ATK me sistem për deklarim elektronik të tatimeve
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), që nga 1 maji i këtij viti ka filluar të aplikojë Deklarimin Elektronik të Tatimit në Paga dhe Kontributeve Pensionale. Zyrtarë të ATK-së, thonë se ky sistem elektronik është shumë efikas, pasi mundëson deklarimin dhe pagesën e tatimeve më shpejt dhe më sigurt sesa ai manual. Edhe bizneset e kanë vlerësuar më të favorshëm këtë sistem.
Sistemi i ri i deklarimit elektronik të tatimeve i emërtuar si EDI, u mundëson tatimpaguesve të bëjnë deklarimin e tatimeve, si tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin në paga dhe kontributet pensionale, si dhe pagesën e këtyre tatimeve gjatë 24 orëve në ditë.
Sami Salihu, menaxher i Shërbimit të Tatimpaguesve në ATK, thotë se sistemi është on-line, dhe shumë më i shpejtë dhe më i sigurt sesa ai manual. Ai sqaron edhe ecurinë e regjistrimit të tatimpaguesve në këtë sistem. “Deri më tani rreth 20 mijë tatimpagues të cilët janë potencialë për t’u deklaruar në tatimin në paga dhe kontribute pensionale, në sistemin elektronik – EDI janë regjistruar mbi 15 mijë, apo mbi 75 për qind të këtyre tatimpaguesve”, tha Salihu.
Sistemi elektronik është i lehtë dhe i thjeshtë, dhe përdoruesit vetëm duhet t’iu përmbahen udhëzimeve që ka dhënë ATK-ja në ueb-faqen e saj, thotë Salihu. Ai sqaron se Administrata Tatimore ka lënë një afat gjatë të cilit tatimpaguesit mund të shfrytëzojnë sistemin manual dhe atë elektronik, ndërsa në tremujorin e fundit të këtij viti do të ndërpritet përdorimi i sistemit manual dhe nëse tatimpaguesit nuk regjistrohen, mund të kenë pasoja thekson Salihu, raporton Radio Kosova.
“Sigurisht do të ketë ndëshkime, për arsye se ai tatimpagues nuk do të ketë mundësi të bëjë deklarime dhe sipas ligjit për ATK-në dhe procedurat për mosdorëzim të deklaratës me kohë, kështu që ne jemi munduar t’iu bëjmë thirrje të gjithë tatimpaguesve që të regjistrohen në sistemin elektronik EDI”, tha Salihu.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit e kanë mirëpritur zbatimin e këtij sistemi. Lumnie Ajdini, menaxhere në Aleancën Kosovare të biznesit, thotë se sistemi është shumë i përshtatshëm për bizneset në Kosovë.
“Ky sistem është shumë i favorshëm dhe bizneset tona nuk kanë vështirësi, për arsye se është udhëzimi, por edhe manuali sesi ata të aplikojnë për shkarkimin e dokumenteve dhe sesi të pasqyrojnë të ardhurat apo kontributet pensionale”, tha Ajdini.
Përmes përdorimit të Sistemit Elektronik, tatimpaguesit reduktojnë dokumentet dhe raportet periodike, kursejnë kohën dhe koston, bëjnë deklarimin në çdo kohë, pagesën on-line qasje në historinë e deklarimeve etj. Njëkohësisht përmes këtij sistemi do të zvogëlohet edhe ekonomia joformale në Kosovë. /Telegrafi/