“Çalik-Limak” mund të përfitojë miliona nga grumbullimi i borxhit të vjetër
Konsorciumi “Kosovo Çalik-Limak Energy” do të jetë “agjent” i Korporatës Energjetike të Kosovës (KÇLE) për grumbullimin e borxheve të vjetra. Madje ky konsorcium turk që e ka privatizuar Distribucionin dhe Furnizimin mund të fitojë dyfish më shumë se që ka paguar për të blerë këtë aset nga grumbullimi i borxheve të vjetra. Të gjitha këto janë paraparë në dokumentin i cili është draftuar nga përfaqësues të KEK-ut dhe Këshilltari i Transaksionit (IFC), dhe shërben si marrëveshje për mbledhjen e borxheve të vjetra (Collection Agreement) midis KEK-ut dhe KEDS (Kosovo Çalik- Limak Energy).
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, e cila është nënshkruar në mes të KEK-ut dhe “Kosovo Çalik-Limak Energy”, konsorciumi turk nuk është i obliguar që të shkyçë konsumatorët nga rrjeti i energjisë elektrike për shkak të borxheve të vjetra. Madje nuk është i obliguar as t’i padisë konsumatorët të cilët i kanë borxhe KEK-ut për mos pagesë të energjisë elektrike të shpenzuar ndër vite. Kujtojmë që Qeveria e Kosovës disa herë e ka përsëritur se borxhet që konsumatorët ia kanë KEK-ut nuk do të falen, raporton “Koha Ditore”.
Të gjitha borxhet që konsumatorët do t’i kenë në muajin maj, kur pritet të bëhet marrja në menaxhim e këtij aseti nga KÇLE-ja do të llogariten si borxhe të vjetra dhe do të grumbullohet pikërisht nga konsorciumi që ka privatizuar këtë kompani.
Në marrëveshjen për mbledhjen e borxheve që është nënshkruar nga KEK-u dhe KÇLE-ja janë përcaktuar përqindjet që do t’i fitojë konsorciumi turk nga mbledhja e borxhit të vjetër, të cilën KEK-u nuk ka arritur të grumbullojë gjatë 12 vjetëve, sa ka menaxhuar me Distribucionin dhe Furnizimin.
Nëse KÇLE-ja arrin të grumbullojë borxhet nga konsumatorët që kanë mbi 10 mijë euro borxhe, atëherë do të përfitojë 15 për qind të atij borxhi. /Telegrafi/