LAJMI I FUNDIT:

Dr. Shpresa Huruglica, Specialiste e Biokimisë klinike

Dr. Shpresa Huruglica, Specialiste e Biokimisë klinike

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti, mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Dr. Shpresa Huruglica
Specialiste e Biokimisë klinike
tel: 044 / 413-928


Përshëndetje dr.Shpresa. Unë, sapo mora analizën e urinës së vajzës sime 7 vjeçare. Më thanë që ka vlera normale, por unë lexoj, leukocitet 35-40 fushë MO, ndërkohë norma 0-2, pastaj nitrite pozitive, era e fortë, baktere me shumicë, ngjyra e verdhë, transparenca e turbullt.
Ju lutem, më thoni çfarë analize tjetër të bëj, sepse ajo ka shqetësime: kur urinon, ka dhimbje.
Pres përgjigje. Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Numri i madh i leukociteve, era e rëndë e urinës dhe nitritet pozitiv, janë tregues i pranisë së një numri të madh të baktereve në traktin urinar. Duhet që sa ma shpejt vajzës suaj t’i bëhet urinokultura (izolimi i baktereve) dhe antibiograma (ndjeshmërinë ndaj antibiotikëve), në mënyrë që pastaj gjatë mjekimit t’i jepet antibiotiku i duhur.
Gjithashtu preferohet që gjatë mjekimit të përdoren lëngje me shumicë (ujë apo çaj), në mënyrë që të krijohet një diurezë e bollshme, me anë të së cilës nxirren bakteret jashtë. Po ashtu, pas mjekimit rritja e diurezës (urinimit) zvogëlon mundësinë e përsëritjes së infeksionit.


Përshëndetje. Kam nipin dy vjeç e gjysmë dhe në pasqyrën e gjakut i paraqiten leukocitet 25, por s’mund të gjejmë arsyen. Do të doja të di, ç’mund ta sjellë këtë?

PËRGJIGJE:
Numri i leukociteve 25.0 x109/L është i rritur në krahasim me vlerat normale për moshën e nipit tuaj, e që janë deri ne 12.0 x109/L. Fillimisht nipit tuaj duhet bërë një strisho e gjakut periferik, dhe nëse në strisho eliminohet mundësia e ndonjë qelize të papjekur (atipike), atëherë duhet bërë analiza të tjera shtesë për të eliminuar mundësinë e infeksionit, sëmundjeve inflamatore apo ndonjë alergjie.
Rritje e numrit të leukociteve haset në rastet e mjekimit me kortikosteroide, lithium, te fëmijet me aktivitet të shtuar fizik dhe te ata që rrinë në mjedis me duhan.


Përshëndetje. Jam e shqetësuar sepse më ka dalë sedimenti i ulur. Doja të dija çdo të thotë kjo, çfarë sjell?

PËRGJIGJE:
Vlerat e sedimentit të ulura nuk janë për t’u shqetësuar. Hasen më së shpeshti në ato raste kur gjaku është shumë viskoz, si pasojë e rritjes së numrit të eritrociteve dhe tek të porsalindurit. Poashtu vlera të ulura të sedimentit të eritrociteve, mund të hasen edhe te pacientët me insuficiencë kardiake dhe te disa sëmundje të mëlçisë, por që nuk kanë ndonjë vlerë diagnostike dhe nuk përcakton shkallën e këtyre sëmundjeve.

Numri i leukoviteve 25.0 x109/L është i rritur në krahasim me vlerat normale për moshën e nipit tuaj, e që janë deri në 12.0 x109/L. Fillimisht nipit tuaj duhet bërë një strisho e gjakut periferik, dhe nëse në strisho eliminohet mundësia e ndonjë qelize të papjekur (atipike), atëherë duhet bërë analiza të tjera shtesë për të eliminuar mundësinë e infeksionit, sëmundjeve inflamatore apo ndonjë alergjie .
Rritje e numrit të leukociteve haset në rastet e mjekimit me kortikosteroide, litium, te fëmijët me aktivitet të shtuar fizik dhe te ata që rrinë në mjedis me duhan.


Përshëndetje doktoreshë! Sot mora rezultatin e urokulturës dhe E.coli më doli 10.000.000|ml. A kurohet ky problem, mund te hiqet infeksioni?
Gjithashtu kam dhe myk.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Escheria Coli është një enterobakterie, banor i përhershëm i zorrës së trashë tek njerëzit. Për shkak të afërsisë së zorrës së trashë me uretrën, Escheria coli është shkaktar i 80-85% të infeksioneve të rrugëve urinare. Gjithsesi që kurohet infeksioni nga Echeria Coli, por ju duhet të merrni mjekimin vetëm duke u bazuar në antibiogramë (ndjeshmërinë ndaj antibiotikëve), pasi që shpesh herë ndodhë që Escheria Coli apo edhe të tjerat baktere krijojnë rezistencë ndaj shumicës së antibiotikëve.
Gjatë trajtimit të infeksionit preferohet të përdoren me shumicë në mënyrë që të krijohet një diurezë e bollshme me anë të së cilës nxirren bakteret jashtë. Po ashtu pas mjekimit rritja e diurezës (urinimit) zvogëlon mundësinë e përsëritjes së infeksionit. Ndërsa sa i përket pranisë së mykut, ju duhet të përdorni terapi antimikotike, por gjithmonë me përshkimin e mjekut tuaj.


Përshëndetje. Kam bërë analizat dhe kam rezultuar hepatit B. Pa e ditur se ç’farë pasojash ka, pres të më këshilloni se ç’duhet të bëj?
Gjithë të mirat.

PËRGJIGJE:
Nëse në rezultatet e analizave laboratorike ju keni rezoltuar HBsAg pozitiv, atëherë duhet përcaktuar nëse kemi të bëjmë me hepatit akut apo kronik. Për këtë është e nevojshme të përcaktohen edhe markerët tjerë të hepatit B si HBeAg, HBe antitrupat, anti-HBc IgM, anti-HBc IgG dhe antitrupat sipërfaqësorë të virusit të Hepatiti B (HBsAb).
Nëse përveç HBsAg pozitv, keni edhe rritje të HBe antitrupave, anti-HBc IgG dhe HBs antitrupave atëherë kemi të bëjmë me hepatit kronik. Në këtë rast ju kisha rekomanduar kontrolle të rregullta të mjeku specialist i Infektives apo Hepatologjisë. Gjithsesi duhet që së paku çdo 6 muaj të bëhet monitorimi i funksionit të mëlçisë me anë të analizave laboratorike të ashtuquajtura prova funksionale të mëlçisë e në të cilat hyjnë ALT, AST,GGT, LDH dhe bilirubinat. Te pacientët me hepatit B kronik ekziston rreziku që mbas një kohe të zhvillojnë karcinomë të mëlçisë, andaj përveç provave funksionale të mëlçisë është e nevojshme që një herë gjatë vitit të përcaktohet edhe alfa feto-proteina (AFP).


Jam 27 vjeçar, nga analizat e shumta si të pasqyrës së gjakut, analizës në palcën kurrizore, mjekët kanë dalë me konstatimin se kam trombocitopeni edhe atë në vlerat 70 x 10^9 . Mjekët më kanë dhënë këtë terapi: Pronison 20mg, Alpha D3 dhe Folna kiselin 400 mg. Kjo terapi e marrë gati një vit, nuk e ka përmirësuar shëndetin tim. Nga analizat e bëra në citologji, nuk ka pas ndonjë çrregullim apo deformim të trombociteve, por vetëm se është vërejtur një ulje e numrit të trombociteve. Kam qenë në spital për shkak të një ndezje në mushkëri para se të konstatohet se kam trombocitopeni. Tashti, nuk po e di shkakun e kësaj sëmundje dhe si mund të shërohem, prandaj ju lutem që të më ndihmoni.

PËRGJIGJE:
Shkaktarë të trombocitopenisë apo uljes së numrit të trombociteve janë të shumtë dhe të ndryshëm. Trombocitopenitë mund të jenë qendrore dhe periferike. Te trombocitopenitë qendrore, trombocitet nuk prodhohen në sasi normale në palcën kockore dhe në këto raste palca është e varfër me megakariocite. Ndërsa te trombocitopenitë periferike prodhimi i trombociteve është normal, palca është e pasur me megakariocite, por trombocitet këtu shkatërrohen në periferi, në qarkullimin e gjakut.
Në rastin tuaj, nëse në strishon apo citologjinë e materialit të marrë nga palca kockore nuk verëhet ulje e numrit të megakariociteve, atëherë duhet hulumtuar arsyen se pse trombocitet po shkatërrohen në qarkullim. Në këtë rast nga ana labotatorike rekomandohet të përcaktohen antitrupat antitrombocitare. Gjithashtu, shpeshherë trombocitet aglutinohen në epruvetat që përmbajnë antikuagulantin KEDTA duke na dhënë në rezultat të trombociteve fals të ulët. Prandaj, preferohet që gjaku të merret me antikuagulantin Na citrat.
Gjithsesi ju duhet konsultuar me mjekun specialist të hematologjisë rreth sëmundjeve tjera që shoqërohen me trombocitopeni e që më të shpeshta janë patologjitë e shpretkës në të cilën shkatërrohen trombocitet, pastaj infeksionet virale e më rrallë ato bakteriale, trombocitopenitë nga përdorimi i disa llojeve të barërave apo alkoolit, trombocitopenitë nga sëmundjet autoimune, purpura trombocitopenike etj.


Përshëndetje. Nga ana laboratorike, ku është dallimi ndërmjet Hepatitit kronik bartës dhe Hepatitit kronik aktiv…
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Të gjithë pacientët që kanë HbsAg pozitiv për më shume se 6 muaj, konsiderohen bartës kronikë të hepatiti B. Ndërsa, hepatit kronik aktiv kemi atëherë kur gjatë fazës kronike, përveç HbsAg pozitiv, vazhdon të jetë pozitiv edhe HbeAg, por edhe të mungojnë antitrupat HBe.
Te këta pacientë me hepatit kronik aktiv, poashtu, ngarkesa virale – ADN virale rezulton e rritur.


Jam 39 vjeçar. Para dy muajve kam bërë analizën biokimike të glukozës dhe të lipideve. Rezultatet janë këto: glukoza-hk-6.4.mmol, trigliceridet-2.7mmol, kolesteroli-5.5mmol, hdl-1.5, ldl-3.3.
Çfarë mendimi keni për këto rezultate?
Ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
Nuk janë vlera por rezultate për t’u shqetësuar, por gjithsesi duhet përcjell në vazhdimësi. Ju kisha rekomanduar që të reduktoni sa më shumë ushqimet e pasura me karbohidrate – sheqerna, acide yndyrore të ngopura dhe kolesterol. Po ashtu do ishte mire të praktikoni ndonjë aktivitet fizik (ecje për një kohë të gjatë, vrapim, etj) dhe nëse rezultatet e radhës vazhdojnë të jenë mbivlerat referente, atëherë ju kisha rekomanduar të konsultoheni me mjekun familjar.


Përshëndetje doktoreshe! Jam 17 vjeçe, kam të rritur RF-në dhe ASTO-në. Më kanë thënë se është pasojë e një bakteri (stafilokok) që e kam në fyt. Kam edhe dhimbje të nyjeve të këmbëve dhe therje të kokës.
A mund të më tregoni çka janë këto dy analiza dhe çfarë pasojash (sëmundje) kam?

PËRGJIGJE:
Rritja e ASTO-s apo e antitrupave antistreptolysin, tregon praninë e infeksionit, tani apo të kaluar nga bakteri i quajtur Streptokok, shkaktare kjo e Ethes reumatizmale dhe Skarlantinës.
RF apo faktori reumatik, janë antitrupa të prodhuar nga organizmi kundër indeve të vetë organizmit e që gjenden të rritur në 70- 80% të pacientëve me Artrit Rheumatoid dhe sindromën Sjogren.
Meqenëse ju keni dhimbje të nyjeve dhe rezultatet e analizave i keni të rritura, ju duhet gjithsesi të vizitoheni te mjeku specialist i reumatologjisë.


Përshëndetje doktoreshë. Jam 18 vjeçar, eritrocitet i kam të rritura, HGB 175. Kam qenë në kontroll te hematologu dhe më ka thënë që gjaku është i pastë, por nr. i eritrociteve është pak i rritur. Verës, bëj punë të rënda fizike, kurse dimrit nuk bëj punë fare.
Faleminderit për përgjigje.

PËRGJIGJE:
Vlerat e hemoglobinës te meshkujt sillen nga 130-180 g/l, pra ju e keni në kufijtë e sipërm të vlerave normale, kështu që, duke pasë parasysh moshën tuaj, nuk është shqetësuese pasi shumica e të rinjve meshkuj kanë përafërsisht këto vlera të hemoglobinës. Në këto raste, rritet shumë viskoziteti i gjakut, andaj shumica e mjekëve rekomandojnë përdorimin e Aspirinës protect.
Ju vazhdoni të punoni se nuk është nga puna apo të ndenjurit. Ajo që ju duhet bërë tani është përcjellja e vazhdueshme e pasqyrës së gjakut. Nëse ju keni ndonjë ankesë si dhimbje koke, marrje mendsh, zhurmë në veshë, kruarje të herëpashershme të trupit dhe numri i eritrociteve kalon 6 milion, ndërsa hematokriti 53%, atëherë ju duhet të konsultoheni me mjekun specialist të hematologjisë dhe transfuzionit të gjakut.
Sa për t’ju informuar, rritja e Hemoglobinës dhe elementeve të figuruara të gjakut (eritrociteve, leukociteve dhe trombociteve) njihet si Policitemi apo “njeriu i kuq” dhe haset më shpesh te pacientët me bronkit obstruktiv, te duhanxhinjtë, te ata që jetojnë në lartësi mbidetare dhe te disa tumore të veshkës dhe trurit që prodhojnë eritopoetinë.


Përshëndetje. Kam vajzën 4-vjeç. Si dy vjeçare i ka hequr pelenat, por kur ka bërë 3 vjet e 6 m ka filluar të urinojë natën dhe ditën. Ka pasur raste, ditën, që ajo shtrëngohej dhe nuk shkonte në tualet. Ia bëmë analizat e urinë, gjakut, eko të veshkës. Na thanë që çdo gjë është normale, por ndërkohë ajo vazhdonte me këtë problem. Mjekët na këshilluar që deri në moshën 7 vjeçe, urinimi tek fëmijët është normal. Kur ajo ishte 2 vjeçe, ngrihej 3/4 herë natën në tualet. Tani po bën 4 vjet dhe është edhe më keq. Pas përsëritjes së analizave, ajo doli me E.coli. Mjekja sugjeroi augumentinen. Pasi përfundoi një flakon, ulja e infeksionit nuk ishte e kënaqshme. Mori 3 ditë ceftazidim (totizim), ndërkohë iu ngrit temperatura. Mjekia na tha se e ka nga bajamet, përfundoi përsëri një flakë augumentin që na këshilluan ta siguronim nga jashtë pasi këto të vendit nuk janë të mira. Edhe kur infeksioni kishte arritur 8-10 leukocite, ia ndërpemë mjekimin pasi i jepte efekte anësore (nauze, anoreksi, dhembje barku, rënie në peshë). Pas një muaj, analizat tregonin 20-25 leukocite. Cistografinë pasi dyshohej për reflux urinar, doli negative) me vlera normale).
Ia rifilluam mjekimin me augumentin përsëri që prej 3 javësh dhe infeksioni ka vajtur në 10-15, ndërkohë ka temperaturë të lartë dhe ankohet se nuk përcillet dot, por bajamet nuk i ka të infektuara. Përveç infeksionit, ajo që më shqetëson më shumë është se kur ka temperaturë të lartë, thotë që i dhemb zemra dhe të rrahurat i ka jashtë mase të shpejta, aq shumë sa nuk arrij t’ia numëroj dot. Kjo ka ndodhur 2-3 herët e fundit.
Ju lutem, më ktheni përgjigje.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Escheria coli është një enterobakterie, banor i përhershëm i zorrës së trashë tek njerëzit. Për shkak të afërsisë së zorrës së trashë me uretrën, e sidomos te femrat ku uretra është shumë e shkurtër, Escheria coli është shkaktar i 80-85% të infeksioneve të rrugëve urinare. Shkak tjetër mund të jenë Stafillokoku, Klebsiella, Proteus, Virusët, Funget, etj. Këto infeksone janë akoma më të shpeshta në rastet e anomalive të traktit urinar, gjatë stazës së urinës, në rastet kur kemi rënie të imunitetit dhe atëherë kur gabimisht bëhet pastrimi i uretrës (kur gjatë pastrimit nga anusi bakteret sillen në drejtim të uretrës). Infeksionet e traktit urinar manifestohen me urinim të shpeshtë, djegie gjatë urinimit, dhimbje në regjionin mbi pubik, e te fëmijët shenja të shpeshta janë edhe nauzeja, të vjellat dhe rritja e temperaturës.
Pra, ju duhet vazhdimisht ta përcillni dhe ta pyesni vajzën për këto shenja klinike dhe nëse dyshoni për mundësinë e infeksionit, atëherë ia bëni analizën e urinës, analizë kjo që kryhet për një kohë shumë të shkurtër, por që na vërteton nëse kemi apo jo infeksion. Në rastet e pranisë së infeksionit, do të ju udhëzoja që mos të filloni mjekimin pa bërë paraprakisht urinokulturën (izolimin e bakteres) dhe antibiogramën (ndjeshmërinë ndaj antibiotikëve), pasi që shpesh herë ndodhë që Escheria Coli apo edhe të tjerat baktere krijojnë rezistencë ndaj shumicës së antibiotikëve. Gjatë dhe pas trajtimit të infeksioneve urinare preferohet të përdoren lëngje me shumicë në mënyrë që të krijohet një diurezë e bollshme me anë të së cilës nxirren bakteret jashtë apo edhe pas mjekimit rritja e diurezës (urinimit) zvogëlon mundësinë e përsëritjes së infeksionit. Gjithashtu gjatë trajtimit ndihmon edhe përdorimi i Boronicës së kuqe në formë të lëngut apo çajit.
Sa i përket të rrahurave të shpeshta të zemrës kur fëmija është me ethe dhe temperaturë janë normale, ndërsa dhimbja mund të jetë nga muskujt, por sidoqoftë është më mirë të konsultoheni me mjekun pediatër kardiolog.


Jam shumë e shqetësuar, sepse djalit tim I ka dalë sedimenti 43mm dhe ka 3 ditë që temperatura i rri 37.5-38 gradë. Gjithashtu leukocitet 11500.
Çfarë infeksioni mund të ketë?
Të lutem, më kthe një përgjigje se jam shumë me merak?

PËRGJIGJE:
Se ç’farë infeksioni dhe ku mund ta ketë atë infeksion fëmija juaj, këtë e përcakton mjeku pediatër gjatë kontrollimit të fëmijës. Në bazë të asaj që ju thoni dhe rezultateve të analizave mund të jetë ndonjë infeksion por për të hequr dyshimin (pasi që rritja e nr.të leukociteve dhe sedimentit mund të jetë edhe me natyrë jo infektive) duhet bërë edhe proteina C reaktive e cila do të qartësonte nëse kemi të bëjmë me ndonjë infeksion dhe natyrën e infeksionit viral apo bakterial.


Përshëndetje. Vlerat e yndyrës nw gjak i kam tw rritura: kolesteroli 8.0, trigliceridet 1.9.
Ju lutem, çka mund të më ndihmoni?
Pres përgjigje.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Ju keni hiprekolesterolemi që mund te jetë pasojë e jetës sedentare, marrjes së tepërt të ushqimeve të pasura me acide yndyrore të ngopura (saturuara), ac.yndyrore trans dhe kolesterol apo si pasojë e ndonjë sëmundjeje tjetër primare që shoqërohet me rritje të kolesterolit (diabet, hipotireozë, sindrome nefrotike, sëmundje të mëlçisë, etj). Pra fillimisht ju duhet keni shumë kujdes rreth mënyrës së të ushqyerit, të shtoni aktivitetin fizik dhe në bazë të udhëzimit të mjekut tuaj familjar të bëni analiza dhe ekzaminime të tjera shtesë rreth sëmundjeve primare që shoqërohen me rritje të kolesterolit. Në raste se të gjitha këto eliminohen atëherë mund të bëhet fjalë për një hiperkolesterolemi primare (defekte gjenetike të LDL receptorëve, të sintezës apo katabolizmit të apoproteinave). Duhet patjetër të përcaktoni edhe fraksionet e kolesterolit, HDL dhe LDL kolestrolin e më pas të konsultoheni me mjekun specialist kardiolog.


Jam shtatzënë, në javën e 13-të, por nga analizat që bëra për cmv dhe toxoplazmozë, IgG për të dyja infeksionet më dolën pozitive, ndërsa IgM – negative. A do ta rrezikojnë këto bebin tim?
Flm.

PËRGJIGJE:
Antitrupat IgG te Citomegalovirusi dhe Toxoplazma janë antitrupa që fillojnë të shfaqen në qarkullimin e gjakut disa javë pas infeksionit fillestar dhe mbeten të rritur për një kohë shumë të gjatë apo gjatë gjithë jetës ndërsa antitrupat IgM janë antitupa që shfaqen në fazën akute të infeksionit, mbetën të rritur për një kohë (deri ne 6 javë) dhe pastaj gradualisht zhduken.
Sipas rezultateve të analizave tuaja ju keni kaluar infeksion nga CMV dhe Toxoplasma, por shpresoj që këto infeksione t’i keni kaluar para fillimit të shtatzënisë. Ndërsa sa i përket zhvillimit apo oganogjenezes normale të bebit, ju duhet konsultuar me mjekun obstetër-gjinekolog.


Përshëndetje. Ju lutem a mund të më thoni më shumë për analizën "citomegalovirus IgG" dhe çfarë do të thotë kur ajo del pozitive?

PËRGJIGJE:
Analiza Citomegalovirusi IgG janë antitrupa që fillojnë të shfaqen në qarkullimin e gjakut disa javë pas infeksionit fillestar nga Citomegalovirusi dhe te pacientët që janë infektuar nga Citomegalovirusi,këta antitrupa mund të jenë të pranishëm (pozitiv) gjatë gjithë jetës, pra edhe mbasi të ketë kaluar infeksioni. Mirëpo për të vërtetuar praninë e tanishme apo të mëparshme të infeksionit nga CMV, antitupat CMV IgG duhet bërë në të njejtën kohë me ata CMV IgM.


Jam një vajzë 20 vjeçe, kam bërë një analizë gjaku dhe nr i leukociteve më doli më i lartë se norma, rreth 13000, ndërsa sedimenti i gjakut ishte normal.
Çfarë mund të më shkaktojë kjo?
Këtë analizë e bëra para ca kohësh, nuk kisha ndonjë problem, pas pak ditësh kalova një grip, me dhembnin grykët
Së dyti, do të dëshiroja t’ju pyesja se kam dëgjuar që kur sedimenti është normal, atëherë nuk ka ndonjë sëmundje organizmi. Sa e vërtetë është kjo?
Ju lutem, më ktheni përgjigje.

PËRGJIGJE:
Në këtë rast nuk përjashtohet mundësia e fillimit të një infeksioni, por megjithatë rritja e numrit të leukociteve mund të jetë edhe fiziologjike (gjatë ciklit menstrual, mbas ushqyerjes, mbas aktiviteti fizik, pastaj gjatë shtatzanisë etj.), prandaj për të eliminuar mundësinë e një infeksioni duhet bërë patjetër edhe proteina C reaktive, një marker më i besueshëm i infeksionit dhe inflamacionit se sa numri i leukociteve.
Ndërsa sedimentacioni i eritrociteve është një marker i inflamacionit jo specifik që është përdorë shumë gjatë shekullit të kaluar. Tani ekzistojnë një numër i madh i markerëve të inflamacionit që janë shumë më specifik e dhe më të besueshem se sa Sedimentacionii eritrociteve. Gjithashtu jo të gjitha sëmundjet dhe patologjitë në organizmin e njeriut shoqërohen me rritje të sedimentacionit.


Doktoreshë e nderuar. Kam një pyetje. A tregon ndonjë analizë laboratorike prezencën e binjakëve në shtatzëninë e hershme?
Flm për përgjigjen.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nuk ka analizë laboratorike deri më tani që do të tregonte prezencën e binjakëve në shtatzëninë e hershme apo edhe më të vonshme. Te nënat me shtatzëni binjake apo të shumëfishta janë vërejtur nivele më të larta të hCG (gonadotropinës korionike humane) dhe AFP (alfa fetoproteinës). Sidoqoftë nuk guxojnë të merren si konfirmuese pasi niveli i hCG varion nga shtatzënia në shtatzëni dhe po ashtu vlera më të larta të hCG kemi edhe te shtatzënitë molare dhe korionkarcinoma, ndërsa të AFP te defektet e tubit neural dhe ezofagut.
Kështu që këto parametra duhet të merren parasysh vetëm atëhere kur përputhen me të dhënat ultrasonografike për shatzëni binjake apo të shumëfishta. Për më tepër mund të ju ndihmojë mjeku obstetër-gjinekolog.


Përshëndetje doktoreshë. Prindi im ka një sasi të madhe të yndyrave në gjak. Nga rezultatet e bëra, sasia e yndyrave në gjak është 14, por gjithashtu ka gjak të dobët.
Çfarë është trajtimi, çfarë barnash duhet përdorë dhe a ka rrezik?
Pres përgjigjen. Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Fillimisht duhet të dimë se cili lloj i yndyrave është e rritur, kolesteroli total apo trigliceridet dhe njësitë matëse. Nëse njësitë e matëse janë mmol/l, cila do qoftë kolesteroli total apo trigliceridet, atëherë është një vlerë shumë e rritur që e rritë rrezikun për sëmundje kardio-vaskulare dhe pankreatit.
Prindi juaj duhet gjithsesi t’i nënshtrohet një regjimi dietal (pa kolesterol dhe acide yndyrore të ngopura) dhe të shtojë aktivitetin fizik (vrapim apo edhe ecje për një kohë e më të gjatë apo ndonjë aktivitet tjetër fizik) dhe sipas nevoje të marrë mjekimin e rekomanduar dhe të dozuar nga mjeku familjar apo kardiologu i tij.
Ndërsa sa i përket gjakut të dobët, më vjen keq po nuk kuptoj nëse bëhet fjalë për një anemi të mundshme, hipotension arterial apo diçka tjetër, pra duhet të jeni ma konkrete rreth kuptimit të gjakut të dobët.


Përshëndetje doktoreshë, jam një pacient nga Gjilani, kam kryer ca analiza biokimike, por kam një shqetësim për shkak të këtyre vlerave: ALT 70, AST 56.
Mund të jem prekur nga hepatiti B edhe a është e nevojshme analiza imunologjike HBsAG?

PËRGJIGJE:
ALT dhe AST janë enzime të lokalizuara kryesisht në qelizat e mëlçisë (hepatocite) dhe më pak qelizat e indeve dhe organeve tjera: muskuj (duke përfshirë këtu edhe miokardin), veshkë, pankreas, shpretkë dhe tru. Kështu që në rastet e rritjes së transaminazave fillimisht duhet eliminuar sëmundjet e mëlçisë, që mund të shoqërohen me rritje të transaminazave.
Përveç virusit të hepatit B, që ju pyesni, ekzistojnë edhe shkaktarë të tjerë të shumtë që dëmtojnë qelizat e mëlçisë dhe shoqërohen me rritje të transaminazave, duke përfshirë: hepatitin viral A dhe C, pastaj hepatitin toksik, mononukleozn infekive, përdorimi i alkoolit po ashtu shoqërohet me rritje të transaminazave, cirroza, karcinoma e mëlçisë dhe shpesh herë edhe kolestaza.
Rritja e transaminazave, mund të jetë edhe si pasojë përdorimit të barnave, qofshin antibiotike, analgjetike, antilipemike, etj.
Ju rekomandoj që fillimisht të kontrolloheni te një specialist të mëlçisë gastro-hepatolog, i cili pas një anamneze dhe ekzaminimi të kujdesshëm ju tregon nëse është apo jo e nevojshme të bëhen analiza tjera shtesë.


Përshëndetje. Jam një nuse nga Gjilani, kam bërë Papa testin dhe ureoplasma urealiticum më ka dalë pozitiv 10.5. A është problem dhe ku duhet të orientohem. Më tregoni se kam frikë.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Rreth pranisë së infeksionit nga ureoplasma urealiticum nuk ka arsye të frikësoheni. Ju duhet të drejtoheni sa më parë te specialisti i gjinekologjisë dhe së bashku me bashkëshortin tuaj (pra që të dy) të filloni mjekimin e rekomanduar nga ai, në mënyrë që të parandalohen sa më herët pasojat e infeksionit. Mjekimin duhet marrë për dy javë, dhe pastaj prapë të ritestoheni pasi që shpesh herë është e nevojshme që tek pacientët që rezultojnë pozitiv mjekimi të jepet për një kohë më të gjatë.


Përshëndetje doktoreshë. Të falënderoj për këshillat e tua shumë profesionale. Dëshiroj të di se çfarë tregon Ureaplazma dhe përse bëhet ajo?

PËRGJIGJE:
Ureaplazma është një bakterie që është e pranishme në shumicën e pacientëve seksualisht aktiv. Transmetohet me anë të kontaktit seksual, kontaktit me pështymen dhe gjakun e infektuar. Në shumicën e rasteve, pacientët e infektuar me bakterien ureaplazma nuk kanë ndonjë simptomë, ndërsa në rastat tjera mund të ankohen për dhimbje abdominale, dhimbje gjatë urinimit, uretrit dhe shpesh herë edhe gjakderdhje nga uretra. Në këto raste duhet gjithsesi të testohen për pranine e infeksionit pasi që rastet e patrajtuara mund të përfundojnë me infertiliet, lindje premature apo të frytit te vdekur, inflamacion të testiseve, meningjit dhe pneumoni. Gjithashtu mund të përhapet edhe në pjesë të tjera të trupit duke shkaktuar dëmtime të artikulacioneve, nervave dhe muskujve. Preferohet që personat seksulalisht aktiv edhe nëse nuk paraqesin ndonjë shqetësim, së paku njëhere në vit të testohen për ureaplazma urealiticum dhe sidomos ata që ndërrojne partneret seksuale.


Doktoreshë e nderuar. Unë i kam bërë analizat e gjakut dhe të urines, rezultati ka dalë mirë, megjithëse kisha mungesë të leukociteve. Ju pyes nëse kam ndonjë infeksion, sepse po më shfaqen puçrra në lëkurë dhe kam rënie të flokëve, skuqje të kokës me puçrra të imta.
Ku duhet të drejtohem dhe cili është shkaktari?
Pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Më vjen keq, por ju duhet të drejtoheni te specialisti i dermatologjisë. Besoj që pas një ekzaminimi të kujdesshëm, mjeku do të gjej shkaktarin dhe terapinë adekuate.


Jam 31 vjeçar dhe vazhdimisht leukocitet i kam të rritura nga 12.000–16.000. Një kohë kam përdorë antibiotikë, uleshin pak e pas terapisë, por sërish rriteshin. Unë jam mirë, nuk kam temperaturë. Nuk e di pse eritrocitet rrinë vazhdimisht në vlera të larta.
Çka më propozoni ju dhe si duhet vepruar?

PËRGJIGJE:
Fillimisht ju kisha rekomanduar të mos merrni antibiotik pa përshkrimin e mjekut pasi që jo gjithmonë rritja e numrit të leukociteve është me origjine bakteriale. Së pari ju duhet të kontrolloheni te mjeku juaj familjar rreth mundësisë së ndonjë infeksioni bakterial, viral apo parazitar dhe nëse mundësia e infeksionit eliminohet atëherë ju kisha rekomanduar të bëni një strisho të gjakut periferik dhe të merrni mendimi i mjeku specialist Hematolog.
Shkaktarët e rritjes së numrit të leukociteve janë të shumtë dhe përveç atyre me origjinë infektive, shkak tjetër i rritjes së numrit mund të jetë edhe ndonjë sëmundje inflamatore (artrit reumatik, poliartrit, alergji etj.), ndonjë formë e leukozës kronike, qoftë e linjës limfoide apo mieloide, nekrozë e indeve, intoksikacionet me Benzol, rrezatim, mjekimi me Kortikosteroide, Lithium etj. Gjithashtu është vërejtur rritje e numrit të leukociteve te pacientët që pinë duhan dhe tek ata me aktivitet të shuar fizik. Për të gjitha këto ju duhet konsultuar me mjekun tuaj familjar dhe specialistin e hematologjisë.


Përshëndetje. Unë jam 51 vjeçar, kam pësuar një infarkt në zemër para 2 viteve. Kam bërë një intervenim në Turqi. I kam të vendosur 2 stende dhe aty gjatë analizave rutine në spital, vetëm një analizë më ka dalë e rritur: homocisteina. Më intereson të di se çfarë analize është kjo dhe a është rrezik pasi që unë kam probleme me zemër dhe me çka mundet me u ulë?

PËRGJIGJE:
Homocysteina është aminoacid që formohet në organizëm gjatë sintezës së Cysteinës nga Methionina (produkt intermediar i Methioninës).
Rritja e Homocysteinës në qarkullim shkakton dëmtim të mureve të enëve të gjakut dhe rritë mundësin e formimit të trombeve të cilat pastaj qarkullojn në enë të gjakut dhe mund të jenë shkak i një embolie pulmonare, sulmi në tru dhe infarktit të miokardit.
Homocysteina e rritur në qarkullimin e gjakut mund të jetë me predispozite gjenetike, nga mungesa apo marrja e pakët e kompleksit të vitaminave B (vit B6, B12 dhe acidit folik), sëmundjeve të veshkave që shoqërohen me reduktim të fluksit renal, pirjes së duhanit dhe përdorimit të një numri medikamentesh.
Ndërsa sa i përket uljes së Homocysteinës marrja e acidit folik dhe vitamines B12 ulë vlerat e Homocysteinës në qarkullim, por përkundër kësaj rrit mundësinë e formimit të pllakave arteriosklerotike në mure të enëve të gjakut, prandaj duhet marrë vetëm atëherë kur shihet e nevojshme nga mjeku juaj kardiolog.


Përshëndetje doktoreshë. Desha të di për virusin ELISA IgM dhe IgG se si shfaqet, simptomat edhe si eliminohen kokretisht nëse ELISA IgM-Negative dhe ELISA IgG-Pozitive?

PËRGJIGJE:
ELISA (Enzyme -Linked Immunosorbent Assay) nuk është virus, por metodë imunokimike që përdoret për përcaktimit e titrit të antitrupave përkatës ndaj virusëve të ndryshëm, bakterieve, parazitëve, etj.
Nuk mund të flas për simptoma derisa nuk e kam të qartë se për çfarë lloj virusi bëhet fjalë, ndërsa sa i përket antitrupave, antitripat IgM janë antitrupa që shfaqen në fazën akute të infeksionit, mbeten të rritur për një kohë dhe pastaj gradualisht zhduken, ndërsa ata IgG janë antitrupa që shfaqen më pas dhe mund të jenë të pranishëm për një kohë të gjatë apo edhe gjatë gjithë jetës. Gjithashtu antitrupat IgG janë antitrupa që fitohen edhe me imunizim (vaksinim) që do të thotë se kemi fituar imunitet ndaj antigjenit përkatës.


Përshëndetje. Më intereson të di se për cilat sëmundje nevojitet të bëhet Klirensi i kreatininës?Për këtë unë jam referuar të vizitohem tek nefrologu. Ju lutem a mund të më sqaroni se për çfarë lloj sëmundje të veshkave dyshohet në rast se klirensi i kreatenines është i rritur.
Gjithë të mirat.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Kreatinina është një produkt azotik që eliminohet me anë të veshkëve andaj matja e klirensit të kreatininës përdoret për të përcaktuar funksionin e veshkëve gjegjësisht aftësinë e veshkave për ta eliminuar kreatininën (vëllimin plazmatik (ml) që pastrohet nga kreatinina mbrenda një minute (ml/min).
Kështu klirensi i kreatininës nevojitet të bëhet atëherë kur dyshohet për ulje të funksionit të veshkëve, edhe në rastet kur kreatinina në gjak mund të jenë në vlera normale. Pra, është një parametër i funksionit të veshkëve më i besueshëm se sa matja e kreatininës pasi që deri te rritja e kreatininës në gjak vie vetëm atëherë kur humbet mbi 50% të funksionit të veshkëve.
Prandaj, nuk keni arsye të shqetësoheni pasi që klirensi i kreatininës vetëm kur është i ulur ka rëndësi diagnostike. Klirensi i kreatininës i rritur nuk ka ndonjë rëndësi të madhe diagnostike, haset në rastet kur kemi rritje të fluksit të gjakut në veshka (te ushtrimet e zgjatura fizike dhe shtatzania), te pacientët me hipotireozë, por mund të jetë pasojë edhe e dëmtimit të muskujve, marrjes së ushqimit të pasur me proteina, mbledhjes jo korrekte të urinës 24 h dhe përdorimit të diuretikëve.


Doktoresha Shpresa, mua sedimenti i gjakut më ka dalë i rritur. Më konkretisht, çka është sedimenti dhe a është diçka e rrezikshme.
Flora, Vushtrri.

PËRGJIGJE:
Sedimenacioni i eritrociteve është një test jo specific, që ka gjetur një përdorim të gjerë në shekullin e kaluar në zbulimin dhe monitorimin e sëmundjeve inflamatore akute dhe kronike, proceseve neoplazike dhe sëmundjeve autoimune.
Së pari, duhet ditur se sa është i rritur sedimentacioni dhe mosha juaj pasi që
sedimentimi i eritrociteve rritet edhe me moshën. Pastaj, ju duhet konsultuar me mjekun biokimist të laboratorit tuaj rreth aplikimit korrekt të metodës në laborator pasi që shpesh here ndodhe që rritja e sedimentacioni të jetë pasoj e mos aplikimit të saktë dhe korrekt të metodës në laborator (përzierja jo proporcionale e gjakut me antiguagulant, mos përzierja mirë e gjaku, temperatura jo adekuate, mos leximi me kohë etj).
Dhe se fundi, nëse këto eliminohen, atëherë, sipas udhëzimit të mjekut tuaj familjar dhe atij biokimist, është e nevojshme të bëhen ekzaminime dhe analiza të tjera shtesë pasi që është e pamundur të bëhet diagnostikimi vetëm me anë të sedimentacionit.


Përshëndetje doktoreshë. Babai im vazhdimisht ka probleme me urinim dhe ka bërë një analizë të rekomanduar mjeku familjar të quajtur PSA, e cila i ka dalë pozitive. A mund të jetë diçka serioze dhe çka duhet bërë më tutje mbasi ende ka probleme. Blerimi nga Kamenica.

PËRGJIGJE:
Nga ajo që thoni kuptohet se prindi juaj ka bërë një screening test të PSA (antigjenit specifik të prostatës), cili vetëm e detekton praninë e PSA dhe është e pamjaftueshme për të diagnostikuar problemet e prostatës. Nga ana laboratorike duhet bërë gjithsesi analiza kuantitavive (përcaktuar me vlerë) e total-PSA dhe free-PSA dhe duhet përcaktuar raportin free-PSA / t-PSA. Në bazë të këtij raporti, pastaj orientohemi nëse kemi të bëjmë me inflamacion të prostatës, BHP (hipertrofi beninje të prostatës) apo karcinome të mundshme të prostatës. Duke qenë se ai vazhdon të ketë probleme do t’ju këshilloja që të vizitohet te mjeku specialist urolog, i cili pastaj e udhëzon se çfarë lloj ekzaminimi duhet bërë me tutje.


Përshëndetje. Unë para një muaji më është dashur të abortoj, për shkak se nuk është zhvilluar mirë fëmija. Doktori më ka preferuar të bëj një analizë torch, e cila ishte shumë e shtrenjtë. Çfarë analize është kjo dhe a duhet ta bëj patjetër.
Besa, Ferizaj.

PËRGJIGJE:
TORCH, është analizë serologjike e cila detekton praninë apo mungesën e antitrupave IgG dhe IgM ndaj parazitit Toksoplazma gondii, virusit të Rubeoles, Citomegalovirusit dhe virusit Herpes Simlex (1dhe 2) në gjakun e pacientit. Te gratë shtatzëna është shumë me rëndësi zbulimi me kohë i infeksionit, pasi që është një nga shkaktarët më të shpeshtë të defekteve të lindura të fëmijëve në dëgjim, në të pamur, defekteve neurologjike, të zemrës etj. Besoj se kjo është e mjaftueshme për të kuptuar rëndësinë e bërjes së analizës. Fatmirësisht, krahasuar me vendet e rajoni dhe ato perëndimore, në Kosovë, çmimet e laboratorit janë shumë më të ulëta. Për informatën tuaj TORCH punohet edhe në Institutin e Shëndetit Publik në Prishtinë ku nuk besoj se çmimi është shumë i lartë.


Përshëndetje doktoreshë. A ka ndonjë test laboratorik specifik për caktimin e diagnozës së artritit reumatoid në mënyrë që të ndihmojë diagnozën dhe mjekimin e kësaj sëmundjeje?
Flm.

PËRGJIGJE:
Sipas ACR (kolegjit amerikan të reumatologëve), diagnostifikimi i artritit reumatiod bazohet në disa kritere, të cilat përfshijnë të dhënat e anamnezës, ekzaminimit objektiv-fizik, analizave laboratorike dhe ndryshimeve radiografike.
Diagnostikimin e artritit reumatoid e ndihmojnë një numër testesh laboratorike, ku më specifike janë faktori reumatoid dhe antitrupat anti-CCP (anti-cyclic citrullinated peptide). Antitrupat anti-CCP janë më specifike dhe ndihmojnë diagnostikimin në faza më të hershme por megjithatë një pozitivitet i këtyre testeve nuk garanton diagnozën e artritit reumatoid. Faktorin reumatoid dhe anti-CCP pozitive mund të japin edhe artriti psoriatik, lupusi eritematoz sistemik, sindroma Sjogren, infeksionet virale etj. Gjithashtu mosprania e këtyre antitrupave në serum nuk përjashton mundësinë e artritit reumatoid.
Kështu, testet laboratorike vetëm ndihmojnë në diagnostikimin e artritit rheumatoid. Prandaj, asnjëherë nuk duhet vënë diagnoza e artritit reumatoid bazuar vetëm në këto teste.


Përshëndetje. Jam teknik laborant. Kam një pyetje për doktoreshën. Çka ndodh nëse janë të rritura bilirubina totale dhe direkte.
Shpresoj se do të më përgjigjeni.

PËRGJIGJE:
Rritja e bilirubinave vie si pasojë e prishjes së ekuilibrit midis prodhimit të bilirubinës në organizëm dhe aftësisë së organizmit për ta eliminuar atë. Shkaqet janë të shumta, dhe ato mund të jenë: prehepatike – ku më e shpeshtë është një hiperhemolizë e eritrociteve, hepatike – që mund të jetë ndonjë defekt në metabolizmin e bilirubinës dhe post’hepatike – pasojë e bllokimit të fshikëzës së tëmthit (kolestazës), ku bilirubina e konjuguar-direkte në pamundësi të derdhjes së saj kthehet nga mëlqia në qarkullim. Kështu, varësisht nga shkaku i rritjes së bilirubinës ndyshon edhe rritja e fraksionit direkt apo indirekt. Hierbilirubinemia direkte në përgjithsi shkaktohet nga sëmundjet hepatoqelizore dhe kolestaza intra- apo ekstrahepatike.

Tani, ç’fare ndodh nëse janë të rritura bilirubinat?
Te pacientët me hiperbilirubinemi vërehet një lodhje, ulje e oreksit, ulje e përqendrimit të vëmendjes apo koncentrimit, zverdhje e sklerave dhe lëkurës, kruarje e lëkurës, urinim me ngjyrë të errët dhe ndryshim i ngjyrës së fecesit. Te papajtueshmëritë nënë – fetus të tipit Rhesus rritja enorme e bilirubinës totale dhe pamundësia e konjugimit të saj ( pra rritja e fraksionit indirekt të bilirubinës) në mungesë trajtimi te i posalinduri mund të shkaktojë dëmtime neurologjike të pakthyeshme si ulje të dëgjimit dhe kernikterus.


Doktoreshë e nderuar. Kam një pyetje. A tregon ndonjë analizë laboratorike prezencën e binjakëve në shtatzëninë e hershme?
Flm për përgjigjen. Ardiana.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Ardiana. Nuk ka analizë laboratorike deri më tani që do të tregonte prezencën e binjakëve në shtatzëninë e hershme apo edhe më të vonshme. Te nënat me shtatzëni binjake apo të shumëfishta janë vërejtur nivele më të larta të hCG (gonadotropinës korionike humane) dhe AFP (alfa fetoproteinës). Sidoqoftë nuk guxojnë të merren si konfirmuese pasi niveli i hCG varion nga shtatzënia në shtatzëni dhe po ashtu vlera më të larta të hCG kemi edhe te shtatzënitë molare dhe korionkarcinoma, ndërsa të AFP te defektet e tubit neural dhe ezofagut.
Kështu që këto parametra duhet të merren parasysh vetëm atëhere kur përputhen me të dhënat ultrasonografike për shatzëni binjake apo të shumëfishta. Për më tepër mund të ju ndihmojë mjeku obstetër-gjinekolog.


Përshëndetje, ju shkruaj nga Tuzi. Më intereson të di se cilat vlera të gjakut tregojnë prezencën e gurëve në veshka?
Faleminderit për kontributin tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje, është e pamundur të bëhet diagnostikimi i pranisë së gurëve në veshkë apo në rrugë urinare vetëm përmes analizave laboratorike të gjakut. Duhen bërë një numër ekzaminimesh deri sa të diagnostikohet prania e gurëve në traktin urinar. Nga ana laboratorike për praninë e gurëvë në veshka apo rrugë urinare duhet dyshuar atëherë kur kemi hematuri (prani të gjakut në urinë) dhe infeksione të shpeshta urinare. Në këto raste gjithsesi duhet parë dhe përcjellur edhe funksioni i veshkave. Ndërkaq sa i përket përbërjes kimike të gurëve mund te orientohemi përmes matjes së shpeshtë të pH-së së urinës, matjes së kalciumit, fosforit, magnezit, uresë dhe acidit urik në gjak dhe urinë, si dhe përmes diferencimit të kujdesshëm të llojit të kristaleve në sedimentin e urinës.


Ç’farë tregon analiza e urinës?

PËRGJIGJE:
Ekzaminimi rutinë laboratorik i urinës kryhet në disa etapa:
– Ekzaminimi makroskopik, ku shihet pamja, ngjyra dhe era e urinës
– Ekzaminimi kimik, ku bëhet përcaktimi i pH-së, peshës specifike, pranisë së proteinave në urinë, glukozës, trupave ketonik, nitriteve, esterazes leukocitare, bilirubinës dhe urobilinogjenit.
-Ekzaminimi mikroskopik, ku në sedimentin e formuar në mikroskop bëhet numërimi i elementeve qelizore (eritociteve, leukociteve dhe qelizave epiteliale), praniëe së baktereve, kristaleve dhe cilindrave të ndryshëm, myshqeve, dhe jargëve.
Të gjitha këto mjekut i japin një pasqyrë të gjendjes dhe funksionit të veshkave dhe rrugëve urinare. Për më shumë, me ndihmën e ca ekzaminimeve shtesë analizat e urinës pasqyrojnë gjendjen e pothuajse të gjithë organizmit.


Doktoreshë, si duhet bërë një analizë urine dhe a duhet pastruar para se ta japim urinën?

PËRGJIGJE:
Për ekzaminimin e urinës preferohet të merret urina e përqendruar e freskët e mëngjesit, por mundet edhe ajo e marrë në kohë të ndryshme. Është mirë që te të rriturit pjesa e parë e urinës të derdhet, në mënyrë që të shpërlahet retra, pra të merret pjesa e mesme e urinës. Marrja duhet bërë në gotë sterile, ndërsa sasia duhet të jetë jo më pak se 10-15 ml. Te gratë urina nuk duhet marrë gjatë ciklit apo menjëherë pas, por duhet pritur të paktën 2-3 ditë pas ciklit. Nëse urina merret në shtëpi, atëherë ajo duhet dërguar në laborator brenda një ore, jo më vonë. Nuk është e domosdoshme të pastrohemi para se ta japim urinën. Sidoqoftë, në rast se pastroheni para se të jepni urinën, atëherë urina duhet marrë pas tharjes në mënyrë që të mos vie deri te hollimi i urinës me ujë.


Pas sa kohe pasi merret urina duhet kryer analiza?

PËRGJIGJE:
Për një analizë rutine të urinës duhet që i gjithë ekzaminimi i urinës të kryhet brenda 2 orëve pas urinimit, pasi që në temperaturën e dhomës vie deri te zhvillimi dhe shumimi i baktereve dhe nëse urina ekzaminohet më vonë do kemi një rezultat fals pozitiv. Ndërkaq, në rastet kur kërkohet ekzaminimi i urinës së grumbulluar gjatë 24 orëve, varësisht nga lloji i analizës që kërkohet të përcaktohet, shpesh është e nevojshme të bëhet konservimi i urinës, të mbahet në temperaturë adekuate ose të mbrohet urina nga veprimi i dritës me qëllim që të pengohet zbërthimi i përbërësve të urinës. Për këtë arsye është e domosdoshme që paraprakisht të konsultohet mjeku Biokimist rreth mënyrës së grumbullimit të urinës.


Kur dyshohet se pacienti ka anemi dhe cilat analiza duhet bërë?

PËRGJIGJE:
Sa herë që një pacient ankohet për lodhje, dobësi trupore, dhembje koke, rrahje të shpeshta të zemrës, vështirësi në frymëmarrje, atëherë duhet dyshuar për një anemi të mundshme. Rëndësi të veçantë ka edhe një anamnezë e hollësishme rreth mënyrës së ushqyerjes, ndonjë gjakderdhje të mundshme, sëmundje inflamatore apo insuficiencë renale, meqë këto janë shkaktarët më të shpeshtë të anemive. Duhet bërë poashtu një ekzaminim fizik i kujdesshëm pasi që të pacientët anemik shpesh vërehet një sheshim i papillave të gjuhës, qarje e këndeve të buzëve, subikter në sklera, fytyra ngjyrë dylli, ndryshime të thonjëve duke u bërë më të hollë, më të sheshtë dhe më të thyeshëm, pastaj një rënie e flokëve dhe një deskuamim i lehtë i lëkurës.
Ndërsa, sa i përket analizave laboratorike, fillimisht duhet bërë një hemogram (pasqyrë gjaku) dhe në të gjitha raste kur është ulur sasia e hemoglobinës, përqendrimi i hematokritit dhe nr i eritrociteve nën normën e moshës së pacientit kemi të bëjmë me anemi. Sa i përket diferencimit të anemive dhe analizave shtesë që duhet bërë, atëherë në orientim ndihmojnë konstantet eritrocitare MCV, MCH, MCHC dhe një strisho periferike të cilat e ndihmojnë mjekun të konstatojë nëse është fjala për një anemi hipokrome mikrocitare, normokrome makrocitare apo normokrome normocitare dhe analizave përkatëse që duhet kërkuar. Kështu, varësisht nga lloji i anemisë, mjeku vlerëson se çfarë duhet kërkuar më tutje. Pra, nëse kemi të bëjmë me një anemi nga mungesë e hekurit, mungesë e vit.B12 dhe acidit folik, një anemi hemolitike apo pasojë e ndonjë sëmundjeje inflamatore, etj.

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Ngritja e bilirubinës në gjak: Çfarë do të thotë dhe si ndihmohet?

Ngritja e bilirubinës në gjak: Çfarë do të thotë dhe si ndihmohet?

Shëndetësi
Kalo në kategori