Çmimet po ngritën
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) apelon tek Qeveria, që të përgatit një pako sociale shtesë, për kategoritë më të rrezikuara, pasi që ngritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve bazike, do të jenë një grusht i rëndë për politiken sociale në Kosovë. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, në një konferencë për media me temën “Stimulimi dhe mbrojtja e prodhimit vendor në kontekstin e krizës së vitit 2012”, tha të premten se të dhënat rreth ngritjes së çmimeve të produkteve bazike, janë alarmante dhe se duhet një qasje serioze dhe pragmatike në këtë drejtim.Gërxhaliu tha se në Kosovë ka ngritje të çmimeve dhe nuk ka punësim dhe se ky është një sinjal i qartë që institucionet duhet të bëjnë më tepër, në forcimin e pakos sociale. Ai pohoi se është i vetëdijshëm për vështirësitë buxhetore, por se me një vullnet mund të gjinden alternativa në këtë drejtim. “Ajo që brengos më tepër aktualitetin ekonomik, është rritja e mundshme e çmimeve të artikujve ushqimor. I kemi analizuar disa fakte dhe shifra shqetësuese në realitetin kosovar. Jemi nisur nga fakti që 325 mijë qytetarë, përfshihen në asistencë sociale dhe kjo nënkupton që rreth 20 për qind e popullsisë janë të varfër dhe të gjithë këta janë të orientuar në asistencë sociale, të cilat nuk mjaftojnë falë standardit jetësor, që shumëkush e krahason Kosovën, si një shtet me standard dhe çmime evropiane dhe të hyra afrikane”, pohoi Gerxhaliu.
Gërxhaliu po ashtu tha se javëve të fundit, në bursat botërore ka ngritje drastike, sidomos sa i përket çmimeve të produkteve bazike ushqimore. Sipas tij në bazë të madhe çmimet e ngritura në bursat botërore janë si pasojë e thatësisë së madhe në SHBA, dhe se çmimi i misrit ka pësuar rritje enorme nga 825 dollarë për fuqi, në vitin e kaluar në 16 mijë e 915 dollarë për fuqi në këtë vit dhe se parashikimet në nivel botëror janë që në dy muaj të fundit ka rritje të çmimeve deri në masën 5 për qind. Ndërsa në nivel rajonal, në Kroaci, Serbi, Hungari dhe Maqedonia në rendimentet e drithërave ka ulje të parashikimeve fillestare në masën 2 për qind. Ky fenomen, sipas Gërxhaliut nuk do ta anashkalojë edhe Kosovën.
Në përgjithësi siç tha ai në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimet e drithërave, nëse merret mesatarja e vendeve të rajonit kanë rritje prej 2.22 për qind, dhe se nëse nuk ndryshon diçka që do të ndikojë në rritjen e rezervave në nivel botëror, në tetor të vitit 2012 parashihet që çmimet e produkteve bazike të rriten deri në 10 për qind. Ai tha se bazuar në këto parashikime, Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se duhet të gjinden modalitete, si të minimizohen pasojat e kësaj krize dhe në tregun kosovarë bazuar në indikatorët paraprak.
Gërxhaliu po ashtu foli dhe për stimulimin dhe mbrojtjen e prodhimit vendor, në kontestin e krizë së vitit 2012. Ai tha se OEK ka qenë një zë lobues që vizioni ekonomik i Kosovës, të jetë i orientuar ka prodhimi dhe ndryshimet në politikë fiskale, të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik, duke mbështetur sektorin privat, në veçanti ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe se fokus i veçantë t’i kushtohet sektorit prodhues. “Shumë herë ka qenë shqetësues fakti, që në komunitetin e biznesit është shpërndarë një informatë jo e mirë, që shumë më lehtë dhe më mirë është që në Kosovë të tregtohet se sa të prodhohet. Ne si OEK kemi lobuar dhe kemi avancuar partneritetin dhe dialogimin me Qeverinë e Kosovës dhe vërtet orientimi kyç, ka qenë që të jemi të orientuar kah prodhimi vendor, jo vetëm për të promovuar vlerat e Kosovës, jo vetëm për të promovuar rëndësinë e ndërmarrësisë kosovare, por dhe të forcohen indikatorët ekonomik, që kishin me ardhur si rezultat i forcimit dhe avancimit të prodhimit ”, pohoi Gërxhaliu.
Ndryshe, OEK me qëllim të krijimit të një garance të stabilitetit ekonomik dhe politik, rekomandon që urgjentisht, të fillojë krijimi i rezervave shtetërore, së paku të mos vazhdojnë pasojat edhe vitin tjetër. Të përshkallëzohet TVSH-ja për produkte bazike, drithëra sheqer dhe vaj, si e vetmja mundësi për të mbajtur fuqinë blerëse pa rënë. Të subvencionohet nafta dhe plehrat, që janë përdorur në kultivimin dhe korrjen e kulturave bujqësore të drithërave dhe të përgatitet një pako sociale shtesë për kategoritë më të rrezikuara. Gërxhaliu, pohoi se beson që këto rekomandime të pa politizuara dhe profesionale, do të merren në shqyrtim në të mirë të Kosovës, stabilitetit social dhe mirëqenies së qytetarëve. /Telegrafi/