Buxheti i Ferizajt për 2013, më i lartë për 4 %
Buxheti i komunës së Ferizajt, për vitin 2013, do të jetë më i lartë për 4 për qind se sa buxheti aktual i këtij viti, kanë bërë të ditur të hënën zyrtarë të Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Buxhet. Ky draft buxhet, i cili para se të shkoj në kuvend, për miratim, në fund të këtij muaji do t'i nënshtrohet edhe një diskutimi publik me qytetarët në fund të kësaj jave dhe rekomandimet e dala nga aty do të inkorporohen në draftin final. Draft-buxheti për vitin 2013, ka paraparë rritjen e mjeteve në kategorinë për investime kapitale për 10.8 për qind, rrije të subvencioneve për 7.81 për qind, rritje të shpenzimeve komunale për 4.14 për qind, zvogëlim të mjeteve në kategorinë për mallra dhe shërbime për 5. 03 për qind si dhe nivel të njëjtë për kategorinë paga dhe mëditje.
Drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Buxhet, Mustafë Grainca, ka thënë se Komuna e Ferizajt, krahas finalizimit të draft-buxhetit për vitin 2013, ka bërë edhe vlerësimet për vitin 2014-2015. “Kemi zhvilluar një proces transparent në kohë, ku në këtë proces kanë marr pjesë përpos zyrtarëve autorizues të programeve edhe qytetarë përmes dëgjimeve publike, pastaj takimet tjera që ka zhvilluar kryetari i komunës, bashku më drejtorin e Planifikimit, Zhvillimit dhe Rindërtimit në të gjitha lokalitete pothuajse të komunës dhe mbi bazën e këtyre të dhënave ne kemi hartuar këtë projekt buxhet i cili që nga dita e nesërme do të jetë në dorën e anëtarëve të kuvendit”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Ekonomisë, Financave dhe Buxhetit, Mustafë Grainca, raporton Kosovapress.
Për më tepër, bëhet e ditur se buxheti me këtë rritje do të ndikoj në rritjen e mirëqenies së qytetarëve. /Telegrafi/