LAJMI I FUNDIT:

E ç’faj ka Shën Valentini?!

E ç’faj ka Shën Valentini?!

Që Shën Valentini të mos të të gjejë më ‘single”, mëso të kapërcesh vështirësitë e takimeve të para duke e shndërruar një takim të çfarëdoshëm në mundësinë e artë për të gjetur shpirtin binjak. Por fillimisht mëso të shmangësh tre armiqtë kryesorë të takimeve të para.

Përsëri Shën Valentin! Përsëri të dashuruarit ia shprehin zyrtarisht dashurinë njëri-tjetrit me njëmijë e një nga më të çuditshmet e që në fund kurorëzohen me një përligjje romantike të dashurisë.

Për ca të tjerë, është përsëri një datë që të kujton më shumë se kurrë se je ende ‘single’! Kështu Shën Valentini shndërrohet në ato festat-acaruese, me çifte acarues që dalin rrugëve, që të acarojnë nervat me shprehjet e hapura të dashurisë! Mirëpo ja ku ndodh mrekullia! Edhe për ty një takim romantik, pikërisht sot, ditën e Shën Valentinit! Edhe një arsye më shumë kjo e fundit, për t’u ndier nervoze, për të treguar që në takimin e parë gjithë historitë e tua të dështimit … Dhe përfundimi? Ky ka për të qenë takimi i parë dhe i fundit, ndërsa Shën Valentini do të mbetet po ajo festa acaruese!

Por nuk ka faj Shën Valentini! Fajin e kanë armiqtë kryesorë të takimit të parë romantik, me të cilët pa dashje u bëre aleate. Ndaj, para se t’i thuash “po” një ftese për Shën Valentin, fillimisht mëso si të shmangësh tre armiqtë kryesorë të takimeve të para.

Shenjat që manifestojnë nervozizmin

Është normale të ndihesh nervoze në takimin e parë. Sidomos nëse ky takim rastis ose kurdiset pikërisht ditën e të dashuruarve, kur presioni psikologjik që shkaktohet nga pritshmëria është më i madh. Rrjedhimisht edhe emocionet janë më të mëdha. Por nervozizmi nuk është diçka tërheqëse te një femër e sidomos në takimin e parë.

Shenjat e nervozizmit ndikojnë negativisht në njohjen mes dy personave, të cilët në raste të tjera mund të kishin qenë të duhurit për njëri-tjetrin.

Dil para pasqyrës dhe rregullo frymëmarrjen. Merr frymë thellë disa herë, derisa ta ndjesh që je më e relaksuar. Kthehu te partneri dhe përpiqu të dukesh sa më e qetë, të flasësh ngadalë, por me një zë të sigurt. Ndërsa kur fillon të luash me unazën ose aksesorë të tjerë, bën mirë të mbërthesh me duar krahët e karriges ose mbështeti në prehër. Pastaj rregullo edhe njëherë pozicionin e trupit që të dukesh sa më e qetë. Mos harro: vetëbesimi është padyshim një nga cilësitë që meshkujt adhurojnë te femrat. Dhe një femër e sigurt nuk tregon asnjë shenjë nervozizmi.

Mos trego histori të dhimbshme të jetës tënde

Nëse i ankohesh një mashkulli që në takimin e parë e sidomos kur takimi është caktuar në një ditë si Shën Valentini, të jesh e sigurt se takimi ka për të përfunduar sa hap e mbyll sytë. Ai pret të kalojë një mbrëmje të këndshme dhe jo të dëgjojë hallet e tua.

Por shumë femra sillen si “mbretëresha të dhimbjes”, duke menduar se në këtë mënyrë e bëjnë një takim të paharrueshëm, ndërsa mashkullin të gjunjëzohet para tyre. Për një mashkull, një takim romantik është një mundësi tjetër për t’u argëtuar. Tragjeditë dhe hallet e të tjerëve padyshim që nuk janë histori argëtuese për t’u dëgjuar. Meshkujt pëlqejnë femrat me humor, që dinë t’u japin zgjidhje problemeve të tyre me entuziazëm dhe e shohin jetë në perspektivë. Rëndësi ka që gjatë takimit të lësh përshtypjen e një femre pozitive. E kush pastaj nuk do të kishte qejf të dilte, përsëri me ty dhe pastaj përsëri e përsëri, derisa një takim i zakonshëm të shndërrohet në një lidhje serioze?!

Të qeshësh vend e pavend

Meshkujt përpiqen t’i bëjnë femrat të qeshin. Por në shumë raste femrat e përdorin të qeshurën si armë për t’u çliruar nga tensioni, duke qeshur në mënyrë të sforcuar e që për më tepër duket shumë false. Kur e kupton që e qeshura jote, në vend të jetë shprehje e kënaqësisë që po të jep prania dhe batutat e tij, është në fakt shprehje tensioni, atëherë bën mirë ta marrësh situatën në dorë. Çliro muskujt e fytyrës, mos qesh nëse nuk ka asgjë për të qeshur, madje as mos buzëqesh.

Nëse e kupton që nuk çlirohesh dot nga një buzëqeshje idiote që të rri e stampuar në fytyrë, atëherë bëj të njëjtin ushtrim me frymëmarrjen, atëherë ke mundësi të kontrollosh të qeshurat e madje edhe buzëqeshjet e kota.

Ke parasysh se armiqtë e takimeve të para janë si veset. Për t’u çliruar prej tyre, nevojitet kohë, ndaj mos prit rezultate të menjëhershme. Por eksperimento, zbulo si i manifeston këto vese dhe lufto vazhdimisht kundër tyre, derisa të dalësh fitimtare. Vetëm atëherë një takim i parë do të pasohet nga shumë të tjerë. Dhe jo vetëm për Shën Valentin! /Telegrafi/