Bima më e shtrenjtë në botë, kultivohet edhe në Kosovë‏

15:31 / 19.12.2012

Për herë të parë në Kosovë, po promovohet edhe kultura bujqësore e shafranit, e cila konsiderohet si erëza më e shtrenjtë në botë, pasi që një kilogram i saj arrin në mijëra euro. Kultura bujqësore e shafranit, e cila deri më tash ka qenë shumë pak e njohur në vendin tonë, ka filluar të kultivohet në masë të madhe nga shumë fermerë kosovarë, të cilët të mërkurën u bënë së bashku për të promovuar prodhimet e tyre, që janë të një cilësie mjaft të lartë.

Në promovimin dhe degustimin e shafranit, i cili u organizua nga Programi i USAID-it "Mundësitë e Reja për Bujqësi", përveç se u bënë të ditura të dhënat për këtë kulturë bujqësore, kultivuesve të saj iu ofrua mundësia që të krijojnë lidhje direkte me restorante dhe hotele për shitjen e kësaj kulture bujqësore.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se shafrani, edhe pse është shumë pak i njohur në vendin tonë, hyn në mesin e atyre kulturave bujqësore me të cilat Kosova përveç se ka mundësi ta mbulojë tregun vendor, mund të eksportojë edhe jashtë vendit. “Kërkesa për shafranin është shumë e madhe jashtë vendit tonë, por me kalimin e kohës e njëjta gjë do të jetë edhe në vendin tonë dhe për këtë arsye kultivimi i kësaj kulture bujqësore duhet të shihet si një mundësi e mirë për shumë fermerë të vendit tonë”, tha ministri Stavileci.

Ai tregoi se Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me USAID-in dhe donatorët tjerë, duke ditur potencialin që posedon Kosova, sidomos në njërën nga fushat që ka qenë më pak e përkrahur, atë të bimëve aromatike mjekuese, kanë vendosur që vitin e ardhshëm, brenda programit të tyre të përfshijnë edhe nënmasa të veçanta të përkrahjes për këto bimë edhe përmes granteve investive.

Ndërsa, sipas udhëheqësve të programit të USAID-it “Mundësitë e Reja për Bujqësi”, Kosova është njëra nga vendet që prodhon shafran të një cilësie mjaft të lartë.

Mark Wood, drejtor i këtij programi tha se po i shikojnë mundësitë që i kanë për të ofruar mbështetje për prodhuesit e shafranit. “Projekti USAID-it po e përcjellë këtë prodhimtari për së afërmi, sepse shafrani është një kulturë bujqësore që mund të rritet edhe në vendet e ftohta dhe ne e dimë se në tokat bujqësore të Kosovës mund të prodhohen edhe shumë kultura tjera bujqësore dhe aty ka hapësirë edhe për shafranin”, tha drejtori Wood.

Njëra nga kultivueset e shafranit është edhe Qefsere Vuçitërna, e cila sivjet për herë të parë ka filluar me kultivimin e kësaj bime, tregon se ka 50 ari ku e kultivon shafranin. “Në të ardhmen pres të rrisë këtë sipërfaqe pasi kjo është një mundësi mjaft e mirë për të përfituar”, thotë ajo.

Ndryshe, sipërfaqja totale e tokës së mbjellë më shafran në Kosovë për vitin 2012 është 6.4 hektarë, ndërsa prodhimtaria totale gjatë këtij viti arrin në rreth pesë kilogramë. Ndërsa, USAID-i përmes projektit NOA deri më tash ka përkrahur shtatë fermerë me gjithsej 3.2 hektarë. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.