BSPK kërkon nga Qeveria ta ndalojë ngritjen e çmimit të rrymës
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka kundërshtuar ngritjen e çmimit të energjisë prej 8.9 për qind. Drejtues të BSPK-së, pohuan se ngritja e çmimit, në këtë kohë, është e papërballueshme për qytetarët e vendit, kur dihet përqindja e lartë e varfërisë dhe papunësisë. Andaj ata kanë kërkuar nga qeveria që kjo ngritje e çmimit të energjisë elektrike të pengohet. Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi tha se do të kërkojë nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, që të mos lejojë ngritjen e çmimit të energjisë, në të kundërtën do t’u bëjnë thirrje qytetarëve që ta bojkotojnë pagesën e energjisë elektrike.
“Ne po insistojmë që përmes dialogut t’i kryejmë, sepse këtë mund ta bëjë Qeveria, gjegjësisht personat që janë kompetent dhe kanë përgjegjësi. Por nëse jo, atëherë ne jemi duke shqyrtuar në mesin tonë dhe në diçka tjetër. Ndoshta një ditë do të dalim dhe t’i ftojmë popullatën, nëse ka nevojë që ndoshta duhet ta bojkotojnë pagesën, derisa nuk mbushen mend sepse me të vërtetë, është diçka e papërballueshme në këto momente”, ka thënë Arifi , në një konferencë për media,.
Ai më tej pohoi se “ngritja e çmimit të energjisë, në mënyrë zingjirore, bën edhe ngritjen e çmimeve të artikujve ushqimor dhe kjo është e papërballueshme për qytetarët e varfër të këtij vendi”.
Ai ka thënë se do të kërkojnë nga kryeministri që ta shqyrtojë në kabinetin e tij dhe ta ndalojnë këtë ngritje, në këtë gjendje alarmante në të cilën gjendet popullata.
“Kjo rritje e çmimit prej 9 për qind të mos të ndodh, sepse në këtë gjendje që është popullata, punëtoria kosovare, është një barrë e rëndë, të cilën edhe ashtu mezi e mban mbi supet e tyre. Me të gjitha problemet edhe kjo të jetë një ngarkesë, është diçka që duhet ta shqetësojë çdo institucion, posaçërisht ata që marrin vendime të tilla në këto momente, me një papunësi mbi 50 për qind, një varfëri të skajshme mbi 18 për qind dhe kjo është diçka që për ne është e papranueshme që të ndodh në këto momente. Andaj, unë kam kërkuar një takim dhe prapë do të kërkoj me kryeministrin që Qeveria në krye me kryeministrin këtë çmim që është ngrit prej 9 për qind të mos ta lejojë të ndodh”, tha Arifi, transmeton Kosovapress.
Edhe nënkryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, tha se nuk është bërë një analizë e mirëfillte, kur është kërkuar ngritja e çmimit të energjisë dhe se paaftësia e KEK-ut në menaxhim, po bie në kurriz të popullatës.
Ndryshe, pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për ngritje të çmimit të energjisë prej 8.9 për qind, kanë reaguar shoqëria civile dhe qytetarët, të cilët e kanë kundërshtuar këtë rritje. Madje, janë paralajmëruar edhe protesta, në rast se vendimi për ngritje të energjisë nuk tërhiqet. /Telegrafi/