Banesat që shpiejnë te krimi
Më shumë se pesë zyrtarë të lartë komunalë të qytetit të Prizrenit por edhe pronarët e më shumë se dymbëdhjetë kompanive që po ndërtojnë banesa në qytetin e Prizrenit janë nën llupën e drejtësisë si të dyshuar për krim të organizuar e vepra të tjera penale.Këto hetime kanë nisur nga policia tash e një vit, ndërsa së fundi nga organet e hetuesisë është lëshuar edhe aktvendimi për fillim të hetimeve, shkruan “Zëri”.
Sipas burimeve të gazetës të afërta me rastin, kompanitë e ndërtimit janë duke u hetuar për tejkalimin e lejeve të marra nga komuna dhe për shkak të moskryerjes së obligimeve ndaj komunës, derisa zyrtarët komunalë janë të dyshuar se po lejojnë shtimin e kateve të banesave dhe zgjerimin e tyre për përfitime të tyre personale.
Zyrtarë policorë brenda njësisë së krimeve ekonomike në qytetin e Prizrenit kanë njoftuar në kushte anonimiteti se hetimi në lidhje me këto banesa është hetimi më i madh që kanë pasur ndonjëherë në duar këta hetues sa i përket qytetit të Prizrenit. /Telegrafi/