LAJMI I FUNDIT:

Drançolli: Kisha në kampusin e UP, të shndërrohet në “Muze të Holokaustit”

Drançolli: Kisha në kampusin e UP,  të shndërrohet në “Muze të Holokaustit”

Historiani i artit, Dr.Fejaz Drançolli, i cili ka punuar gjatë në mbrojtje të trashëgimisë historike-kulturore të Kosovës, duke folur për kishën e ndërtuar në kampusin e Universitetit të Prishtinës, thotë se është e udhës që ky ndërtim i dhunshëm fetar të shndërrohet në “Muze të Holokaustit”, që do të na i përkujton të bërat e regjimit të apartheidit millosheviqian dhe të bashkëpunëtorëve të tij e që disa prej tyre ende janë aktivë në politikën e sotme serbe.

“Supozojmë se ndërtimi i kësaj kishe është realizuar edhe me ndihmën materiale të disa biznesmenëve kosovarë, të cilët siç duket kanë qenë të detyruar me dhunë nga krimineli serb Zhelko Razhnjatoviq – Arkan. Natyrisht, të tillët, në rrethana të okupimit dhe të politikës millosheviqiane ishin të detyruar të ndihmojnë ndërtimin e kompleksit, se përndryshe…”, thotë Drançolli, transmeton Telegrafi.

Lexojeni të plotë tesktin e Dr.Drançollit:

Kisha “Svetog Spasa” apo e Shën Shpëtimtarit

Në Korpusin Universitar të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në dekadën e dhjetë të shekullit të kaluar gjatë okupimit serb filloi të ndërtohet kompleksi i Manastirit të kishës së Shën Shpëtimtarit. Ky është një kompleks fetar me karakter politik. Kisha të tilla u ndërtuan gjatë Mbretërisë SKS, periudhës së Rankoviqit dhe së fundi edhe të Millosheviqit.

Trashëgimia historiko-kulturore ne territorin e Kosovës së sotme është trajtuar dhe studiuar nga autorët shqiptarë dhe të huaj në veçanti. Në lidhje me këtë çështje kemi “studime” ku mohohet ekzistimi i kulturës materiale shqiptare në këtë pjesë të territorit etnik shqiptar në disa periudha historike. Kur flitet për rëndësitë dhe vlerat historiko-kulturore, gjatë periudhës të sundimit romak, bizantin, nemanjid dhe osman, nuk tregohen bartësit e kulturave materiale. Ato, në shumë raste, përvetësohen dhe tregohen si joshqiptare. Natyrisht, këtu qëllimi është i qartë: mohimi i ekzistimit dhe i vazhdimësisë së etnisë ilire-arbërore-shqiptare, i historisë dhe i trashëgimisë etnokulturore mijëra vjeçe shqiptare. Mjerisht, edhe sot, vërehen tendenca të tilla mohuese.

Trashëgimia nën okupimin serb

Gjatë okupimit dhe riokupimit të Kosovës, nga ana e Serbisë (1912 deri më 12 qershor 1999), kultura materiale shqiptare mijëvjeçare fetare e laike, jo vetëm që mohohet e përvetësohet, por edhe digjet e rrënohet, kurse popullata shqiptare keqtrajtohet: poshtërohet, burgoset, vritet dëbohet e shpërngulet nga vatrat shekullore të tyre. Shumë kisha a kishëza u adaptuan për nevoja liturgjike ortodokse serbe të kohës apo u ndërtuan mbi themele të rrënojave dhe objekteve fetare para krishterimit të sllavëve. Për këtë nuk kemi dokumentacion të gjendjes ekzistuese të shtresave me të vjetra kulturore. Shpesh kultura materiale, trashëgimia fetare bëhet objekt i instrumentalizimit për nevojat dhe qëllimet e caktuara të politikës antishqiptare e ekspansioniste dhe të shovinizmit serb me qëllim të krijimit të një Serbie garashaniane apo “Serbie të Madhe” duke gllabëruar dhe zgjeruar në tokat shqiptare. Propaganda serbe millosheviqiane, një kohë, trumbetonte për ekzistimin e 1300 kishave ortodokse serbe në territorin e Kosovës! Duhet cekur se, në Kosovë, kemi rreth 1414 vendbanime: fshatra e qytete. Sipas kësaj del se gati në çdo fshat e qytet ekzistuaka nga një kishë serbe!!! Realiteti është krejt tjetër. Sipas dokumentacionit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, në territorin e Kosovës ekzistojnë 130 objekte të karakterit ortodoks, si kisha, manastire, rrënoja të kishave, objekte eremite dhe varreza.

Kishat serbe

Gjatë Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (1918/1941), në pjesët e ndryshme të Kosovës, u ndërtuan disa kisha e përmendore të dedikuar viktimave serbe të frontit të Selanikut, edhe pse nuk ka të dhëna se atyre që iu dedikuan përmendoret ishin nga Kosova. Këto objekte kulti janë kisha të tipit kryq i brendashkruar me kupola. Kishat janë me nga një anijat, e cila mbaron me absidë gjysmërrethore, në pjesën lindore. Këto ndërtime arkitekturale fetare janë të thjeshta, pa ndonjë element, që do ta veçonin kishën në aspektin artistik. Ndërtimet ishin të një tipologjie dhe u ndërtuan për kolonistët serbë e malazez, që u vendosën në pjesët e ndryshme të Kosovës.

Kisha u ndërtuan edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur territori i Kosovës mbeti nën Serbinë, përkatësisht ish-Jugosllavinë. Ky ndërtim i kishave, me qëllim të serbizimit të Kosovës, vazhdoi edhe gjatë kohës së Aleksandër Rankoviqit e të Sllobodan Millosheviqit. Disa prej tyre, madje, mbetën të papërfunduara. Këto kisha, të tri periudhave të përmendura, u takojnë ndërtimeve të kultit ortodoks serb. Qëllimi dihet: serbizimi i e trevave shqiptare dhe të shndërrimit të kishave në manastire. Pra, janë kisha të reja ortodokse serbe me karakter politik.

Fati i trashëgimisë

Trashëgimia etnokulturore e Kosovës kishte fatin e keq, të dyfishtë: ishte koha në dëm të trashëgimisë etnokulturore shqiptare, e cila përballohej disi dhe ishin shkatërrimet e planifikuara, në kushtet e okupimit serb, posaçërisht gjatë “realizimeve” të planifikimeve hapësinore, të planeve urbanistike të qyteteve të Kosovës e që kishin për qëllim zhbërjen e komplekseve urbane-arkitekturale, pra, ekzemplarëve të veçantë të objekteve të vjetra qytetare të banimit etj., që ishin të valorizuara dhe kishin vlera me rëndësi historike, artistike, arkitekturale, mjedisore, gjurmëve të lokaliteteve arkeologjike, gjurmëve të kulturës shqiptare, e veçmas kjo e fundit që ndodhi pas luftimeve të para në Kosovë në vitet 1998-1999 nga formacionet e policisë, të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë.

Pasioni i rrënimit

Gjatë dekadës së fundit të mileniumit që shkoi, serbët, në mënyrë të organizuar institucionale, i rrënuan përmendoret e rilindasve, patriotëve, humanistëve e shkrimtarëve shqiptarë të vendosura në shkolla, biblioteka, sheshe e vende të tjera publike, si akte jo humane e jo civilizuese, që bien ndesh me normat morale të civilizimit bashkëkohës në kundërshtim edhe me normat ndërkombëtare për ruajtjen dhe kujdesin ndaj trashëgimisë të një populli. Një popull që më egoizëm e mbron trashëgiminë e vet e në anën tjetër e shkatërron trashëgiminë e një populli tjetër apo ndërton kisha pa nevojë vetëm e vetëm për të serbizuar vendbanimet shqiptare, nuk bën pjesë ndër popujt e qytetëruar. Kjo e cekur, pos tjerash ka të bëjë dhe është aktuale për kohën dhe ditët e sotme, konkretisht fjala është për manastirin e kishës “Svetog Spasa” a Shën Shpëtimtarit që i dedikohet Jezu Krishtit.

Manastiri “ Svetog Spasa”

Me qëllime politike, antishqiptare, antiuniversitare, antistudentore, antihumane, antinjerëzore e anti anti të tjera, në Kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” filloi ndërtimi i kishës “Sv. Spasa” apo të Shën Shpëtimtarit, në vitin 1992. Kjo kishë ortodokse serbe, përkatësisht manastir, sepse në kuadër të kishës së dhunshme u ndërtua edhe kompleksi i konaqeve ku parashihet të jetojnë e veprojnë murgjit e murgeshat e manastirit. Sot, këto konaqe përdoren për nevojat e studentëve dhe profesorëve të Akademisë së Arteve të Bukura të Prishtinës. Me këtë, duhet kuptuar se ritualet fetare në kishë janë të përditshme dhe objektet e banimit apo konaqet janë në përdorim dhe funksion të përditshëm. Pos, kësaj, nëse kishës i lejohet funksionimi (e që për mendimit tim një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë) atëherë do të pasojnë dhe do të ndërtohen muret rrethuese, kambana si dhe objekte përcjellëse ekonomike, bujqësore etj., për nevojat e personalitetit kishtar, murgjve e murgeshave të manastirit. Pos konaqeve të përfunduara, kisha trikonëshe e mbuluar me kube qendrore e kompleksit të manastirit nuk është përfunduar, janë kryer vetëm punët e vrazhda konstruktive-arkitektonike. Me këtë duhet kuptuar se ende kemi kohë për dislokimin e manastirit. Për dislokim duhet të sigurohet një lokacion dhe të realizohet me mjete lokale e qeveritare. Po ashtu, dihet se serbët nuk kanë nevojë për një kompleks të përmasave të tilla, në zemër të kampusit dhe në qendër të qytetit të Prishtinës. Është absurde që edhe në këtë kohë, të mbesim në mendësinë okupuese millosheviqiane.

Nëse kisha nuk rrënohet, meqë kemi dhe jepen indikacione që do të ngelë, atëherë është e udhës që ky ndërtim i dhunshëm fetar të shndërrohet në “Muze të Holokaustit”, që do të na i përkujton të bërat e regjimit të apartheidit millosheviqian dhe të bashkëpunëtorëve të tij e që disa prej tyre ende janë aktivë në politikën e sotme serbe. Duhet cekur dhe supozojmë se ndërtimi i kësaj kishe është realizuar edhe me ndihmën materiale të disa biznesmenëve kosovarë, të cilët siç duket kanë qenë të detyruar me dhunë nga krimineli serb Zhelko Razhnjatoviq – Arkan. Natyrisht, të tillët, në rrethana të okupimit dhe të politikës millosheviqiane ishin të detyruar të ndihmojnë ndërtimin e kompleksit, se përndryshe…

Kompleksi i manastirit në fjalë përfshin shtatë hektarë të sipërfaqes së Kampusit të Universitetit. Kompleksi fetar në anën perëndimore kufizohet me rrugën “Agim Ramadani”, në anën lindore me Rektoratin e që i bie deri te shkallarët e pjesës së prapme të objektit. Ndërkaq, në pjesën perëndimore do të kufizohet me Fakultetin e Edukimit dhe Bibliotekën Kombëtare |Universitare, kurse në anën veriore me Fakultetin e Ekonomisë dhe të Drejtësisë. Sipas kësaj, i bie që Kampusi i Universitetit, përveç karakterit publiko-laik do të ketë edhe karakter fetar. Pra, për nga funksioni dhe ndërtimi arkitektonik do të jetë një ”mix” universitet, universitet që do të jetë sui generis për Evropën dhe më gjerë.

Të cekim se me vendim të Kuvendit të Komunës së Prishtinës nr. 011.54/75, të dt. 12 dhjetor të vitit 1975, të shpallur në “Gazetën Zyrtare të KSAK” 54/75, të dt. 30 dhjetor 1975, u aprovua Plani detaj Urbanistik i Qendrës Universitare. Në bazë të këtij plani, pos tjerash nuk lejohet të inkorporohet asnjë ndërtim që nuk i përgjigjet nevojave të kompleksit universitar. Kjo është verifikuar edhe me vendimin e Planit Urbanistik Gjeneral të qytetit të Prishtinës, deri në vitin 2000, “Gazeta Zyrtare KSAK “ 2/88. Por, pa marr parasysh, pos tjerash, vendimet e cekura, në parcelën kadastrale nr. 7090, që i takon Universitetit të Prishtinës, filloi ndërtimi i kompleksit të manastirit të kishës “Sv. Spasa”. Për këtë rast kemi edhe një padi nga Universiteti i Prishtinës në emër të Prof. Dr. Ejup Statovci, Rektorit të Universitetit, nr.1/dt. 5.I.1993. Shpresojmë që vendimet e Kuvendit të Prishtinës të zbatohen në Kampusin e Universitetit. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë – policia njofton se është arrestuar një i dyshuar që po trajtohej në QKUK

Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë – policia njofton se është arrestuar një i dyshuar që po trajtohej në QKUK

Drejtësi
Avokati Kërveshi dhe kompania

Avokati Kërveshi dhe kompania "Kërveshi & Partners" shpallen më të suksesshmit në Kosovë për vitin 2023-2024 nga “The Legal500”

Lajme
Gjenden të shtrirë në rrugë pa shenja jete dy persona në Prishtinë – policia nis hetimet

Gjenden të shtrirë në rrugë pa shenja jete dy persona në Prishtinë – policia nis hetimet

Kronika e Zezë
Bajrami, Kurtit: A po të kujtohet që i premtojshe do fabrika të keçapit nëpër oda – mjaftë me manipulime

Bajrami, Kurtit: A po të kujtohet që i premtojshe do fabrika të keçapit nëpër oda – mjaftë me manipulime

Lajme
Kalo në kategori