, duke kërcënuar të djegë Kur’anin publikisht.

Studiuesit që merren me këtë fushë bëjnë thirrje për të marrë masa për të edukuar qytetarët se secili nga kontaktet e tyre me njerëz apo institucione nga shtete tjera është i rëndësishëm për imazhin e shtetit. Kjo për faktin se pala tjetër krijon apo ndryshon opinionin varësisht nga përvoja e tyre gjatë këtyre kontakteve. Ai opinion më pas reflektohet në politikën e jashtme të shtetit të tyre. Disa bëjnë thirrje për të krijuar mekanizma të veçantë të sponsorizuar nga shteti, ku do të punonin ekspertë që do të merreshin me trajnimin e qytetarëve që planifikojnë të udhëtojnë jashtë shtetit, apo të presin qytetarë të huaj, për mënyrën se si ata duhet të sillen gjatë kohës sa janë në kontakt me qytetarët e huaj. Një diçka e tillë mund të bëhet me bashkatdhetarët tanë, në rrugën e tyre për kthim në vendet ku jetojnë e punojnë, atyre mund t’u jepen materiale që ju shpjegojnë rëndësinë që ka çdo kontakt i tyre me qytetarë e institucione në ato vende, për imazhin e Kosovës dhe realizimin e interesave të politikës së jashtme të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës mund të fillojë realizimin e disa aktiviteteve të koordinuara të diplomacisë qytetare, në kuadër të aktiviteteve më të gjera të diplomacisë publike. Një mundësi të mirë paraqet koordinimi edhe me Ministrisë e Diasporës për ngritjen e mekanizmave të përbashkët, duke pasur parasysh potencialin e madh që ka diaspora kosovare. Siç rekomandohet nga një studim i kryer më herët, diaspora kosovare mund të kontribuojë shumë për përmirësimin e imazhit të Kosovës, krijimin e lidhjeve të reja, lobimin dhe ndikimin në vendimmarrjen për çështje që kanë të bëjnë me diasporën dhe interesat e shtetit të Kosovës.