21 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në Prizren

12:09 / 12.12.2012

Në Ministrinë e Financave sot u mbajt ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes për financimin e projektit për trajtimin e ujërave të zeza në Prizren. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu dhe René Eschemann Drejtor Regjional, Zyra e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe drejtori i KUR Hidroregjionit Jugor, Besim Baraliu.

Vlera totale e projektit vlerësohet të jetë rreth 21 milionë euro, ku prej tyre 4 milionë euro vetëm se janë siguruar nga një marrëveshje paraprake me Bankën Gjermane për Zhvillim, kurse edhe 16.5 milionë euro do të sigurohen nga kjo marrëveshje. Fondet për këtë projekt janë dhënë 8 milionë euro donacion nga Republika Federale e Gjermanisë, 5 milionë do të sigurohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe 3.5 milionë euro të tjera nga Komuna e Prizrenit.

Projekti për trajtimin e ujërave të zeza në Prizren, përmban këta komponentë: ndërtimin e fabrikës së ujërave të zeza në fshatin Vlashnje, ndërtimin e kolektorit të ri dhe rehabilitimin e kolektorit tjetër ekzistues, si dhe përfshin investime në rehabilitimin e rrjetit të ujërave të zeza në pikat kryesore në qytetin e Prizrenit.

Zëvendësministri Avdiu, theksoi se “Ky është një projekt i cili është përfshirë në Deklaratën e Prioriteteve në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve dhe është diskutuar gjatë bisedave bilaterale me Republikën Federale të Gjermanisë. Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me partnerin tonë strategjik Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW) janë pajtuar për tekstin e marrëveshjes së financimit të projektit për trajtimin e ujërave të zeza në Prizren. Kam kënaqësinë që sot ne bëmë nënshkrimin solemn të marrëveshjes në fjalë”.

“Ky projekt kapital është një nga investimet më të mëdha në sektorin e ujërave të zeza në Kosovë dhe mbulon qytetin tonë të dytë për nga madhësia. Prandaj projekti është vendimtar jo vetëm për qytetin e Prizrenit por për të gjithë vendin, me theks të veçantë në reduktimin e efekteve të ndotjes ndërkufitare me shtetin shqiptar” tha zëvendësministri Avdiu.

Ndërsa, René Eschemann Drejtor Regjional, Zyra e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) në Kosovë dhe Shqipëri, duke thënë se projekti është një nga investimet më të mëdha në sektorin e ujërave të zeza në Kosovë, theksoi se “ Fabrika e ujërave të zeza do të ketë kapacitet të 50000 banorëve ekuivalent dhe do të jetë i pari i kësaj madhësie në Kosovë. Projekti është prioritet i lartë për kompaninë e ujësjellësit dhe Republikën e Kosovës. Projekti do të mbron nga ndotja lumin e Drinit në Prizren dhe vendeve të regjionit dhe do ta mbështesë pozicionin e Kosovës në iniciativat regjionale për mbrojtjen e pellgut të Drinit”.

Ai gjithashtu shtoi se “Zotimet e Qeverisë Gjermane për bashkëpunim financiar gjatë 13 viteve të fundit për Kosovën arrijnë shifrën rreth 250 milionë euro me fokus në mbështetjen e sektorit të ujit, financiar dhe të energjisë. Sektori i ujit është në fokus të bashkëpunimit financiar gjerman me Kosovën për të cilin sektor Qeveria Gjermane ka zotuar 78 milionë euro prej vitit 1999. Bashkëpunimi është fokusuar në nevojat afatgjata të investimeve, rehabilitimin e rrjetit urban, ndërtimin e rezervave, instalimin e pompave, ndërrimin e ujëmatësve dhe mbrojtjen e resurseve ujore”.

Në këtë ceremoni pjesëmarrës ishin edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Dardan Gashi dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, si dhe përfaqësues të Ambasadës gjermane në Prishtinë. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.