AKP-ja e regjistron “Grandin” si biznes të vetin
Agjencia Kosovare e Privatizimit zyrtarisht i ka rikthyer në pronësi asetet e hotelit “Grand”. Pas vendimit të Bordit të Drejtorëve për tërheqje të aksioneve, si pasojë e mosplotësimit të kushteve të kontratës nga ana e blerësit të “Grandit”, AKP-ja ka ndjekur procedurat ligjore për kthimin e aksioneve.“Vendimi për kthimin e aksioneve tashmë është jetësuar. Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve, që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si institucion i vetëm përgjegjës për regjistrimin e bizneseve në Kosovë, ia ka lëshuar AKP-së certifikatën e regjistrimit të biznesit dhe aksionet e hotelit ‘Grand’ tani janë të regjistruara në emër të AKP-së”, ka thënë të mërkurën Ylli Kaloshi, zëdhënës i Agjencisë së Privatizimit, raporton Koha.net.
Sipas tij, pas marrjes së certifikatës së biznesit prej Agjencisë së Regjistrimit të Biznesit, AKP-ja i ka dërguar njoftim me shkrim ish-blerësit të hotelit “Grand”, nga i cili është kërkuar që brenda 15 ditësh të bëjë lirimin e objektit.
“Përderisa nuk kemi ndonjë urdhër apo vendim nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, që nënkupton ndalesë për privatizim, AKP-ja ka obligim ligjor që të vazhdojë procesin e kthimit të objektit nën menaxhim të AKP-së dhe procesin në vazhdim, dhe këtë do ta bëjë në afatin optimal”, ka theksuar Kaloshi.
Por, ish-blerësi i hotelit “Grand”, Zelqif Berisha, ka thënë se është kërkuar nga Agjencia e Privatizimit që të presë në zbatimin e këtij vendimi deri në publikimin e qëndrimit të gjykatës për procesin e rikthimit të aksioneve të këtij hoteli.
“Kemi bërë ankesë. Kemi kërkuar një masë të përkohshme në mënyrë që mos ta lirojmë objektin derisa të përfundojë çështja e gjyqit. Nuk e di pse po frikohet AKP-ja, ‘Grandi’ nuk ka nga të ikë”, i ka thënë Berisha gazetës “Koha Ditore”, sipas të cilit ndërrimi i pronësisë së “Grandit”, sipas Berishës, është bërë në mënyrë të paligjshme.
”AKP-ja e ka ndërruar vetëm certifikatën. Këtu është bërë shkelje dhe do të kërkojmë interpretim nga Agjencia Antikorrupsion. Certifikata ndryshohet ose me marrëveshje, ose me vendim të Gjykatës. ‘Grandi’ me tapi nuk i takon AKP-së”, ka thënë Berisha. /Telegrafi/