LAJMI I FUNDIT:

Dr. Sci. Naser Salihu, oftalmolog

Dr. Sci.  Naser Salihu, oftalmolog

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti, mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com

Dr. Sci. Naser Salihu
Oftalmolog
Tel. 045 550 750



Nëna ime është diagnostikuar me neuroretinitis bilateral para 2 viteve.Qe 2 vite ka përdorur terapi të ndryshme si, asteroide (PO,IM dhe retrobulbare), fillimisht si monoterapi,pastaj te kombinuar me imunomodulatorë (azatioprinë). Por, sëmundja nuk kalon, përmirësohet një kohë pastaj përsëri dobësohet mprehtësia e shikimit dhe këto ekzacerbime dhe remisione kanë ndodhur që 2 vite me radhë. Ka kryer shumë analiza laboratorike, mirëpo të gjitha kanë rezultuar negative.
Kërkoj të na ndihmoni si të veprojmë më tutje?
Faleminderit shumë!

PËRGJIGJE:
Problemi të cilin e përshkruani te nëna juaj është mjaft serioz dhe kërkon mjekim të kujdesshëm.
Ju preferojmë që nëna të hospitalizohet në Klinikën e Syve/QKUK, në mënyrë që mundësisht të përpiqemi ta zbulojmë shkaktarin e sëmundjes. Me vete është mire që t’i keni të gjitha ekzaminimet e mëparshme në mënyrë që ta shohim dinamiken e sëmundjes në këto dy vitet e fundit.


Përshëndetje doktor. Jam 19 vjeç dhe para 4 vitesh kam pësuar një incident në syrin e majtë. Teksa luaja futboll më erdhi topi në sy dhe mjeku oftalmolog më tha që kisha këputur disa tendina të brendshme dhe syri më ishte mbushur me gjak përbrenda. Pas një trajtimi çdo gjë shkoi në vend.
Para 2vitesh vura re në syrin e majtë në të cilin kisha pësuar dhe incidentin që po më shfaqeshin disa pika të cilat lëviznin sa herë lëvizja syrin dhe shfaqeshin sa herë kishte drite të fortë apo bënte diell…Me kalimin e kohës i vura re dhe në syrin e djathtë, po sa kalonte koha, shtoheshin. Tani në syrin e majtë përveç tyre kam vënë re që janë dhe 2 pika më të mëdha, njëra në pjesën lart dhe tjetra në pjesën anësore të cilat nuk lëvizin me rrotullimin e syrit, por që më bezdisin shumë në shikim. Mesa kam parë në internet, janë shenjat e një “Corps flottants” dhe gjithashtu kur rri përpara kompjuterit nga syri i majtë shikoj me vështirësi nga larg për disa minuta, ndoshta dhe një orë dhe shpesh më shoqërohet me marrje mendsh qëndrimi para kompjuterit.
Do ta vlerësoja shumë një përgjigje nga ju.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Lëndimet e syrit të kësaj natyre që shoqërohen me gjakderdje intrabulbare mund të kenë për pasojë paraqitjen e disa turbullirave që manifestohen sidomos gjatë shikimit në prapavijë të bardhë. Paraqitja e tyre edhe në syrin tjetër tregon se ndoshta problemet nuk janë të lidhura vetëm me lëndim.
Ju preferojmë që të konsultoheni me oftalmologun në mënyrë që të bëhet ehografia e syve si dhe të shikohet brendia e syrit.


Doktor, kam një problem tek sytë që po më shqetëson. Kur po kam dhembje koke, sytë nuk po mund t’i hap dhe më duket sikur jam i fjetur. Kur shikoj TV, më duket se foto e ekranit po lëviz.
Pres përgjigje nga ju doktor, sepse kam filluar të bëhem i padurueshëm.

PËRGJIGJE:
Disa anomali refraktare të pa korrigjuara munden me qenë shkak i inicimit të kokëdhembjes në njërën anë, por edhe disa sëmundje si psh. migrena mund të shkaktojë ndryshime të ngjashme në sy dhe pengesa në të pamur çfarë Ju i përshkruani. Duhet t’i paraqiteni oftalmologut për ta parë se cila nga këto shkaqe është përgjegjës në rastin tuaj.


Përshëndetje i nderuar doktor. Kam një javë që më ka dalë një kokërr në syrin e majtë, brenda, në pjesën e poshtme dhe nuk po largohet. Jam shumë e merakosur. Mjeku familjar më ka thanë se është ‘rrzullë’ e brendshme dhe më ka preferuar të kontrollohem te mjeku specialist. Por, unë po kam frikë dhe harrova të them se përherë sytë më kruhen.
Pres përgjigje.

PËRGJIGJE:
Nga përshkrimi yt, mendojmë se mundë të bëhet fjalë për pasojat e një inflamacioni të kapakut të cilin e keni pas më parë. Në raste të tilla, duhet të provohet mjekimi me barna, e nëse nuk arrihet sukses, operacioni është i paevitueshëm. Por, këtu fjala është për një operacion, i cili në shumicën e rasteve realizohet edhe në mënyrë ambulatore, pa pas nevojë për t’u hospitalizuar.


Unë jam miop dhe syzet i kam -1, merrem me sportin e karatesë dhe kam frike se mos më jep ndonjë ndikim negativ për sytë.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Nëse miopia është e shoqëruar edhe me ndryshime degjenerative në retinë, duhet patur kujdes gjatë aktivitetit fizik, sepse mund të shkaktohen çarjet e retinës si parakusht për ablacion të retinës. Sëmundja në fjalë kërkon tretman urgjent kirurgjikal.


Në syrin e djathtë që një kohë më paraqiten si miza të imta, si pika do më të mëdha dhe do më të vogla.
Ju urojë shëndet dhe punë të mbarë në punën e mëtutjeshme. Me nderime ma te sinqerta.
Përshëndetje.

PËRGJIGJE:
Te ju duhet bërë një ekzaminim me ultrazë të dhe fundit të syrit, për ta parë gjendjen e retinës si dhe trupit qelqor.


Përshëndetje i nderuari Dr. Naser. Jam 30 vjeçare dhe kam problem me syrin e djathtë. Kam dioptrinë + 4, +1,5, Achse 105°. Diagnoza ime është Amblyopia. Në moshën 12 vjeçare jam bërë operacion për trajtim të strabizimit në Klinikën e Prishtinës. Me syrin e majtë shoh shumë mirë, nuk kam nevojë as për syze. Problemi im është që kohët e fundit kam vërejtur që nganjëherë syri i djathtë përsëri ka filluar të vëngëroj. Kam lexuar disa studime që janë bërë kohët e fundit, ku thuhet që amblyopia tek te rriturit mund të shërohet duke luajtur video lojëra, dmth. duke e mbyllur syrin e shëndosh dhe duke e vënë në funksion në mënyrë më intensive syrin e sëmurë.
Çka më preferoni ju për këtë metodë? A më kishit preferuar një operacion të dytë për trajtim të strabizmit, sepse me syrin e djathtë shoh vetëm 20% dhe me thjerrëza kontakti nuk vërej përmirësim.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Preferenca ime për Ju do të ishte që edhe njëherë në mënyrë të detajuar të kontrolloni të dy sytë, sepse në të shumtën e rasteve ndodhë që veç syrit të djathtë, të keni nevojë edhe për ndonjë koreksion eventual për syrin e majtë edhe përkundër faktit që ju duket se keni shikim të mirë në atë sy. Pas kësaj procedure, duhet ta bartni koreksionin adekuat të përshkruar nga ana e mjekut, qoftë syze apo thjerrëza kontakti. Nëse edhe pas kësaj nuk vie deri te përmirësimi i vëngërimit (strabizmit) për shkaqe estetike duhet të mendohet për korigjim kirurgjikal eventual. Sa i përket ushtrimeve për trajtimin e ambliopisë ato zakonisht preferohen për moshat e reja, në rastin tuaj nuk pritet ndonjë efekt i veçantë.


Përshëndetje doktor. Jam një djalë 14 vjeçar, jam diagnostikuar para një jave me Ambliopi në syrin e majtë. Dua të di a ndikon Ambliopia në dëmtimin e shikimit në syrin e djathtë me të cilin shikoj shumë mirë, tani për tani? Gjithashtu doja të dija a vjen duke u thelluar Ambliopia në syrin e majtë, apo do të qëndrojë kështu si e kam? Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Ambliopia është një gjendje e cila karakterizohet me dobësim të shikimit. Në shumicën e rasteve është e njëanshme. Shkaku kryesor i paraqitjes janë anomalitë refraktare që nuk korrigjohen me kohë. Ju preferoj që gjithsesi ta bartni koreksionin e përshkruar nga mjeku pa e harruar edhe syrin e majtë që ndoshta ka nevojë për korrigjim. Në këtë mënyrë ju pengoni thellimin e ambliopisë në syrin e djathtë si dhe ruani shikimin në syrin e majtë duke e korrigjuar nga ndonjë anomali eventuale refraktare.


I nderuari doktor Naser. E kam vajzën 6 vjeç e gjysmë dhe qe një vit e gjysmë ankohet kohëpaskohe për dhimbje koke, prapa ose në anën e djathtë, zakonisht kur është me grip ose ndonjë ftohje të vogël. Kohët e fundit më shpesh ankohet dhe pediatri më drejtoi tek oftalmologu i cili ia caktoi dioptrinë +1 në njërin sy dhe +1,25 në tjetrin. Vajza sytë i ka në rregull dmth nuk i ka të shtrembër. Më intereson të di se a ka qenë kjo dhimbje pasojë e syve dhe a mund t’i dhemb koka sërish pasi që ka vetëm një javë ka që i bart syzet dhe dhembjet nuk i kanë pushuar. Doktori i ORL-së ka dyshuar edhe për sinus.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Nëse edhe pas përdorimit të rregullt të syzave kokëdhembja nuk pushon, shkaqet e paraqitje së saj duhet kërkuar jashtë organit të pamurit. Në rastin tuaj konkret, një vizitë e sërishme e fëmijës të ORL-ogu do të ishte e preferuar, por kjo nuk nënkupton që fëmija mos të vazhdojë t’i bart syzet e ordinuara nga ana e oftalmologut.


Doktor, çka mund të më tregoni për nystagmusin dhe si bëhet shërimi i kësaj sëmundjeje. Fëmija është i moshës 2,5 vjeçe, ku mund të drejtohemi në Kosovë?
Gjithë të mirat.

PËRGJIGJE:
Nystagmusi apo lëvizja e pavullnetshme e mollëzave të syrit është një sëmundje e cila munde të ketë origjinë të lindur apo mund të fitohet edhe më vonë. Shkaqet e paraqitjes së Nystagmusit të lindur i cili lajmërohet që në muajt e parë pas lindjes janë të shumtë: mungesa e pigmentit në iris (fëmijët albinotike), mungesa totale apo parciale e irisit, pengesat në zhvillimin e segmentit të përparmë të syrit, pengesat në zhvillimin e nervit të pamurit, kataraktes kongjenitale, etj.
Sa i përket Nystagmusit të fituar, shkaqet më të shpeshta për paraqitjen e tij janë: humbje e të pamurit si rezultat i traumës së syrit, paraqitjes së kataraktit, formave të ndryshme të distrofisë retinale, intoksikacioneve të ndryshme të organizmit si dhe çrregullimeve të rënda të sistemit nervor qendror.
Trajtimi i kësaj sëmundje bëhet me trajtimin e ambliopisë nëse ajo është e indikuar. Në rastet kur Nydtagmusi është i shoqëruar me tortikolis- pozitën e detyruar të kokës, aplikohen prizmat. Te rastet më të rënda aplikohet edhe kirurgjia e muskujve të drejtë.
Për trajtimin e kësaj semundje është kopetent strabologu.


Doktor i nderuar, unë jam një paciente e juaja, diagnoza ime është: hyperopia cum astigmatismus. A mund të korrigjohet me laser dhe a është më mirë të bart syze apo thjerrëza? Zoti ju shpërbleftë!
Nora.

PËRGJIGJE:
Ju patjetër duhet të bartni syza apo thjerrëza kontakti. Sa i përket trajtimit me laser, kjo varet nga shkalla e dioptrisë të cilën ju e keni. Por edhe nëse dioptria është e lartë dhe nuk mund të korrigjohet me laser, ju nuk duhet të brengoseni, sepse ka mundësi që me implantimin e thjerrëzave brenda syrit, kjo anomali refraktare, të korrigjohet me sukses. Kjo ndërhyrje mund të realizohet edhe në vendin tonë.


Përshëndetje doktor. Mua më brengos fakti se kam një vëlla 17 vjeç që nuk ka pasur kurrë më parë probleme me sy, por tani ka kokdhëmbje të pandalshme. Doktorët i kanë rekomanduar të bart syze, kjo dukuri ka zgjatur një muaj. Mirëpo, edhe pasi filloi të bart syze në fillim kishte shumë problem të adaptohej me to, tani përsëri nuk po mund t’i bart syzat edhe pas 2 muaj. Si do ta këshillonit ju atë?
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Ka mundësi që mos korrigjimi i dioptrisë të shkaktojë kokëdhimbje te pacienti, simptomë e cila shpesh pacientin e sjell te mjeku. Zakonisht shumica e anomalive të refrakcionit datojnë që nga lindja, por që në mungesë të vizitave sistematike të fëmijëve te oftalmologu detektohen vonë, ashtu siç ka ndodhur edhe me vëllanë tuaj. Te këto raste, adaptimi me syza aspak nuk është i lehtë, duhet mjaft durim. Preferoj pacientin të provojë të adaptohet si dhe të jetë në kontakt me mjekun që ia ka përshkruar korreksionin në mënyrë që veç problemeve të adaptimit, të kontrollohen edhe parametrat teknik të syzave.


Përshëndetje dr. Naser. Vajza ime ka problem me syrin e saj të majtë, problemi është se nuk sheh larg dhe shumë shpesh ndodh që i ik syri. Ajo ka bartur syze që kur ka qenë e vogël, por e ka ndërprerë në klasën e 7-të bartjen e tyre, sepse mendonte se i mjaftonte të shikonte vetëm me syrin e djathtë. Tani është 19 vjeçare dhe ka filluar të bart përsëri syza, mirëpo oftalmologu i ka thënë se nuk ka shërim të syrit më, por i preferoj që t’i bartë ato vetëm gjatë leximit që të mos e lodhë syrin e djathtë. Dioptrinë e syrit të majtë e ka 1.5, më duket. Kisha dashur të më jepnit një këshill, a do ta kishit preferuar që të bëhej vajza operacion apo jo? Pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Moskorrigjimi me kohë i anomalive refraktare, fatkeqësisht ka për pasojë mos zhvillimin funksional të syrit ashtu siç ka ndodhe edhe me vajzën tuaj në syrin e majtë dhe për pasojë ka pasur paraqitjen e ikjes së syrit.Ikja e syrit apo strabizmi, siç njihet në mjekësi, mund të korrigjohet me syza si dhe në rastet kur kjo nuk është e mundur indikohet ndërhyrja kirurgjikale. Në suksesin e intervenimit kirurgjikal, rol të rëndësishëm luan edhe mosha. Te pacientët mbi moshën 12 vjeçare, në disa raste ka mundësi që pas operacionit të strabizmit, gjatë shikimit të paraqiten figurat e dyfishta që paraqet një pengesë mjaft serioze.
Ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj lidhur me këtë problem.


Jam Vetoni. Jam i interesuar të di më tepër për operacionet laserike, për korrektimin e dioptrisë, përparësitë dhe të metat e kësaj metode.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Operacionet laserike janë një nga metodat operative për korrigjimin e dioptrisë. Zakonisht aplikohen te moshat e rritura, por jo edhe te gjithë pacientët me anomali refrakatare janë kandidatë potencial për trajtim me aplikimin e kësaj metode. Paraprakisht duhet të bëhen matjet e sakta, të caktohet lloji dhe shkalla e anomalisë, në mënyrë që të vihen indikacionet dhe të parashihen edhe eventualisht efektet anësore, të cilat në detale i sqarohen pacientit. Kjo metodë, edhepse në shumicën e rasteve është e suksesshme, nuk është edhe pa rreziqe Veton.


Përshëndetje dhe falënderoj stafin e telegrafit për këtë mundësi që po na e ofron. Një pyetje kam për doktori Naserin. Kam dhimbje në kapakun e syrit, çdo mëngjes e kam syrin e ënjtur dhe po më loton. Kur kam lot, kam djegie të syrit. Lëkura po thahet dhe kam livorisje mbi kapakun e syrit dhe në bisht të syrit. Me respekt, Adea

PËRGJIGJE:
Rasti yt Adea, mund të jetë pasojë e një inflamacioni të lëkurës së kapakëve, natyra e së cilës nuk mund të sqarohet pa u vizituar te mjeku e në disa raste edhe analizat laboratorike për sqarimin e situatës kanë një rol të veçantë.


Përshëndetje doktor. Qe tri vite radhazi bart syza dhe tani para katër muajsh kam pas një vizitë te doktori dhe ai më ka udhëzuar që syzat t’i bart vetëm në kohën kur lexoj, kur shikoj TV ose kur jam në kompjuter. Por, unë në kohën kur jam pa syza, kam kokëdhembje të tmerrshme dhe më djegin, vazhdimisht ndjej lodhje. Unë e ndjej se kam nevojë edhe për rritje të dioptrisë, ndërsa doktori vazhdimisht ma zvogëlon atë.
Me respektin më të madh, të përshëndes.

PËRGJIGJE:

Në bazë të pengesave që ke përshkruar të kisha preferuar edhe një herë që të përcaktosh dioptrinë në bebëza të gjëra. Në bazë të vlerave dioptrike të fituara shihet ku qëndron problemi dhe bëhet përshkrimi i syzave të reja nëse për këtë e sheh te arsyeshme oftalmologu.


Në moshën 4 vjeçare e kam humbë njërin sy dhe nga ajo kohë kam vendos protezë të thjeshtë në Beograd. Kam qenë i detyruar që çdo vit ta ndërroj protezën deri në moshën 15 vjeçare. Por, për shkak të situatës politike nuk kam mund të shkoj herën e fundit. Tash jam 30 vjeç, jam duke magjistruar në UP dhe lexoj. Për momentin nuk kam asnjë problem, por vetëm kam frikë se mos po e dëmtoj (të shëndoshin), duke lexuar, apo duke punuar në kompjuter. Vetëm desha këshillën tuaj. Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:

Nëse syri juaj nuk ka ndonjë sëmundje apo nevoje për korrigjim eventual të dioptrisë, nuk keni pse te brengoseni sa i përket leximit.


Përshëndetje Dr. Naser. Unë që po ju shkruaj jam një vajzë nga Elbasani, më quajnë Amarda dhe jam 25 vjeç. Problemi im është se kam mbi 10 vjet që në klasë të shtatë, që mbaj syze dhe do doja t’i hiqja. Më kanë thënë për t’i bërë operacion me rreze laser, por do doja dhe një konfirmim nga ana juaj. Dhe nëse po, ku më sugjeroni ta bëj këtë!

PËRGJIGJE:

Po të kisha të dhënat tuaja sa i përket dioptrisë, do ta kishit një përgjigje më të saktë lidhur me suksesin e tretmanit laserik, sepse jo edhe çdo anomali refraktare mund të trajtohet me këtë metodë.


Përshëndetje doktor, mua më ndodhë një gjë që nuk di as ta përshkruaj. Derisa jam duke ndenjur ose duke lexuar, përnjëherë sytë më rrotullohen 4-5 herë. Kjo ndodh për një sekondë një herë në 3-4 muaj dhe pastaj gjithçka është normale. Nëse ka mundësi doktor, ju lutem ndonjë shpjegim. Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:

Nëse kjo dukuri ju ndodhë një herë në 3-4 muaj, nuk paraqet ndonjë simptomë për të cilën ju duhet të brengoseni.
Zotëri doktor Naser. Para së gjithash ju përshëndes dhe falënderoj për këto ndihma dhe këshilla mbarë popullit. Djali im nga mosha 4-5 vjeçare bartë syze me dioptri plus, diku +5 dhe +6, si dhe syrin e djathtë e ka të vëngër, e cila dukuri në shkollë më së shumti e mundon. Është interesant se kur merret me sport dhe me heqjen e përkohshme të syzeve lënë përshtypje se sheh mirë dhe mprehtë, dmth nuk ankohet për pengesa të mëdha. Këtë e vërej edhe gjatë shikimit të TV, kur ndonjëherë bëjë teste me të dhe ia heq syzet. Tani është në moshën 11 vjeçare, shpesh mendoj për operacionin e vengerisë. Mjeku na ka preferuar qe megjithatë ta presim kohen e pubertetit për ndryshimet eventuale pozitive. Çfarë ndryshime mund të sjellë puberteti, përmirësimin e kësaj dukurie. Përndryshe, djali është i zhvilluar shumë mirë dhe pengesa tjera nuk ka.
Sa për sqarim, djali im këtë dukuri e ka trashëgim nga unë, ndërsa unë nga nëna ime, por ky dioptrinë dhe vengerinë e ka më të theksuar se unë dhe nëna ime. Thënë sinqerisht nga operimi, unë si prind kam frikë. A kam nevoje të brengosem për operimin eventual nëse rekomandohet. Ju falënderoj pa masë.
Feri nga Zvicra

PËRGJIGJE:

Këshilla ime është se djali juaj syzat duhet t’i bart rregullisht, pra e ka domosdoshmëri edhe pse ju duket që sheh edhe pa to. Për mendimin tim nëse edhe pas aplikimit të rregullt të syzave vengeria perziston indikohet ndërhyrja kirurgjike. Nuk duhet vonuar intervenimin, sepse pas moshës 12 vjeçare operacioni mund të përcillet me disa probleme tjera.


Jam 15 vjeçare, që nga lindja kam problem me sy. Jam miope edhe sytë më lëvizin që do të thotë nuk mund të shikoj drejtë, sepse syri i majtë me shkon krejt anash, kurse i djathi jo. Me syrin e majtë kam më shumë problem. Kam qenë gati çdo vit te mjeku, por nuk po vërej ndonjë përmirësim, por vetëm më është rritur dioptria e syrit të majtë për 0.5. Jam shumë e brengosur, pres përgjigjen tuaj me padurim.

PËRGJIGJE:

Tek ju duhet të bëhet testi i adaptimit prizmatik që nënkupton se pas operacioni të vengerise a do të paraqitet pamja e dyfishtë. Nëse testi rezulton negativ, tek ju përveç bartjes së syzave apo thjerrëzave të kontaktit preferohet edhe intervenimi kirurgjik për rregullimin e drejtimit të syrit.


Doktor, kam probleme me sy. Ndjej shumë lodhje të syve, sidomos kur marr me lexuar diçka, menjëherë kam lodhje dhe më vjen për të fjetur edhe nëse jam i ngopur me gjumë. Kam kokdhembje, për shkak se po mundohem të koncentrohem maksimalisht, por nuk po mundem.
Kam qenë dhe tek disa mjekë dhe më kanë caktuar dioptrinë -0.5, kam bartë syzet që më kanë ndihmuar shumë, por vetëm për rrugë, kurse për lexim nuk po kanë sukses.
Tash kam filluar me bart syza të diellit, mirëpo po më duket sikur ato kanë një lloj dioptrie, po shoh më turbullt me to.
Të lutem doktor, ç’të bëj? Flm.

PËRGJIGJE:

Tek ju duhet të konsultohet edhe një herë oftalmologu, sepse përveç dioptrisë e cila te ju nuk është e lartë mos ka edhe ndonjë problem tjetër në sytë tuaj.

 

E kam djalin 6 muajsh te i cili një bebëz e syrit (te syri i majtë) rrinë më e madhe se tjetra edhe atë në prezencë të pamjaftueshme të dritës, ndërsa kur drita është normale bebëzat marrin të njëjtën formë d.m.th zvogëlohen të dyja njësoj. Këtë çrregullim e kemi hetuar menjëherë kur bebja filloi me i mbajt sytë hapura, në muaj pas lindjes. E kemi pasur te mjeku-oftalmolog, por na ka thënë se ende është i vogël, nuk është rrezik. Përshëndetje.

PËRGJIGJE:

Po, ndodhë ndonjëherë që bebëzat të mos reagojnë në mënyrë simetrike në dritë apo edhe në errësirë. Rasti në fjalë nuk kërkon ndonjë mjekim të veçantë. Fëmija duhet të jetë nën kontroll të vazhdueshëm nga ana e oftalmologut, jo për punë të bebëzave, po thjesht për shkak të vizitave sistematike që duhet t’i kenë fëmijët gjatë zhvillimit të tyre.


Përshëndetje doktor, së pari ju faleminderit për kontributin dhe ndihmën tuaj që po na jepni. Pyetja ime është kjo: pse gjithmonë i kam sytë e ënjtur, pra pjesa poshtë syve më rri gjithmonë e ënjtur edhe nëse flejë 12-13 orë, por edhe kur fle 5-6 orë. Poashtu, nëse rri pranë kompjuterin edhe nëse nuk rri. Pres përgjigjen tuaj. Edhe njëherë faleminderit!

PËRGJIGJE:
Ënjtja e kapakëve mund të ketë shkaqe të ndryshme duke filluar prej atyre lokale, siç janë sëmundjet inflamatore të kapakut e deri te çrregullimet e organeve të ndryshme që për pasojë e kanë çrregullimin e metabolizmit të ujit dhe kripërave. Mjekimi konsiston në gjetjen dhe eliminimin e shkaktarit.

 


Përshëndetje. Ju uroj për këto këshilla mjekësore që i shërbeni popullit. Ju përgëzoj se Zoti do t’ju shpërblejë. Muhamedi ka thënë: “Ai i cili është në shërbim të njeriut, Allahu është në shërbimin e tij“.
Nëna ime e ka operuar syrin e djathtë, gjegjësisht e ka hequr pëlhurën. Pas operimit, kohë pas kohe, e sidomos në mëngjes ka dridhje të faqes. A është ky vibrim si pasojë e operimit apo është ndonjë nerv që nuk ka të bëj me operacionin. Nëna ime tani i ka të 60-tat, operimi ka qenë para 8 muajve. Ju përshëndes dhe ju dëshiroj suksese.

PËRGJIGJE:

Problemi për të cilin keni shkruar nuk ka ndonjë lidhje me operimin e perdes së syrit te nëna juaj. Për këtë duhet ta konsultoni neurologun.


Kam problem me skuqje të syve, herë pas herë më skuqen. Në mëngjes kur zgjohem, më paraqiten shenja të bardha rreth qerpikëve. Kam qenë te mjeku, më ka dhënë yndyrë Tobradex, por kam përshtypjen se pak po ndikon. Faleminderit për mirëkuptim.

PËRGJIGJE:

Inflamacioni i tehut të kapakut që në mjekësi njihet me emrin Blepharitis squamosa është shkaku i problemeve që e përshkruani më lartë. Sëmundja është kronike që kërkon jo vetëm trajtim medikamentoz, korrigjimin e anomalive refraktare, por edhe regjim të veçantë higjieno-dietetik. Përdorimi i pa kontrolluar i barnave, jo vetëm që munde ta përkeqësoj sëmundjen, por edhe mund të shkaktojë komplikime të panevojshme që në disa raste mund të jenë edhe të rrezikshme për sy.


Përshëndetje nga Bekimi. Para 2 vjetëve jam diagnostikuar me uveitis në njërin sy. Mjeku më ka preferuar që të përdor pronizon dhe dexamethazon sipas nevojës, mirëpo pa përmirësim. Gjithnjë, me kalimin e kohës e vërej që edhe gjendja shkon duke u keqësuar. Përveç përdorimit të pronizonit dhe dexamethazonin, ç’duhet bërë? Sa përqind e rasteve me uveitis kanë shërim?

PËRGJIGJE:

Uveiti është një sëmundje komplekse me shkaqe të shumta dhe me pasoja të paparashikushme nëse nuk diagnostikohet me kohë dhe nëse nuk mjekohet si duhet. Te kjo sëmundje duhet të provohet të gjendet shkaktari, mundësisht edhe pse në shumicën e rasteve mbetet i panjohur. Terapia e ordinuar nga oftlmologu duhet të aplikohet nën kontroll rigoroz e jo të merret sipas nevojës, sepse barnat që aplikohen tek kjo sëmundje kanë edhe efekte anësore, jo vetëm për sy, por edhe me gjerë për tërë organizmin. Sëmundja duhet trajtuar dhe kuptuar shumë seriozisht si nga ana e oftalmologut ashtu edhe nga ana e pacientit. Preferoj që të jeni në kontakt të vazhdueshëm me mjekun tuaj.


Vajza ime ka pasur katarakt (perde) në syrin e djathtë dhe është operuar qe 3 herë. Operimin e parë e ka bërë në moshën 1 vjeçare, pastaj edhe 2 operime deri më tash. Vajza tani i ka 5 vjet dhe ende nuk sheh me atë sy. Vajza është operuar në Kl. gjermane të syrit dhe ende vazhdon kontrollet.. Sipas mjekëve duhet të presim të ndodhë’’mrekullia’’, ndoshta fillon të shohë pas pushimit nga traumat e operimit, sepse operimi thonë që qenka i suksesshëm. Ju lutem të më tregoni a është e mundur që pas 3 operimeve ajo të mos shoh dhe a ka gjasa t’i kthehet shikimi.

PËRGJIGJE:

Katarakti i lindur sidomos kur është e lokalizuar vetëm në njërin sy është dhe do të mbetet një sfidë jo e lehtë për t’u zgjidhur edhe një kohë të gjatë. Problemi nuk qëndron vetëm te operacioni i saj që mund të shoqërohet me komplikime të shumta, por edhe te një numër i anomalive të rrugëve optike që e shoqërojnë këtë gjendje. Të gjitha këto së bashku, ndonjëherë, fatkeqësisht mund ta komplikojnë situatën dhe ta bëjnë prognozën jo të qartë sa i përket të pamurit.


I nderuar doktor. Jam një 16 vjeçare nga Theranda. Pas lindjes, nga të ftohtët më është ngushtuar syri i majtë, para 3 apo 4 vitesh. Jam bërë operacion në Prishtinë dhe më është rregulluar problemi, por tash pas 4 viteve përsëri më është kthyer syri në gjendjen e mëparshme dhe më vërehet shumë që është më i vogël. Bebëzat e syrit i kam në rregull, kanë të njëjtën madhësi, mirëpo të pamurit me syrin e majtë më është dobësuar shumë. Larg nuk shoh mirë. Jam shumë e shqetësuar për këtë. Pres një përgjigje nga ju. Me respekt Ana.

PËRGJIGJE:

Në rastin tuaj, do t’ju kisha këshilluar ta kontaktoni mjekun i cili ju ka operuar, sepse të dhënat e dërguara nuk mjaftojnë ta dimë se për çfarë problemi ju jeni nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.

 

Diku prej moshës 20 vjeçare kam problem me syrin e djathtë. Mjekët ma kanë caktuar diagnozën Syndroma Postner-Schlossman, andaj desha të di diçka më gjerësisht për këtë sëmundje dhe se a është e shërueshme. Tani jam 40 vjeçar.

PËRGJIGJE:

Ju përshëndes, S. Zhuri.
Syndroma Posner-Schlossman është një sëmundje që atakon moshat e reja dhe të mesme. Karakterizohet me rritje të njëanshme të tensionit intraokular në mënyrë të papritur dhe zakonisht lokalizohet vetëm në njërin sy. Shoqërohet me dhimbje dhe skuqje të lehtë të syrit. Ndonjëherë në varshmëri nga shkalla e tensionit intraokular, pacinti i vëren edhe ngjyrat e ylberit gjatë shikimit në burimin e dritës.
Mjekimi konsiston në aplikimin e barnave për uljen e tensionit të syrit si dhe aplikimin e pikave me efekt antinflamator. Për t’i evituar komplikimet e kësaj sëmundje, pacienti duhet të jetë nën kujdesin e vazhdueshëm të oftalmologut.

Përshëndetje për doktorin. Kam një vajzë 7 vjeçe dhe që nga mosha 1.5 e ka diagnozën ablatio retinae. E kam pasur në vizitë te shumë mjekë kosovar, por edhe në Turqi por pa pasur sukses. Përgjigjja ishte se duhet të bëhet operacion, maksimum një javë pas paraqitjes së diagnozës, por ajo ka lindur me atë problem dhe është zbuluar në moshën 1.5 vjeçare nga mjekët tanë në QKU. Çfarë mund të ndodh në të ardhmen me syrin e sëmurë dhe a mund të ndikojë në syrin tjetër të shëndosh.
Me respekt pres përgjigjen. Bekimi.

PËRGJIGJE:

Sido qe te jete fëmija duhet të jetë nën kujdesin e vazhdueshëm të oftalmologut, sepse duhet të përcillet jo vetëm syri i sëmurë, por edhe syri i shëndoshë. Problemet e tilla që lajmërohen në këtë moshë ndonjëherë mund t’i shoqërojnë të dy sytë.

Përshëndetje, jam Kastrioti, 20 vjeç, kam problem me syrin e djathtë. Mjekët më kanë thënë se kam ambliopi. Desha të ju pyesja, a shërohet ampliopia dhe nëse po, atëherë si shërohet?
E kam edhe një problem tjetër. Drita e diellit më pengon sa që duhet t’i mbylli sytë pak. Po ashtu edhe drita e poçit elektrik, ndodh që nganjëherë të fjalosem me anëtarët e familjes për ta ndalur dritën e poçit. A mjekohet kjo?

PËRGJIGJE:

Amblyopia është një zvogëlim funksional i syrit dhe në të shumtën e rasteve është pasojë e anomalive refraktare që nuk janë korrigjuar me kohë. Shumica e këtyre anomalive shoqërohen edhe me pengesa në dritë.
Duhet të lajmëroheni te oftalmologu për një kontroll, në kuptim të detektimit të këtyre problemeve që u thanë më lartë.

I nderuari doktor. Jam Veseli, 30 vjeç, flejë me sy gjysmë të hapur që nga fëmijëria. Jam në gjendje të mirë shëndetësore, dhe nuk kam vuajt nga ndonjë sëmundje më parë.Pyetja ime për ju është: fjetja me sy gjysmë të hapur a është gjë normale, apo duhet korrigjuar?
Faleminderit paraprakisht.

PËRGJIGJE:

Problemi për të cilin keni shkruar nuk ka nevojë për kurrfarë tretmani.

E kam djalin 14 vjeç dhe menjëherë pas lindjes kishte probleme me sy. Në fillim dukej një infeksion, por që nuk u largua dhe pastaj ndodhi mbyllja e kanalit të syrit. Mjekët më sugjeruan të bëhet në Prishtinë një pastrim i kanalit, por që për momentin u refuzova, sepse kisha ushqyer fëmijën dhe se duhej të mos kishte ngrënë. Ndërkohë çdo gjë u stabilizua, u larguan të skuqurat dhe ënjtja e syrit.
Djali im nuk vëren asnjë problem apo ndryshim tjetër, por unë nuk po mund të qetësohem dhe a ka mundësi që kjo t’i ketë kaluar vetvetiu, apo mund të ketë problem në të ardhmen?
Të falënderoj paraprakisht. Nëna e brengosur.

PËRGJIGJE:

Nëse fëmijës suaj nuk i loton dhe nuk ka sekret në syrin në të cilin më parë është dyshuar mbyllja e kanalit të lotëve, nuk keni pse të brengoseni fare.

E kam djalin katër vjeç, ka lind me syrin e majtë më të vogël dhe më duket se syri i ik. A mund të intervenohet për ta rregulluar syrin me sukses? Poashtu, edhe unë jam 27 vjeçe dhe kam problem me shkurtpamësi qe një vit. Shoh dobët dhe duhet ta zgjas syrin që të shoh çka shkruan në një largësi prej një metri.
Mirlinda

PËRGJIGJE:

Është e domosdoshme kontrolla e oftalmologut që të bëhet ultrazëri i syrit, që të konstatohet se a është në tërësi syri më i vogël-microftalmus apo vetëm një pjesë e tij-microcornea si dhe të shihen elementet tjera brenda syrit. Në varshmëri nga rezultatet, pastaj oftalmogu do të ju preferoj tretmanin e duhur.
Mirlinda, te ti duhet të përcaktohet dioptria si dhe pastaj të vendoset edhe mënyra e korrigjimit në varshmëri të llojit dhe lartësisë së saj – syza, lente kontakti apo nevoja për ndonjë intervenim kirurgjikal.

Unë kam bërë disa vizita te ju, para 7 vjetësh. Më kanë dalë disa pika të zeza dhe ato tash janë shumuar si merimanga. Më paraqiten më tepër kur shikoj në ngjyra të çelëta, të hapura. Më bezdisin shumë. Jam vizituar te shumë mjekë, disa më kanë thënë të mos merakosem, por një mjek tash vonë më dha Surpril. Jam bërë merak se çka kam dhe kam përdor syze qe 10 vite -5.
Ju lutem, më ndihmoni. Nikelina

PËRGJIGJE:

Preferohet ultrazëri i syrit që të shihet se për çka është fjala. Ndonjëherë nuk paraqesin rrezik për sy, por në raste kur turbullirat e trupit qelqorë jenë të dendura, ato kërkojnë edhe tretman aktiv nga ana e oftalmologut.

Përshëndetje doktor. Jam Vlora, një ish-paciente e juaja. Që nga mosha 4 vjeçe mbaj syze, nuk kam problem me shikimin, mirëpo problemi im është që me syrin e majtë shikoj shtrembër. Para lufte kam bërë rregullisht kontrollet tek ti, mirëpo pas luftës jam duke i bërë në klinikë tek doktoresha L. Sh. Mirëpo, nuk po vërej kurrfarë përmirësimi qe 9 vite, është e njëjta gjë.
Çfarë mund të bëj që të kem përmirësim më të shpejt?

PËRGJIGJE:

Nëse shikimi i shtrembër nuk korrigjohet me bartjen e syzave, vjen në konsiderim edhe intervenimi kirurgjikal. Por, para se të ndërmerret një procedurë e tillë, oftalmogu duhet bërë edhe disa teste që të shihet paraprakisht suksesi i një ndërhyrje të tillë.

Përshëndetje doktor. Djali im 4 vjeç, ka dioptri të madhe +7 edhe e ka syrin e djathtë të shtrembër që nga lindja. Unë jetoj në Kanada, mjekët më kanë thënë se duhet operuar djalin. Djali nevrikoset shumë, çka më preferoni ju?
Faleminderit për mirëkuptimin.

PËRGJIGJE:

Përgjigja është e ngjashme me atë që u dha më lartë. Paraprakisht aplikohen syzat e më pastaj nëse gjendja nuk korrigjohet siç është rasti me fëmijën tuaj, ndërmerret ndërhyrja kirurgjikale. Por, një gjë duhet shtuar se intervenimi kirurgjikal nuk nënkupton edhe heqjen e syzave. Fëmija juaj edhe pas operacionit duhet bartur syza. Operacioni nënkupton vetëm korrigjimin e drejtimit të shikimit, por jo edhe largimin e dioptrisë.

I nderuari doktor. Unë e kam një motër 14 vjeçe, tash e kemi kuptuar se ka problema me njërin sy. Mjekët i kanë thënë se ka ambliopsi. Desha t’ju pyes, a ka shërim kjo sëmundje dhe ku të drejtohem?
Pres përgjigjen me pa durim…Flm.

PËRGJIGJE:

Nëse korrigjimi i anomalisë refraktare ka filluar vonë, zakonisht pas moshës 7-8 vjeçare, rezultatet e mjekimit të ambliopisë janë të diskutueshme. Në të kundërtën, nëse trajtimi ka filluar me herët, zakonisht nëse fillohet prej moshës 3 vjeçare, rezultatet janë shumë të mira.

Me respekt dr. Naser. Jam miope nga mosha 3 vjeçare, jetoj në Itali dhe më në fund vendosa të operohem me laser PRK, mirëpo gjatë vizitave para operimit më është konstatuar tensioni i lartë i syrit, në të majtin 22, në të djathtin 18, brenda normave dhe në limit të normave. Mjeku më tha se nëse operohem dhe mbas një jave të përdorimit të kortizoneve, më japin një terapi edhe për uljen e tensionit. Nëse brenda 10 ditëve tensioni rritet më shumë, në atë rast bëjnë ndërprerjen e kortizoneve dhe ka mundësi që më kthehet një dioptri e vogël e miopisë, sipas mjekut,-0.50 apo -1. Edhe pse brenda këtyre vizitave një herë më ka dalë tensioni mirë, njëherë i lartë vetëm në syrin e majtë e në fund në të dy sytë, operimi bëhet mbas dy ditëve, mirëpo jam shumë e shqetësuar.
Pres një përgjigje tuajën me padurim.
Faleminderit, Zogja.

PËRGJIGJE:

Po, është e vërtetë se përdorimi i kortikozonikeve për një kohë më të gjatë mund të shpie deri te ngritja e tensionit intraokular. Mendoj se për rastin tuaj nuk ka vend për brengosje, sepse edhe nëse vjen, të themi, tek ky komplikim, me aplikimin e barnave të caktuara –Betabloker lokalë, kjo gjë do të rregullohej pa pasoja për sy, si dhe pa e komprometuar suksesin e operacionit laserik.

Përshëndetje, jam Meli. Para një viti jam kontrolluar në Klinikën gjermane në Prishtinë. Më kanë thënë të mbaj syze për shkak të syrit të djathtë që kam nevojë për dioptri. I kam mbajtur një muaj dhe po më duket se më s’kam nevojë për syze. Shoh pastër, por nganjëherë më pak.
A mund të më rritet dioptria dhe a ndikon mishi i peshkut, karotat në rigjenerimin e bebëzës së syrit. Po uji i banjës së Dobërçanit, në Gjilan a është ujë shërues, sepse me atë ujë I pastroj sytë dhe prejse atëherë shikimin e kam pasur më të mirë? Çka më preferoni ju?

PËRGJIGJE:

Përshëndetje, desha të ju pyes në lidhje me perden e syrit apo si njihet edhe si katarakti. Prindit i kanë thënë që duhet të operohet, mirëpo jo para 3 muajve. Prindi është i sëmurë edhe me diabet, por edhe me hipertension dhe desha të di se a mund të këtë shërim. A ka sukses operimi?
Një problem tjetër është se edhe në tym qëndron shumë. A është edhe kjo një pengesë dhe një shkaktar i perdes në sy.
Ju faleminderit për mirëkuptim dhe pres përgjigjen tuaj sa me parë. Ju faleminderit.

Përshëndetje dr. i nderuar. Kam prindin në moshë 67vjeç dhe ka diabet tip 2, mirëpo shpesh i zbret niveli i sheqerit në 7. Më e keqja është se ka humbur të pamurit. Sheh si nëpër mjegull, mjeket i kanë thënë se nervin e syve e ka të dëmtuar (sigurisht nga sheqeri). Çfarë ndërhyrje ka mundësi të bëhet?

PËRGJIGJE:

Meqë të dy pyetjet janë të ngjashme, po e jap një përgjigje për të dy:

Diabeti është një çrregullim kompleks i metabolizmit të sheqernave në organizmin e njeriut. Nëse nuk mjekohet si duhet dhe me kohë mund të shkaktoj ndryshime të shumta në trupin e njeriut në përgjithësi e në veçanti ne sy. Është i njohur ndikimi i kësaj sëmundje në paraqitjen e kataraktit apo perdes së syrit, pastaj ndryshimeve tjera në retinë, të njohura si retinopatia diabetike, glaukomës dytësore etj.
Për prevenimin e paraqitjes së këtyre komplikimeve në sy është i domosdoshëm rregullimi i nivelit të glukozës në gjak nga ana e endokrinologut. Pra, pacienti duhet të jetë në kontrolle rigoroze dhe në përcjellje të vazhdueshme nga ana e mjekut. Në të kundërtën, nëse pacienti nuk është i ndërgjegjshëm për këtë domosdoshmëri të rregullimit të nivelit të sheqerit në gjak apo kur sëmundja nuk është diagnostikuar me kohë gjë që shume shpesh ndodhë në vendin tonë, komplikimet janë të paevitueshme dhe me pasoja shumë të rënda për organin e të pamurit.
Trajtimi i kataraktes diabetike është kirurgjikal. Suksesi i operacionit varet nga dëmtimet në retinë. Paraprakisht te çdo ndërhyrje verifikohen parametrat laboratorik të gjakut si dhe kontrolli internistik është i domosdoshëm para ndërhyrjes kirurgjikale.
Sa i përket mjekimit të komplikimeve të diabetit në retinë, varet nga stadi i retinopatisë diabetike dhe mjekimi fillon nga aplikimi intravitreal i substancave që pengojnë rritjen e vazove të reja të gjakut, laserit e deri te ndërhyrjet e ndërlikuara kirurgjikale në sy të njohura me emrin pars palna vitrektomia.

Ju lutem doktor i nderuar nëse mundeni të më tregoni diçka për anysohyperopia dhe ambliopia?
Ju faleminderit!

PËRGJIGJE:

Në rastet kur dallimi i dioptrisë në mes të dy syve është i madh dhe nuk mjekohet me kohë vjen deri te paraqitja e ambliopias që nënkupton pengesa të rënda në të pamur, sidomos në njërin sy.
Suksesi i mjekimit varet nga mosha e pacientit. Nëse fjala është për një fëmijë para moshës 7 vjeçare suksesi është më i mirë, në të kundërtën në disa raste fatkeqësisht pasojat mundem me qenë edhe të përjetshme dhe të pa kurushme. Sido që të jetë kontrolli te oftalmologu është i domosdoshëm.

Doktor, kam një problem tek sytë që po më shqetëson. Kur po kam dhembje koke, sytë nuk po mund t’i hap dhe më duket sikur jam i fjetur. Kur shikoj TV, më duket se foto e ekranit po lëviz.
Pres përgjigje nga ju doktor, sepse kam filluar të bëhem i padurueshëm.

PËRGJIGJE:

Disa anomali refraktare të pa korrigjuara munden me qenë shkak i inicimit të kokëdhembjes në njërën anë, por edhe disa sëmundje si psh. migrena mund të shkaktojë ndryshime të ngjashme në sy dhe pengesa në të pamur çfarë Ju i përshkruani.
Duhet t’i paraqiteni oftalmologut për ta parë se cila nga këto shkaqe është përgjegjës në rastin tuaj.

Përshëndetje dr.Naser, unë kam problem me syrin e majtë, më është shfaqët një hije e zezë në moshën 22 vjeçare. Tani qe 4 vjet nuk është larguar. Kam përdor pikat e syrit sipas rekomandimit të mjekut, shikimin e kam normal. A do të më largohet kjo hije e zezë ndonjë ditë.

PËRGJIGJE:

Te ju preferohet që të behet ultrazëri i syrit për ta parë se për çfarë ndryshimi është fjala.

Përshëndetje i nderuari doktor. Jam Emma 30 vjeçe, jetoj në Suedi, nga mosha 15 vjeçe kam syza. Kohën e fundit përdor edhe thjerrëza me dioptri -4, kam biseduar me nj klinikë të syrit këtu në Suedi për një operacion laserik. Këta më thonë se 6 muaj pas operacionit vërehet shërimi. Kam dëshirë të kem një përgjigje nga Ju?
Me respekt Emma

PËRGJIGJE:

Po, Ema në rastin tuaj është i mundur aplikimi i laserit në trajtimin e shkurtpamësisë. Paraprakisht duhet të bëhen disa matje si dhe të eliminohen disa sëmundje lokale në sy që mund ta komplikojnë intervenimin kirurgjikal te ju. Një moment me rëndësi është edhe matja e sekretimit te lotëve, sepse ndikon drejtpërdrejt në paraqitjen e disa komplikimeve post operative që nuk janë edhe aq të rralla.
Nëse përmbushen këto kritere ju mund t’i nënshtroheni intervenimit kirurgjikal, i cili realizohet me anestezion topikal-pika në sy dhe suksesi shihet që në ditët e para pas operacionit pa pas nevojë të pritet 6 muaj.

Përshëndetje ty dr Naser. Unë jam një student nga Mitrovica. Ka një vit që nuk mund të shoh larg ose të lexoj më larg se një metër. Bebëzat e syrit më hapen shumë shpesh sa që i dalloj në pasqyrë dhe shoh shumë turbullt. Flm, pres një përgjigje nga ju.
Me respekt Mitrovica.


Duhet te vizitoheni te oftalmologu për të parë se a keni nevojë për syza apo fjala është për diç tjetër.

Doktor, që e vogël, kam pasur një lloj mishi në anën e majtë të syrit. Mjekët thonë që nuk është e nevojshme të hiqet. Pres mendimin tuaj doktor.
Valentina

PËRGJIGJE:

Pengesat e tilla i largojmë në mënyrë operative vetëm në rastet kur pengojnë funksionin e syrit apo shkaktojnë defekt estetik. Në të kundërtën operacioni nuk është i domosdoshëm.

I nderuari Doktor, e kam një djalë 4.5 vjeç. Në moshën 3.5 e kam vërejtur se nuk po sheh mirë. Pas ekzaminimit te mjeku është diagnostikuar me diagnozën Hypermetropia me shkallë +4 , mirëpo mjeku ka preferuar që deri sa të adaptohet me bartjen syzeve t’i bartë syzet me dioptri +2.5 . Pyetja ime është , a ka mundësi që në të ardhmen t’i përmirësohet pamja dhe mos të mbajë syze apo duhet që përgjithmonë t’i bartë syzet.(në pamje sytë i ka mirë, dmth. nuk i ka të shtrembëruar).
Ju faleminderit shumë paraprakisht. Artiani.

PËRGJIGJE:

Syzat janë një mjet për ta korrigjuar anomalinë e keqthyerjes së rrezeve të dritës në sy. Bartja e tyre nuk nënkupton edhe zvogëlimin e dioptrisë, por vetëm aktivizimin e syrit në pikëpamje funksionale, pra fëmija sheh më mirë.
Deri në moshën 19-20 vjeçare te këto anomali bartja e syzave apo në disa raste edhe e thjerrëzave të kontaktit është domosdoshmëri. Më vonë, nëse pacienti nuk dëshiron syza ose thjerrëza kontakti, ka mundësi t’i nënshtrohet intervenimeve kirurgjikale për zvogëlimin e dioptrisë.

Doktor, ne syrin e djathtë e kam bërë operacion (keratoplastiken, dmth transplantin e corneas). Tash për tash jam mirë, mirëpo desha të di a ndodh që me kalimin e kohës të më paraqitet ndonjë problem (po mendoj, të humb shikimin apo diçka ngjashëm).
Edhe diçka: kam dëgjuar se në Amerikë, në një klinikë bëjnë mbjelljen e qelizave të reja të syrit dhe syri rigjenerohet total. Flm për mirëkuptim
Arta

PËRGJIGJE:

Me rëndësi është të dihet se sa kohë ka kaluar nga transplantimi i kornesë. Sido që të jetë, në vazhdimësi duhet me qenë në kontakt me oftalmologun për ta përcjellë transparencën e kornesë dhe në rast nevoje, ai do të ndërmerr masat e nevojshme për trajtimin e ndonjë problemi eventual që mund të paraqitet .
Sa i përket pjesës tjetër të pyetjes suaj, është e vërtet ajo që thua për transplantimin e qelizave perlimbale, metodë që kohët e fundit ka filluar të aplikohet edhe në Evropë. Ka aplikim vetëm në raste të veçanta dhe shërben si një masë parapërgatitore për keratoplastikë. Sigurisht, në rastin tënd, nuk ka qenë i domosdoshëm aplikimi i saj.

Doktor, ka kohë që më pengon drita në sy. Syzet e diellit nuk mund t’i mbaj, sepse më lotojnë sytë. Çfarë duhet të bëj?
Mini

PËRGJIGJE:

Pengesa e dritës apo siq njihet edhe me emrin fotofobia është një dukuri përcjellëse e gjendjeve inflamatore të natyrave të ndryshme në sy, anomalive në thyerjen e rrezeve të dritës si dhe ndonjëherë edhe e ngritjes të tensionit të syrit. Duhet të këshilloheni me oftalmologun tuaj aq më tepër, sepse edhe bartja e syzave të diellit krijon pengesa.

Kohët e fundit vazhdimisht po me lëvizë kapaku i syrit të majtë. Kjo situatë ka filluar të më shqetësojë. Ku është problemi?
Me respekt, Donika

PËRGJIGJE:

Ndonjëherë kur jemi të lodhur psiko-fizikisht, ndodhë që nën lëkurën e kapakëve paraqitet një dridhje e lehtë, e cila mund të na shqetësoj sikur në rastin tuaj. Provoni të pushoni ose në ndonjë mënyrë ta largoni stresin, e nëse nuk kalon duhet t’i paraqiteni oftalmologut që të shoh se a ka edhe ndonjë shkak tjetër lokal për paraqitjen e këtij fenomeni, i cili sido që të jetë nuk paraqet ndonjë rrezik për syrin tuaj Donika.

I nderuar doktor. Ka kohë që më shqetëson një problem me sy. Rrezet e diellit kur është nxehtë dhe tymi i cigares sytë nxisin lotët që të lotojnë dhe për disa minuta nuk shoh fare.
Dhe një problem tjetër: Nganjëherë në sy kam një dhembje të tmerrshme sikur dikush të m’i shtypte sytë. Ju lutem, pres përgjigjen tuaj.
Uskana

PËRGJIGJE:

Shkaqet janë të ngjashme si rasti i mësipërm që kishte probleme me pengesat që munde t’i shkaktojë drita në sy. Duhet të vizitoheni te oftalmologu.

Përshëndetje i nderuar doktor. Kam një javë që më ka dalë një kokërr në syrin e majtë, brenda, në pjesën e poshtme dhe nuk po largohet. Jam shumë e merakosur. Mjeku familjar më ka thanë se është ‘rrzullë’ e brendshme dhe më ka preferuar të kontrollohem te mjeku specialist. Por, unë po kam frikë dhe harrova të them se përherë sytë më kruhen.
Pres përgjigje. Ju përshëndet Vlora.

PËRGJIGJE:

Nga përshkrimi yt Vlora, mendojmë se mundë të bëhet fjalë për pasojat e një inflamacioni të kapakut të cilin e keni pas më parë. Në raste të tilla, duhet të provohet mjeki

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori