LAJMI I FUNDIT:

Dosja e shefave: Bashkëbiseduesi i kërkon falje Telegrafit, sqaron bisedën me Adem Grabovcin

Dosja e shefave: Bashkëbiseduesi i kërkon falje Telegrafit, sqaron bisedën me Adem Grabovcin

Në pjesën e XXIII të serisë së shkrimeve për përgjime telefonike, Insajderi ka sjellë tri biseda telefonike të Adem Grabovcit me dy gazetarë. Njëri nga personat në bisedë në kohën kur janë bërë përgjimet ka qenë kryeredaktor i një gazete, ndërkaq ka folur në llogari të disa portaleve, duke përfshirë edhe Telegrafin, por që në realitet s’ka kurrfarë lidhje.

Redaksia e Telegrafit e bindur në punën profesionale dhe të paanshme e konsideron të nevojshme të reagojë lidhur me këtë, pasi ish-kryeredaktori i Epokës së Re, Burim Etemaj që ka folur me Adem Grabovcin nuk është pjesë e Telegrafit dhe nuk ka të bëjë asgjë me Telegrafin.


Telegrafi është ndier i fyer dhe i habitur se si një ish-kryeredaktor i një mediumi tjetër flet në emër të një mediumi tjetër, që nuk kanë asgjë të përbashkët, përveç profesionit të gazetarisë.

Ne si medium jemi të bindur se një veprim i tillë ka të bëjë me tentativën e Burim Etemaj për të treguar kinse “fuqinë e tij” te miku i tij, Grabovci, sepse ndikim të tillë në Telegraf nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë, pasi që ne si medium i bindemi vetëm fakteve, të vërtetës, duke respektuar në maksimum profesionalizëm, paanshmërinë dhe etikën profesionale.

Telegrafi për ta sqaruar çështjen dhe kinse ndikimin e këtij personi ka marrë një prononcim nga Etemaj, i cili pa asnjë kompetencë flet për mediumin tonë, ndërkaq aktualisht është këshilltar i nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti.

Telegrafi ua bën me dije lexuesve se do të vazhdojë të jetë në shërbim të informimit të drejtë dhe të paanshëm dhe do t’i publikojë të gjitha bisedat nga përgjimet.

Më poshtë mund ta lexoni transkriptin e plotë të bisedës me të.

Telegrafi: Si mund ta përfolni emrin e një mediumi tjetër kinse keni ndikim, kur s’keni të bëni asgjë me atë medium?

Burim Etemaj:… Unë ma së pari kërkoj falje për ato. Është një bisedë shoqërore, që nuk ka ndodh. Është një llaf që nuk është realitet.

Telegrafi: A mund të na sqaroni më shumë këtë?

Burim Etemaj: Ka qenë një bisedë shoqërore. S’ka ndodh kurgjo në realitet… që unë kam ndiku në Telegraf. Emri jem nuk është identifikuar ende. Nëse doni me ma bo një t’mirë, mundesh me thonë që X gazetari në një prononcim emër i njohur për redaksinë ka thonë që asnjëherë nuk ka ndiku as nuk ka tentu me ndiku, as te Telegrafi as te ndonjë portal tjetër që përmendet. Edhe i kërkon falje redaksisë.

Telegrafi: Si po mendoni që keni pasur ndikim në mediat të cilat i keni përmendur ?

Burim Etemaj: Është keqkuptu…. ndonjëherë në muhabete shoqërore nuk mundet me i zgjedh fjalët adekuate. Këtu opinioni e din qe nuk kam qaq ndikim. Është një bisedë që në atë moment nuk mundesh me i zgjedh fjalët adekuate.

Për me tentu me ndiku na te njoni tjetri, i dërgojmë kur e shohim që ka lajm. Por jo me ndiku në q’at mënyrën e vrazhdë qysh po dëgjohet në bisedë, nuk kam tentu me askënd.

Për qata fillimisht kërkoj falje.

Është e qartë. Unë bisedova edhe me tjerët. Nuk e pashë të nevojshme me dalë me reagu për veti, se nuk kanë reaguar as të tjerët që janë pjesë e bisedës. Tash nuk muj me dalë vetëm unë.

Ti mundesh me bo që X gazetari, që ndihet në përgjime ka kërku falje edhe pronarit edhe redaksisë, edhe e ka mohu qe ka tentu ndonjëherë me ndiku në Telegraf.

Mirë ish kon masi s’ma kanë identifiku emnin me bo X gazetari që ndihet në përgjime.

Edhe njëherë ju kërkoj falje….. jau përcjellë. Tjetër gjë bëjmë, tjetër gjë flasim. E rëndësishme është që s’kam ndiku….. edhe nuk kam qaq fuqi, edhe s’ma kishit leju. Mos e merrni qaq shqetësuese se është një bisedë që çdo kujt ka mujt mi ndodh.

Ma tepër osht… Unë nuk e përmendi çka qes, çka dush. Aty është kontesti te ata… se me ju s’kom pas qasi raporte.

Unë kërkoj 100 herë falje edhe nuk kam bo diçka t’madhe. Unë kërkoj falje morale. Ajo ka qenë bisedë shoqërore, asnjëherë në jetë skam ndiku as skom tentu me ndiku me qit. I kërkoj falje redaksisë që osht ndi e fyme”.