BE dhe FMN, kushte Greqisë për këstin e ri të ndihmës
Bashkimi Evropian (BE) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i vënë kushte të reja Greqisë në këmbim të lëvrimit të ndihmës prej 31.5 miliardë euro, që vendi pret me padurim. BE dhe FMN nuk mjaftohen me identifikimin e masave të kursimit me vlerë 11.5 miliardë euro nga qeveria greke, por kërkojnë miratimin e tyre edhe nga Parlamenti, si kusht për të paguar këstin e ardhshëm të kredisë. Sipas një raporti të publikuar në shtypin grek, shkaku i kësaj kërkese të re, është mungesa e besimit tek Greqia, dyshimet në lidhje me qëndrueshmërinë e koalicionit, si dhe mbi aftësinë e Parlamentit grek për të miratuar masat e dhimbshme të kursimit.
Ndërkaq brenda 40 ditëve të ardhshme, të tre partnerët qeveritarë do të duhet të kapërcejnë kontradiktat e tyre të brendshme dhe të vijnë në një linjë mbi detajet e paketës së kursimit për vitet 2013-2014. /Telegrafi/