Bie aktiviteti kreditor në Kosovë
Borxhi publik i vendit nuk ka kaluar as 7 për qind e Bruto Produktit Vendor, ka rënë aktiviteti kreditor kohëve të fundit dhe se sektori financiar asnjëherë nuk ka qenë barrë për shtetin. Këto janë bërë të ditura të enjten, në hapjen e Panairit Financiar 2012, që mbahet për të tretë herë me radhë.Në këtë panair, bankave dhe institucioneve tjera financiare, u mundësohet prezantimi i produkteve të tyre duke komunikuar kështu me klientët, vendimmarrësit si dhe investitorët e ndryshëm.
Përveç ekspozimit, ku përshihen të gjitha bankat komerciale në Kosovë, institucionet mikrofinanciare, kompani të sigurimeve, kompani të auditimit si dhe kompani tjera këshilluese të biznesit, Panairi Financiar 2012 ka edhe aktivitete të tjera.
Në hapjen e Panairit, Robert Wright, Kryetar i Bordit të Shoqatës së Bankave të Kosovës (SHBK) ka thënë se në 12 muajt e fundit sektori bankar ka ofruar qasje të duhur dhe është rritur dukshëm. Sipas tij, sektori bankar ka 3 mijë e 700 të punësuar. “Ne nuk duhet të mendojmë se sektori bankar i Kosovës është imun ndaj sfidave, ne natyrisht kemi pasiguri të mëdha, mirëpo këto gjëra të cilat janë përtej kontrollit dhe ndikimit tonë. Problemet në Eurozonë janë mjaftë komplekse dhe nuk mund të rregullohen për një kohë të shkurtër”, ka thënë ai.
Ndërsa, Menderes Ibra, këshilltar në Ministrinë e Financave (MF) ka thënë se ky panair shërben edhe si një mekanizëm për informim më të mirë të bizneseve dhe qytetarëve, për produktet dhe shërbimet që ofron tregu financiar në Kosovë. “Niveli i borxhit privat në Kosovë i financuar nga sektori financiar është akoma i ulët krahasuar me vendet e rajonit dhe e cila arrin rreth 37 pwr qind të produktit vendor dhe kur shohim të njëjtit indikator dhe e krahasojmë me vendet e tjera në regjion vërehet se këtu ka ende hapësirë për rritje”, theksoi Ibra.
Kurse guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Gani Gërguri tha se sektori financiar në Kosovë, asnjëherë nuk ka qenë barrë e shtetit, madje, sipas tij, vetëm ka ndihmuar në zhvillimin ekonomik. “Sot kemi një sektor financiar që për dallim nga sektorët financiar në shumicën e vendeve, nuk është bërë asnjëherë barrë e shtetit. Por, përkundrazi edhe në kohët edhe më të vështira, si krizës financiare globale të vitit 2008-2009 edhe krizës tash së fundmi që po sillet në Eurozonë, me aftësinë e vet me mundësitë e veta ka vazhduar të ndihmojë në zhvillimin ekonomik dhe në zbutjen e efekteve negative që kanë kërcënuar ekonominë tonë nga sektori i jashtëm”, theksoi ai.
Panairi Financiar 2012 do të jetë i hapur për dy ditë me radhë. Ku në ditën e parë po diskutohet për Financimi dhe Zhvillimin si dhe të Ardhmen Bankare. Ndërsa, në ditën e dytë do të diskutohet për Financimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme si dhe Rregullativa e Industrisë Financiare. /Telegrafi/