BE mbështet mbylljen e TC Kosova A më 2017
Zyra e BE-së është inkurajuar nga deklaratat e fundit të Qeverisë së Kosovës përmes të cilave ajo ka siguruar zotimin e saj për të zbatuar standardet e BE-së për emetim brenda afatit të caktuar, respektivisht mbylljen e termocentralit “Kosova A” deri në vitin 2017. BE-ja do të jetë aleate në këtë drejtim dhe është e gatshme që të mbështesë financiarisht mbylljen e “Kosovës A”.Si pjesëmarrëse e Traktatit për Komunitetin e Energjisë, Kosova ka pranuar obligimin ligjor për të zbatuar standardet e BE-së për emetim.
“Kosova si të gjitha palët e Komunitetit për Energji, është zotuar që të zbatojë Direktivën e BE-së për Impiantet e Mëdha me Djegie nga fundi i vitit 2017”, thuhet në deklaratën për media të zyrës së BE-së në Kosovë.
"Duke e përmbushur obligim, Kosova jo vetëm që e dëshmon se është një partnere e besueshme në traktatet ndërkombëtare, mirëpo në të njëjtën kohë edhe do të ketë ndikim të madh dhe pozitiv në mjedisin përreth termocentraleve me djegie thëngjilli si dhe në shëndetin e banorëve që jetojnë në zonat përreth". /Telegrafi/