LAJMI I FUNDIT:

“Edhe unë jam për bashkim”

Për 28 nëntor, në Prishtinë u inskenua “Zyra e regjistrimit civil” në sheshin “Nënë Tereza” . Ky imazh politik fliste për realizimin e një ëndrre: pajisjen e kosovarëve me pasaportë shqiptare. Shumëkush e përgëzoi idenë, por kishte edhe nga ata që e panë me skepticizëm. Sidoqoftë, kjo skenë u shndërrua në një tendencë për të hapur kufij dhe thyer barriera, për të krijuar platformë të përbashkët shqiptare. Dhe, bëri bujë, madje edhe ngriti çështjen e zyrtarizimit.

Midis këtyre rrjedhave, sikur ta kishte ndjerë thellë valën që na përshkoi të gjithëve, djali im trevjeçar, me thjeshtësinë e fëmijës, ende nuk e largon nga rrobat një emblemë ku shkruan: “Edhe unë jam për bashkim”. Tek ngul këmbë ta vendos në çdo xhaketë që e vesh, deklarimi i tij i pavetëdijshëm “edhe unë jam për bashkim” bëhet i natyrshëm, plotësisht i pranueshëm dhe i zakonshëm.

Ndonëse gjithmonë kam menduar se edukimi i fëmijëve kërkon të jemi të avancuar nganjëherë edhe ta tejkalojmë vetveten, shpesh më kujtohet Scott Pack, i cili thotë: “Fëmijët tanë janë shigjeta të së ardhmes. Ata e duan shigjetarin e mirë dhe shënjestrën e saktë për t’i drejtuar atje ku duhet. Pa u përpjekur t’i diktojmë, t’i bëjmë të na ngjasojnë, apo t’i kuptojmë thellë, duhet ta dimë se fëmijët janë shigjetat e së ardhmes, kurse e ardhmja është ndryshe nga ne, nga koha jonë dhe nga gjithçka e së sotmes….” .

Kjo ma kujton paraqitjen skenike të kosovares Rita Ora, e cila për klipin e xhiruar në Prishtinë “Shine Ya Light” me këtë rast deklaroi: “E kam shkru këtë kangë… when I knew that we needed a light… e kam xhiru në Prishtinë, edhe jam knaq…”. Kështu, duke ju rikthyer përherë vetvetes dhe origjinës së vet ajo përfiton zemrat e të tjerëve dhe krijon një personazh unik për të gjithë, shqiptarë e jo shqiptarë .

Fraza e shkëputur e Scott Pack të kujton përgjegjësinë që e bartim edhe pse ekziston pamundësia për të ndryshuar tendencat e së ardhmes, civilizimit dhe globalizimit. Megjithatë “shigjetari dhe shënjestra e saktë” janë ato që na tregojnë se edukimi i fëmijëve tanë mund të jetë i karakterizuar me elementet e origjinalitetit të vet, gjë që i bën ata të jenë ndryshe, të veçantë, të pakrahasueshëm dhe unikë në botën e shumëllojshme duke jetuar krahas me popujt e tjerë.

Edhe nëse aktualiteti flet për eufori shqiptare, qoftë edhe veç ideologji, e rëndësishme është se tani për tani askush më nuk mund ta ndaloj këtë ideologji të thyej mure, të hap kufij dhe përcaktoj rrugëtime të përbashkëta.

Ne që jetuam në kohën e luftërave e dimë se vetëm vizionarët e fuqishëm i mbijetojnë trysnisë shekullore për zhvlerësim dhe vetëm vizionarët e qëndrueshëm janë ata që dinë të cilësojnë dhe ruajnë vetit e çmuara të identitetit.

Fatmirësisht, kombëtarizimi po bëhet gjë e natyrshme tek fëmijët tanë. Na mbetet ta kultivojmë si duhet pjesën e traditave, kulturës dhe gjuhës. Koha do të punojë në favorin tonë, që duke u nisur nga sublimja, kultura dhe traditat tona, të nxisim krijimin objektiv të një mekanizmi të përbashkët zhvillimor .