Auditori Kritikon Kontratën e KEK-ut me Familjen Muja

10:46 / 23.07.2012
Një kompani e përfaqësuar nga vëllezërit e deputetit të PDK-së, Shaip Muja, ka përfituar një kontratë publike, e cila sipas autoriteteve të auditimit është përcjellë me parregullsi. Kur auditorët kanë kontrolluar këtë kontratë, kanë zbuluar se Korporata Energjetike e Kosovës nuk e kishte shitur skrapin bazuar në çmimin e tregut, nuk kishte bërë klasifikimin e metaleve si dhe kishte shitur trafo që në regjistrat e ndërmarrjes figuronin si të përdorshme.

Kontrata për shitjen e skrapit e lidhur mes Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe kompanisë “Ci-Kos-Cro”, në të cilën vëllezërit e deputetit Muja, figurojnë si udhëheqës, bazuar në gjetjet e auditorëve është përcjellë me parregullsi të shumta.

Kur KEK-u kishte shpallur në shkurt të vitit të shkuar Kërkesën për Kualifikim për Ankandin Publik kishte prezantuar se ka 2 mijë e 670 tonë mbeturina të metaleve të gatshme për shitje.

Për blerjen e tyre kishte ofruar 560 mijë euro “Ci-Kos-Cro”, një kompani në të cilën në vitin 2010 në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë është regjistruar si person i autorizuar Arsim Muja, ndërsa pronar i saj figuron të jetë Fatmir Muja dhe kompania kroate “C.I.O.S. doo” , në të cilën 51 për qind të aksioneve i mban kompania gjermane “Scholz AG ”.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, në raportin për KEK-un që i referohet vitit 2011, ka konstatuar se organizimi i shitjes së mbeturinave metalike (skrapit) nuk ishte në nivelin e duhur. Auditorët kanë zbuluar se procesi deri te tenderimi nuk ishte mjaft i qartë dhe se mungonte monitorimi i procesit. Po ashtu, nëpër disa distrikte të KEK-ut ishte nxjerrë më shumë skrap jashtë ndërmarrjes, sesa që ishte planifikuar të shitej përmes ankandit publik.

Fatmir Muja, i cili është aksionar në këtë kompani, i kontaktuar nga Gazeta JnK fillimisht ka pranuar të intervistohet për këtë temë. Por, më vonë ka ndërruar mendje. Muja ka thënë se për çështjet që lidhen me biznese e tij do të komunikojë vetëm përmes padive gjyqësore. Pyetjet i janë dërguar edhe kompanisë gjermane “Shcholz Ag”, por zyrtarët e saj nuk kanë kthyer përgjigje.

Korporata Energjetike, në shkurt të vitit të kaluar, kishte caktuar çmimin prej 0.16 euro për kilogram të skrapit, si prag për kualifikimin e Operatorëve Ekonomikë. Me ofertën për njësi më të madhe për 5 centë më shumë sesa pragu, kishte fituar kompania “Ci-Kos-Cro”.

Dy kompanitë e tjera në garë, sipas raportit të hapjes së ankandit publik ishin “Euro Steel” nga Peja, e cila ofroi 461 mijë e 910 euro si dhe “Kos Steel” nga Obiliqi që ofroi 440 mijë e 550 euro. “Por, caktimi i çmimit si prag për konkurrim ishte bërë pa u bërë hulumtimi i çmimit të tregut”, thuhet në raport.

Ky çmim, sikur kanë konstatuar auditorët, ishte caktuar duke u bazuar në procedurën e shitjes së vitit paraprak, pa u bërë një analizë se a mund të jetë ky çmim në përputhje me çmimin e tregut, në kohën e tenderimit. “Çështja e çmimit të ultë është adresuar edhe nga Auditimi i Brendshëm në procedurën e shitjes së vitit paraprak për shitjen e skrapit, përkatësisht shitjen e telit të bakrit”, theksohet në raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Korporata Energjetike e pranon se e kishte marrë për referencë kontratën e mëhershme, por kjo sipas zyrtarëve të saj, ka qenë e mjaftueshme për të zhvilluar ankandin e ri. “Për kontratën në fjalë, procesi i kaluar ka qenë referencë për vlerën e tregut dhe çmimi i kontratës se kaluar është përcaktuar si çmim minimal”, ka deklaruar Eglantina Hoxha, menaxhere për Palë të Interesuara dhe Ngjarje në KEK.

Por, çmimi i tregut i mbeturinave të metalit në vitin 2011 nuk ishte ai me të cilin KEK-u lidhi kontratë publike.

Bazuar në shënimet e Doganave të Kosovës, gjatë vitit 2011 ishin eksportuar 113 milionë e 949 mijë e 792 kilogramë mbetje të metaleve.

Vlera e tyre në euro ishte 25 milionë e 264 mijë e 208 euro. Në bazë të këtyre të dhënave del se mesatarja e çmimit të skrapit ishte 22 centë për kilogram.

Nëse KEK-u do të shiste skrapin bazuar në këtë mesatare do të mblidhte 587 mijë e 400 euro, në vend të 560 mijë e 700 eurosh.

 

Kreu i sindikatës së KEK-ut, Izet Mustafa, ka thënë se çmimi me të cilin janë shitur këto makineri të dala nga përdorimi është “tejet i ulët”. “Paramendoni se sa do të ishte fitimi për korporatën nga një trafo prej 8 megavatësh, e cila në përbërjen e saj ka bakër, alumin dhe tonelata vaj, po të seleksionohej e të shitej veç e veç. Ndërsa këto shiten për një çmim qesharak”, i ka thënë Mustafa, më herët Gazetës JnK.

Ai ka shtuar se janë shitur me qindra elektromotorë të cilët përmbajnë sasi të konsiderueshme bakri. Sipas tij, bakri dhe alumini kanë një çmim më të lartë dhe kompanitë që mbledhin hekurishte e shesin bakrin dhe aluminin me 4-5 euro për kg. “Pjesë tjetër mjaftë e vlefshme janë edhe gypat e makinerive të cilët mund të shiten me çmim tjetër, po të seleksionoheshin”, thotë Mustafa, i cili tregon se sindikata ka ngritur këtë shqetësim tek menaxhmenti i korporatës.
Edhe auditorët kanë vënë në dukje se mbeturinat metalike të cilësuara si “skrap” përmbajnë lloje të ndryshme të metaleve, si krom, çelik, hekur, alumin, bakër dhe lloje të tjera të metaleve, të cilat kanë dallim në cilësi dhe vlerë. “KEK-u nuk i ka klasifikuar këto metale. pavarësisht dallimit të tyre dhe i ka shitur si metale të kombinuara, me çmim të njëjtë për njësi”, theksohet në raportin e ZAP-it.

Zyrtarët e Korporatës Energjetike sqarojnë se këtë e bënë me qëllim. Procesi i klasifikimit të metaleve thuhet se do të kërkonte demontimin e pajisjeve dhe ndarjen e tyre në pjesë të veçanta nga vetë KEK-u. “Kjo do të kërkonte angazhim të konsiderueshëm të burimeve njerëzore, teknike dhe financiare që KEK-u nuk i ka në dispozicion, shkaku i angazhimeve në operime qenësore, ndërsa kostoja e këtij angazhimi nuk do të mund të mbulohej”, ka deklaruar Eglantina Hoxha.

Për këtë arsye, sipas saj, në ankandin publik është kërkuar një çmim mesatar që do të mbulonte të gjithë sasinë dhe llojet e metaleve.

Veç mosklasifikimit të llojeve të metaleve, auditorët kanë gjetur se në specifikacionin e tenderit janë futur pajisje për shitje, të cilat ishin si të përdorshme në regjistrat e ndërmarrjes.

Auditorët kanë zbuluar se në Termocentralin “Kosova A” janë identifikuar disa pajisje (Trafo T2 dhe Trafo T4) të cilat janë përfshirë në ofertën e shitjes, pa u shlyer si të papërdorshme nga regjistrat e KEK-ut. /Gazeta JnK/Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.

-
 
 
Magazina
11:39 / 23.05.2013
Katherine Heigl

Heigl pëlqen jetën në fshat

Katherine Heigl kurrë nuk ka qenë më e lumtur se sa tash që është zhvendosur në Utah me burrin e saj Josh Kelley dhe dy ...
Teknologji
11:15 / 23.05.2013
LG Optimus GJ, rezistent ndaj ujit dhe pluhurit

LG Optimus GJ, rezistent ndaj ujit dhe pluhurit

LG ka shtuar edhe një model të ri të telefonit në linjën e saj të telefonave Android, përkatësisht modelin LG Optimus G...
Ekonomi
11:20 / 23.05.2013
Foto: Ilustrim

Qeveria "po han" buxhetin e shtetit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hikmete Bajrami ka bërë thirrje për bashki...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.