Autokombajnat furnizohen në 23 pika furnizuese për korrje shirje
Fushata e korrje-shirjeve të drithërave të bardha, për shkak të vegjetacionit më të hershëm dhe temperaturave të larta që kanë mbizotëruar në muajt e verës, ka filluar më herët sesa në vitin e kaluar. Sipas informacioneve fillestare që posedon komisioni qendror në Ministrinë e Bujqësisë, fushata e korrje-shirjeve më intenzivisht është duke u zhvilluar në komunën e Prizenit, Suharekës, Gjakovës, Skënderajt dhe Gjilanit, ndërsa rendimenti mesatar i prodhimtarisë në këto komuna po sillet prej 3800-4200 kg/ha. Gjithashtu, sipas komisioneve lokale që janë duke e monitoruar procesin e korrje-shirjeve në komunat e tyre, nga të gjithë autokombajnerët është duke u respektuar çmimi i korrje-shirjeve prej 100 euro për hektarë, i cili është diktuar prej Ministrisë së Bujqësisë, për shkak të subvencionimit të derivateve të naftës në shkallë prej 25 për qind. Sipas kësaj marrëveshjeje të arritur ditë më parë, të gjithë ata autokombajnerë që nuk e respektojnë këtë çmim, nuk do të gëzojnë të drejtën e subvencionimit në derivate të naftës.
Ndërsa, të gjitha autokombajnat që kanë filluar të korrin me naftë të pasubvencionuar të cilën e kanë blerë me çmimin e tregut, që i posedojnë formularët e nënshkruar dhe të vulosur nga drejtoritë komunale të bujqësisë, do të kenë mundësi të kompensohen në 23 pika furnizuese në tërë territorin e Kosovës.
"Të gjitha autokombajnat që do të përfshihen tani në fushatën e korrje-shirjeve të sivjetme, që e posedojnë dokumentacionin e nevojshëm, do të mund të furnizohen me çmim të subvencionuar nga Ministria e Bujqësisë prej 0.93.75 cent në litër".
23 pikat e furnizimit për 1558 autokombajnat e evidentuara që do të përfshihen në fushatën e sivjetme të korrje-shirjeve janë Hib Petrol me pikat e saj furnizuese në Prishtinë, Ferizaj, Bablak të Shtimes, Lipjan dhe Fushë Kosovë. ALBA Petrol në Viti, Compact në Gjilan, Alb Petrol në Podujevë, Elan Petrol në Prizren, Alfa Trade në Mitrovicë, ITC në Suharekë, OK Petrol në Prizren, Stella në Gjakovë, Strellci në Deçan, Ibos në Istog, Pajtimi në Malishevë, Jaha Petrol në Rahovec, FER Petrol në Drenas, Dini Petrol në Llaushë të Skënderajt, Benita Company në Klinë, Qendra Petrol në Dragash, Albina Petrol në Kamenicë dhe Kastrati Petrol në Pejë. /Telegrafi/