Austria financon riparimin e tuneleve në linjën Leshak-Hani i Elezit
Ministri i Infrastrukturës (MI), Fehmi Mujota të hënën priti në një takim ambasadorin e Austrisë, në Kosovë, Johann Brieger, ku ka diskutuar për financimin e disa projekteve të rëndësishme në infrastrukturën hekurudhore.Qëllimi i takimit ishte thellimi i bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Austrisë, në projektet të cilat janë të rëndësishme për Kosovën, në veçanti kërkesa për financimin dhe riparimin e tuneleve në linjën hekurudhore 10, përkatësisht linja Leshak-Hani i Elezit, përmes kredisë nga Qeveria austriake.
Ky takim vije si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimi në mes të ministrisë së Financave të Austrisë dhe Ministrisë së Financave të Kosovës, e cila marrëveshje ka të bëjë me projektet jo komerciale. Duke u bazuar në këtë marrëveshje këto projekte do të realizohen në të ardhmen përmes kredisë së butë, ndërsa ratifikimi i marrëveshjes pritet që të bëhet në Kuvendin e Kosovës.
Në takim u bisedua edhe për edhe për financimin e projekteve tjera të rëndësishme për Kosovën, bazuar në projektet prioritare të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës.
Me këtë rast, ministri Mujota, tha se investimet e ardhshme në linjën e 10 hekurudhore, do të gjejnë vend në listën e prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, për hekurudhat. “Së bashku me kompaninë hekurudhore INFRAKOS, do të punohet shumë në këtë drejtim, në mënyrë që të përgatiten projekte të detajuara, të cilat do të bazohen në studimin e fizibilitetit për linjën e 10 hekurudhore, ndërsa qëllimi kryesor është modernizimi i kësaj linje”, theksoi ministri Mujota.
Gjithashtu ai, u shpreh se ky projekt do të punohet në detaje, si dhe premtoi se në këtë do të angazhohen edhe ekspertët e Ministrisë së Infrastrukturës, e që së bashku me ata të Ministrisë së Financave do të bëhet i mundur realizimi i këtij projekti si dhe projekteve me rëndësi të veçantë.
Ndërsa, ambasadori i Austrisë, Brieger theksoi se janë të interesuar që të ndihmojmë në financimin e projekteve më me rëndësi të Kosovës, sidomos në ato të infrastrukturës hekurudhore. /Telegrafi/