LAJMI I FUNDIT:

Duam një bebe, a është e mundur ta zgjedhim gjininë?

Duam një bebe, a është e mundur ta zgjedhim gjininë?

Ekzistojnë disa mënyra që të zgjedhet gjinia e bebes, ose që të rriten gjasat që të lind një bebe e gjinisë së dëshiruar.

Dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Kur martohen një çift, zakonisht pas një viti nga të gjithë të afërmit e tyre pritet që ata të bëhen prindër. Kjo është një ndjenjë e mrekullueshme! Është gëzim i madh jo vetëm për çiftin, por për gjithë familjen pa marrë parasysh se a është fëmija i parë vajzë apo djalë.


Zakonisht, menjëherë pas urimit për beben e porsalindur që të jetë me fat dhe me jetë të gjatë, urimi i radhës që i bëhet bebes së porsalindur, është që shpejt prindërit ta bëjnë më vëlla (nëse është vajzë) ose me motër (nëse bebja e porsalindur është djalë). Por, a është e mundur që të përzgjidhet gjinia e bebes?

Po, është mundur! Disa çifte kanë dëshirë që të kenë mundësi që të vendosin se a duan që fëmija i tyre të jetë vajzë apo djalë, kurse disa çifte preferojnë që gjinia e bebes së tyre të përcaktohet natyrshëm. Edhe mendimet e mjekëve dallojnë. Disa mjekë mendojnë se është mirë që të përzgjidhet gjinia e bebes.

Ekzistojnë disa mënyra që të zgjedhet gjinia e bebes, ose që të rriten gjasat që të lind një bebe e gjinisë së dëshiruar. Metodat të cilat e bëjnë të mundur një gjë të tillë dallojnë nga njëra tjetra. Metodat më të efektshme janë më të kushtueshme dhe bëhen duke dhënë barna për mjekimin e sterilitetit.

In vitro fertilizimi dhe inseminimi artificial janë dy nga metodat me të cilat mund të përzgjidhet gjinia e bebes. In vitro fertilizimi bëhet duke stimuluar vezoret për të prodhuar më shumë qeliza vezë (normalisht vezoret e prodhojnë vetëm një qelizë vezë gjatë një cikli menstrual). Pasi që të stimulohet prodhimi i qelizave vezë, ato nxirren nga vezoret dhe fekondimi bëhet në kushte laboratorike (pra jashtë trupit të gruas). Pas tri deri pesë ditësh këto qeliza vezë të fekonduara (ose embrione) barten në mitrën e gruas.

Se sa embrione do të barten në mitër varet nga mosha e gruas dhe nga protokolli i klinikës ku kryhet kjo procedurë. Përgjithësisht, nuk barten më shumë se dy embrione.

Përpara se këto embrione të barten në mitër është e mundur që të bëhet analiza gjenetike e tyre – kjo procedurë quhet PGD (preimplantation genetic diagnosis). Kur bëhet PGD mund të përcaktohet edhe gjinia e këtyre embrioneve. PGD ka filluar të përdoret me qëllim që të identifikohen embrionet të cilat mund të kenë çrregullime gjenetike, por kjo teknikë ndonjëherë përdoret edhe për arsye jomjekësore, siç është përzgjedhja e gjinisë së bebes. Kjo metodë sa i përket efektivitetit në përcaktimin e gjinisë së bebes është gati 100% efektive.

Pra, nëse ajo grua mbetet shtatzënë, ajo me një siguri gati të qindpërqindtë do të ketë beben e gjinisë së dëshiruar. Problemi është se kjo procedurë është shumë e shtrenjtë dhe se duhet të bëhen disa intervenimi gjatë një cikli të in vitro fertilizimit. Problem tjetër është se shpeshherë ndodhë që një grua të mbetet shtatzënë, por me më shumë se një fëmijë (me binjakë e më rrallë me trinjakë).

Ekziston edhe një metodë tjetër e cila është më e lirë, gjatë së cilës ndahen spermatozoidet të cilat përcaktojnë gjininë e bebes vajzë nga spermatozoidet e gjinisë djalë. Qeliza vezë e ka gjithmonë kromozomin X, kurse spermatozoidet mund të kenë kromozomin X ose Y (pra spermatozoidet janë dy llojesh). Gjinia e bebes varet se cili nga spermatozoidet do të bashkohet me qelizën vezë; nëse bashkohet spermatozoidi X, atëherë gjinia e bebes do të jetë vajzë (XX), kurse nëse bashkohet spermatozoidi Y, atëherë gjinia e bebes do të jetë djalë (XY).

Pikërisht, ky është thelbi i kësaj teknike, pra veçimi i spermatozoideve X të cilat janë më të mëdha se sa spermatozoidet Y. Atëherë spermatozoidet e gjinisë së dëshiruar barten në mitrën e gruas në mënyrë që të bashkohen me qelizën vezë. Kjo metodë është rreth 80% efektive në përzgjedhjen e gjinisë së bebes së ardhshme.

Ka edhe mënyra të tjera përmes së cilave mund të rriten gjasat që të ndodhë një shtatzëni me një bebe të gjinisë së dëshiruar. Spermatozoidet Y janë më të lëvizshme dhe jetojnë më pak se sa spermatozoidet X. Pra, për të pasur një shtatzëni me bebe djalë duhet që marrëdhëniet seksuale të kryhen sa më afër kohës kur ndodhë ovulacioni. Kjo metodë është më pak e kushtueshme, por edhe më pak efektive.

Normalisht, përzgjedhja e gjinisë nuk lejohet me përjashtim të rasteve kur partnerët mund të lindin fëmijë më sëmundje gjenetike të cilat prekin njërën gjini (dhe në këtë rast duhet të përzgjidhet bebe e gjinisë së kundërt për të eliminuar mundësinë që të ketë këtë sëmundje të caktuar). Disa mendojnë se përzgjedhja e gjinisë mund të konsiderohet e pranueshme edhe nëse prindërit tashmë kanë për shembull dy ose tri vajza dhe kërkojnë që të kenë një djalë, ose anasjelltas. Në këtë rast, ata mendojnë se kjo mund të konsiderohet si balancim i familjes dhe jo diskriminim gjinor.

Kjo çështje është aq e ndjeshme sa që ka vende ku preferenca për të pasur fëmijë djem është bërë aq shumë e përhapur, sa që është çrregulluar ndjeshëm raporti i bebeve djem me bebet vajzë në favor të djemve. Kombet e Bashkuara janë kundër përzgjedhjes së gjinisë (me përjashtim të indikacioneve mjekësore) dhe kjo është e ndaluar me ligj në shumë shtete të botës. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori