Autostrada e milionave
Ministri i infrastrukturës (MI), Fehmi Mujota, tha të premten se projektet e infrastrukturës rrugore në Kosovë janë duke u zhvilluar sipas planit dhe dinamikës së paraparë. Ministri Mujota, tha se në autostradën Vërmicë-Prishtinë, pas lëshimit në qarkullim të katër kilometrave, është duke u punuar intensivisht edhe në segmentin e pestë prej 18.5 kilometrash nga Duhla deri në Gjurgjicë.Gjatë kësaj periudhe për autostradë janë paguar 155 milion euro, tha ministri Mujota. Ai sqaroi se pas vendimit të qeverisë për krijimin e komitetit Drejtues ndërministrorë për autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, kanë filluar procedurat teknike administrative, dhe është bërë shpallja për shprehjen e interesit për këshilltarë të shërbimeve të transaksionit dhe për kompanitë e interesuar për ndërtimin e kësaj rruge. “Do ta ndjekim modelin e kontratave tradicionale sipas asaj që ka pasur qeveria me Bechtel & Enka, do të shohim kushtet e tregut dhe ofertat që do të vijnë, pastaj kontrata do të jetë me operatorin më të përgjegjshëm”, tha Mujota.
Rehabilitimi i rrugëve magjistrale sipas Mujotës është planifikuar për vitin 2013. Ndërkohë ai përmendi se gjatë gjysmës së parë të vitit kanë hartuar disa ligje, pastaj strategjinë për siguri në komunikacionin rrugor, marrëveshjet dypalëshe ndërkombëtare sa i përket transportit hekurudhor, si dhe vendimin e këshillit të NATO-s për menaxhimin e hapësirës ajrore të Kosovës, që do të zbatohet prej vitit të ardhshëm.
Ndryshe, nga buxheti prej 280 milionë eurove i Ministrisë së Infrastrukturës, gjatë kësaj periudhe janë shpenzuar 176 milionë euro, apo rreth 63 për qind e buxhetit. /Telegrafi/