Agjencia Kadastrale bllokon hyrjen e AKP-së në Grand
Hotelit “Grand” ka filluar t’i humbë edhe më shumë shkëlqimi, ndonëse me letra ka dy pronarë, raporton “Koha Ditore”. Në Agjencinë për regjistrimin e bizneseve figuron se pronare e tij është Agjencia Kosovare e Privatizimit, kurse në Agjencinë Kadastrale pronar vazhdon të jetë “Unio Commerce”, nga e cila ishte blerë në vitin 2006, sipas metodës së Spin-off-it special.Murat Meha, kryeshef i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, ka thënë se asnjë prone nuk mund t’i ndërrohet pronari pa një vendim të gjykatës. Ai ka thënë se deri më tani në AKK nuk ka mbërritur asnjë kërkesë për ndërrim të pronësisë së hotelit “Grand”, mirëpo ka thënë se një kërkesë e tillë mund të ketë shkuar në Zyrën e Kadastrës në Komunën e Prishtinës. “Parimisht asnjë pronë nuk mund të tjetërsohet pa një vendim të gjykatës, si dhe procedurat e tjera, siç janë vendimet administrative, vendimi i AKP-së etj. Kur janë të gjitha këto dokumente fillimisht duhet të bëhet ndryshimi i pronës në zyrën kadastrale të Komunës dhe pastaj vjen dhe regjistrohet tek ne”, tha Meha.
Mrika Tahiri, zëvendësdrejtoreshë e AKP-së, ka thënë se Zyra Kadastrale nuk ka të drejtë t’i tjetërsojë pronat që janë shitur me spin-off special, derisa të lirohet ndërmarrja nga kontrolli i AKP-së. “Ne u kemi dërguar një letër të gjitha institucioneve se ndërmarrjet që janë privatizuar me spin-off special nuk mund as të regjistrohen si peng dhe as të bëhet tjetërsimi para se të lirohen prej AKP-së apo pa pasur një leje të veçantë të AKP-së. Pyetja do të ishte se ku e kanë marrë lejen për tjetërsimin e pronës”, ka thënë Tahiri. “Kthimi i ‘Grandit’ në emër të blerësit është bërë në një proces të kundërligjshëm. Ne jemi duke e ndjekur me juristët tanë çështjen e kthimit të kundërligjshëm të pronës që është bërë. Tash presim që AKK-ja të përmirësojë gabimin e vet, pra që pronën ta kthejë në emër tonin”, shkruan Koha Ditore.
Avokati Bejtush Isufi i angazhuar nga ish-blerësi i hotelit “Grand” ka thënë se AKP-ja dhe blerësi janë të barabartë si palë kontraktuese. Sipas tij, zgjidhjen e mospajtimeve në mes të palëve kontraktuese mund të bëjë një palë e tretë, që në këtë rast është Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme ose Arbitrazhi.
Zëvendësdrejtoresha e AKP-së, Mrika Tahiri, thotë se brenda javës së ardhshme do të marrin në menaxhim hotelin “Grand”. Madje nëse blerësi nuk bashkëpunon, ajo ka thënë se marrjen e “Grandit” do të bëjnë me ndihmën e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/