BKT pa provizione për transferet e parave nga diaspora për në Kosovë
Banka Kombëtare Tregtare (BKT), ka eliminuar të gjitha provizionet për transferet e parave nga diaspora e Kosovës në vendet perëndimore, ndërsa së shpejti do të sjellim fonde shtesë për investime në Kosovë. Kështu kanë thënë drejtues të BKT në Kosovë gjatë një pritje që i bënë një delegacioni nga Oda Ekonomike e Kosovës e udhëhequr nga kryetari Safet Gërxhaliu të cilët i njoftuan për së afërmi me aktivitetet afariste të kësaj banke.Kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu përgëzoi menaxherin e BKT dhe njëherit i shprehu urimet për shpalljen e kësaj banke si më të suksesshme në Shqipëri. “Një eliminim i pagesave të provizionit për mërgatën kosovare në botë dhe njëherit përshpejtimi i pagesave në mes komunitetit kosovare dhe atij të Shqipërisë është diçka mjaft inkurajuese dhe dëshmuese për seriozitetin e BKT si në Kosovë, Shqipëri në rajon dhe më gjerë”, ka thënë Gërxhaliu.
Drejtori i BKT-së Suat Albayrak tha se me ligjin e ri për banka do të jenë në gjendje të ofrojnë kushte më të favorshme të kredive për klientët të bazuar në Ligjin e Bankave Islamike. “Së shpejti do të hapim këtë dritare edhe për klientë tanë në Kosovë. Kjo do të jetë një mundësi e re e cila me siguri do të ndikojë në shfrytëzimin e këtyre mjeteve. Pa dyshim se do të arrijmë që të sjellim fonde ekstra për të investuar në Kosovë”, ka thënë Albyrak.
Kjo bankë e cila ka një sistem më modern të IT është e vetmja që bëjnë printimin dhe shtypjen e kartelave kreditore në Kosovë. Po ashtu Albayrak njoftoi delegacionin se përmes lidhjes online me Shqipërinë pagesat nga të dy anët bëhen brenda disa sekondave.
BKT është pjesë e Qalik Group nga Turqia që kë ka 26 mijë të punësuar në 40 shtete dhe kryesisht merret me investime në energji, media, tekstil dhe ndërtimtari. Vetëm në sektorin e energjisë kanë të investuar 10 bilionë dollar. /Telegrafi/