Çohu, politika kontrollon institucionet e pavarura

16:16 / 26.02.2013

Emrat e kandidatëve për Guvernatorë të Bankës Qendrore të Kosovës, aktualisht janë në Komisionin për Financa të Kuvendit të Kosovës dhe pritet që në seancën e 1 marsit të jenë në rend dite. Ndërkohë mundësia e emërimit të ish-ministrit të financave në krye të BQK-së ka nxitur reagimin e të opozitës dhe të Organizatave joqeveritare të cilat kundërshtojnë emërimet politike në institucionet e pavarura.

Kontrolli i qeverisë mbi Kuvendin e Kosovës po e mundëson emërimin politik të militantëve partiak nëpër postet kyçe të institucioneve të pavarura. Kështu ka deklaruar për Radio Dukagjinin Avni Zogiani nga Organizata Antikorrupsion “ÇOHU”. Sipas tij institucionet të cilat duhet të jenë plotësisht të pavarura nga politika, asnjëherë nuk kanë qenë të tilla.

“Në asnjë moment nuk i ka shërbyer publikut të Kosovës, ose ekonomisë së Kosovës. Në vazhdimësi kemi pas një sektor financiar të menaxhuar, ose të përshtatur për interesat e bankave të cilat kanë dëmtuar seriozisht interesin dhe ekonominë e Kosovës”, ka thënë Zogiani.

Lidhur me emërimin e mundshëm të ish-ministrit të Financave Bedri Hamza në krye të Bankës Qendrore të Kosovës, shefi i grupit parlamentarë të LDK-së Ismet Beqiri ka deklaruar se BQK-ja po shndërrohet ne bankë të PDK-së.

“Një njeri që deri dje ka qenë ministër dhe është në strukturat e partisë sot me u bë guvernator banke, kjo lidhje nuk ka me institucionin e pavarur në këtë rast të BQK-së. Përkundrazi ajo bankë shndërrohet në bankë të PDK-së”, ka deklaruar Beqiri.

Ndryshe, në seancën e Kuvendit që pritet të mbahet me 1 mars pritet të jetë në rend të ditës edhe përzgjedhja e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, ku në garë janë Bedri Hamza, ish-ministër i Financave dhe Gani Gërguri që deri më tash ka qenë në pozitën e guvernatorit. /Dukagjini/Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.