700 mijë euro për borde politike
Vetëm bordi i drejtorëve i pesë kompanive më të mëdha publike i kushton buxhetit të Kosovës rreth 350 mijë euro në vit, në emër të kompensimit financiar të kryesuesve dhe anëtarëve të bordit, pa i përfshirë këtu edhe bonuset që i kanë përfituar deri më tani.Më 13 mars 2013, Qeveria e Kosovës ka miratuar rregullat për lartësinë e kompensimit të anëtarëve të bordeve të kompanive qendrore publike sipas kategorizimit. Në kategorinë e parë të kompanive publike janë: Postë Telekomi i Kosovës, Korporata Energjetike e Kosovës, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut(KOSTT), Kompania Kosovare për Distribucionin dhe Furnizimin me Energji – KKDFE dhe Posta e Kosovës.
Kryesuesit e bordeve të këtyre ndërmarrjeve paguhen 850 euro në muaj, plus 200 euro për komisione të auditimit dhe 150 euro për komitetet tjera, apo 1200 euro në muaj. Ndërsa anëtarët e bordeve kanë pagën prej 750 euro, 150 euro marrin për komisionin e auditimit dhe 150 euro për komitetet tjera. Në kategorinë e dytë të ndërmarrjeve janë: Ibër Lepenci, Ujësjellësi “Prishtina”, Infrakos, Trainkos dhe Aeroporti Adem Jashari.
Kryesuesit e bordeve të këtyre ndërmarrjeve paguhen 500 euro në muaj, 150 euro për komisionet e auditimit dhe 130 euro për komitetet tjera, ndërsa anëtarët e bordeve marrin 400 euro pagë, 110 euro për komisionet e auditimit dhe po aq në emër të komiteteve tjera.
Kryesuesit dhe anëtarët e bordeve të këtyre ndërmarrjeve i kushtojnë buxhetit të Kosovës rreth 210 mijë euro në vit. Në kategorinë e tretë janë ndërmarrjet e sektorit të Ujësjellësit, ujitjes dhe mbeturinave, ku kryesuesit e bordeve paguhen 320 euro në muaj, plus 120 euro nga komisioni i auditimit dhe 110 euro nga komitetet tjera.
Ndërsa anëtarët e bordeve marrin 270 euro plus 100 euro nga komisioni i auditimit dhe 90 euro nga komitetet tjera. Bordet e ndërmarrjeve të kategorisë së tretë i kushtojnë buxhetit rreth 130 mijë euro në vit. Përfaqësues të shoqërisë civile në vend shpeshherë e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për politizim të bordeve të kompanive publike. /Zëri/Telegrafi/