BQE dhe Draghi përpara testit të madh
Sipas analistëve, nëse në ditën e Enjte presidenti i bankës qendrore Mario Draghi arrin të kënaqë pritshmërinë e tregjeve financiare duke garantuar njëkohësisht edhe konsensusin politik në temën e mënyrës për të ulur koston e borxhit të jugut europian, atëherë atij duhet t’i garantohet një vend në serialin e ardhshëm të filmit “Mision i Pamundur”.Në ditën e Premte, të dhënat e punësimit për Gushtin në Shtetet e Bashkuara konsiderohen kritike për vendimin që do marrë kreu i Rezervës Federale në lidhje me lehtësimin e politikës monetare. Por, për shkak të potencialit të lartë kërcënues që ka për tregjet globale financiare sëmundja ekonomike në Eurozonë, konferenca për media e Draghit që do pasojë mbledhjen e bordit drejtues të Bankës Qendrore Europiane, konsiderohet si ngjarja që do përcaktojë edhe humorin e tregjeve për pjesën e mbetur të vitit.
Në Korrik ai rriti pritshmërinë e tregjeve duke premtuar të paguajë të gjithë faturën që garanton se Eurozona nuk shpërbëhet. Në këtë kontekst do të ketë zhgënjim të lartë nëse investitorët nuk informohen për detajet e planit të ndërhyrjes në treg nga banka europiane. Analistët thonë se një tjetër dështim i tij dhe risk shumë i madh është të shuajë dyshimet që ka Bundesbank, mbi ligjshmërinë dhe efektshmërinë e blerjes drejtpërdrejt në treg të bonove spanjolle dhe italiane.
Banka Qendrore gjermane nuk ka veton tek banka e Europës, por opozita e saj është e aftë të limitojë synimet dhe për pasojë edhe besueshmërinë e programit të blerjes së bonove. Një tjetër rrezik në rritje është edhe shtrëngimi i kushteve të detyrimit të Spanjës për të kërkuar ndihmë sipas stilit grek, një vendim që nuk mund të kapërdihet lehtë në gadishullin Iberik. /Telegrafi/