Banka Botërore 37 milionë euro Kosovës
Ministri Bedri Hamza në konferencë për media ka njoftuar se sot ka përfunduar disbursimi i grantit nga Banka Botërore në bazë të Marrëveshjes për Operacionin e dytë të Programit për Politikën për Zhvillim të Punësimit të Qëndrueshëm në Kosovë. Ky grant i akorduar Kosovës vjen si mbështetje direkte buxhetore në vlerën prej rreth 37.4 milionë euro, dhe është i përbërë nga 3 pjesë (23 milionë euro nga Banka Botërore, 12.1 milionë euro të siguruara nga 10 donatorë dypalësh dhe shumëpalësh (Unioni Evropian, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Italia, Norvegjia, Suedia, Zvicra), 1.8 milionë dollarë nga SHBA).Banka Botërore në fund të dhjetorit të vitit të kaluar ka disbursuar edhe 24.3 milionë euro, si pjesë e Operacionit të pare të Programit për Politikën për Zhvillim të Punësimit të Qëndrueshëm (SEDPO 1). Në këtë mënyrë totali i shumës së pranuar është rreth 62 milionë euro. Fondet janë disbursuar në Buxhetin e Kosovës pas konstatimit se ka pasur një zbatim të suksesshëm të reformave të fokusuara në punësim të qëndrueshëm dhe rritje ekonomike.
Qëllimi parësor i këtij program ka qenë mbështetja dhe avancimi i reformave të mëtutjeshme në disa sektorë shumë të rëndësishëm për vendin si në: përmirësimi i mjedisit të biznesit, nxitja e investimeve, fuqizimi i menaxhimit të financave publike, zhvillimi i shërbimit civil ,forcimi i institucioneve të tregut të punës, aftësimi professional etj.
Ministri Hamza njoftoi se Qeveria e Kosovës ka punuar me përkushtim në përmbushjen e veprimeve paraprake që kanë qenë të parashikuara, dhe secili institucion në fushën e vet është angazhuar maksimalisht në realizimin e suksesshëm të tyre. “Këtë vit Banka Botërore për here të pare ka bërë hartimin e Strategjisë së Partneritetit për periudhën 4 vjeçare (2012-2015), proces ky i cili po ashtu është zhvilluar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e vendit”, theksoi ai.
Ministri Hamza gjithashtu i ka bërë të ditur se “Bordi Ekzekutiv i Bankës Botërore javën e kaluar e aprovoi Strategjinë e Partneritetit për periudhën e ardhshme katërvjeçare. Asistenca e Bankës Botërore gjatë kësaj periudhe do të fokusohet në arritjen e dy objektivave kryesore, të cilat janë përshpejtimi i rritjes ekonomike në shkallë të gjerë dhe gjenerimi i punësimit dhe përmirësimi i menaxhimit të ambientit”.
Brenda kësaj periudhe 4 vjeçare pritet financimi përmes IDA (Asociacioni Ndërkombëtar i Zhvillimit) për Strategjinë e Partneritetit brenda 4 viteve të arrijë në 76 milionë dollarë (pra mesatarisht 19 milionë dollarë), të cilave iu shtohen edhe 66 milionë dollarë grante nga donatorët.
Gjithashtu IFC (Korporata ndërkombëtare Financiare) do të ofrojë 40-50 milionë dollarë në formë të financimit direkt për sektorin privat si dhe fonde shtesë për shërbimet këshillimore. /Telegrafi/