LAJMI I FUNDIT:

Dy projektligjet për EULEX-in futen në rend dite

Dy projektligjet për EULEX-in futen në rend dite

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 70 vota për, 12 kundër dhe 1 abstenim votuan që në rend dite të jetë çështja e mandatit të EULEX-it, kërkesë kjo e koalicionit qeverisës.

Ismet Beqiri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës kërkoi nga deputetët që të votojnë pro kërkesës që në rend dite të jetë Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovës, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.


Adem Grabovci, nga partia në koalicion, PDK, tha se deputetët e kësaj partie e përkrahin këtë propozim.

Ndërkaq, Glauk Konjufca nga lëvizja Vetëvendosje tha se ky projektligj vetëm para pak çastesh ka arritur në duart e deputetëve dhe Komisioni për shqyrtimin e këtij Projektligji duhet të formohet para se të miratohet Projektligji, e jo pas.

“Kjo arrogancë e koalicionit është e papranueshme. Ne do të votojmë kundër”, tha Konjufca.  /Telegrafi/