LAJMI I FUNDIT:

Dyfishohet inflacioni në Eurozonë

Dyfishohet inflacioni në Eurozonë

Norma e inflacionit në Eurozonë është dyfishuar gjatë shtatorit. Çmimet e konsumit në rajonin me 19 vende u rritën kështu me 0.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në muajin gusht ndërkohë, norma e inflacionit fiksohej pranë 0.2 për qind. Rimëkëmbja e inflacionit vjen kryesisht falë ringjalljes së çmimeve në sektorin e shërbimeve.

Performancë pozitive regjistrojnë edhe zërat e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit. Edhe rënia më e vogël e çmimeve të energjisë ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm në leximin e fundit të ecurisë së çmimeve të konsumit në rajon.


Të dhënat e fundit mbështesin kështu Bankën Qendrore Europiane duke dhënë shpresë për përmbushjen e objektivit të çmimeve brenda përfundimit të mandatit. Tashmë ngrihen pikëpyetje të shumta në lidhje me vendimmarrjen e institucionit me bazë në Frankfurt.

Gjatë mbledhjes së fundit tregjet prisnin një zgjerim të programit të blerjes së titujve, gjë që nuk erdhi. Gjasat që kjo të ndodhë në të ardhmen, tashmë që inflacioni po jep shenja të qarta rimëkëmbje dhe në një kohë që normat e interesit janë në territor negativ, janë thuajse zero. /Telegrafi/