AKP në shtator me bord të ri
Anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) më 22 korrik u ka përfunduar mandati. Deri në zgjedhjen e bordit të ri udhëheqja e AKP-së mbetet në duart e menaxhmentit të AKP-së. Edhe pse mbeten shumë punë në duart e Bordit, drejtori i kësaj agjencie, Shkëlzen Lluka, i thotë se punët do të kryhen sipas planeve që i ka paraparë menaxhmenti.
Lluka tha se deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të bordit nuk do të paraqitet ndonjë problem, sepse duke u nisur nga praktika e deritashme AKP-ja gjatë muajit gusht nuk mban mbledhje, pasi është kohë e pushimeve. “Besoj se anëtarët e bordit të ri do të zgjidhen së shpejti, në mënyrë që ky bord të jetë funksional për takimin e muajit shtator”, tha Lluka, për Epokën e Re.
Deri më tani Bordi i AKP-së i ka pasur 8 anëtarë, 5 prej të cilëve i ka emëruar Kuvendi, ndërsa 3 kanë qenë ndërkombëtarë të emëruar nga përfaqësuesi civil ndërkombëtar (PCN). Por, me ndryshimet kushtetuese, pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur, parashihet të ketë ndryshime edhe në përfaqësimin e Bordit të AKP-së.
Bordi i ri i cili do të zgjidhet do të ketë shumë punë për të bërë. Ndër to janë ritenderimi i hotelit Grand dhe çështja e ndërmarrjes Trepça. /Telegrafi/