Deri më 2016, Kosova me dy autostrada të standardit evropian
Nëse gjithçka shkon sipas planit, autostrada Prishtinë-Shkup do të nisë së ndërtuari nga viti i ardhshëm. Edhe pse është financim i buxhetit, as kësaj radhe nuk do të caktohet ndonjë çmim për realizimin e këtij projekti, por do t’i jepet mundësia kompanive pjesëmarrëse që të garojnë për këtë projekt. Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka thënë se deri në vitin 2016, Kosova do të ketë në funksion dy autostrada të nivelit evropian.Ministria e Infrastrukturës po pret që pas marrjes së dritës së gjelbër nga FMN-ja dhe pas nisjes së studimit të fizibilitetit nga ana e Bankës Botërore të nisin vitin e ardhshëm edhe punimet për ndërtimin e autostradës së dytë të vendit, raporton KTV-ja.
Edhe pse zyrtarët qeveritarë kanë thënë në kushte anonimiteti kohë më parë se kanë parashikuar që vlera e ndërtimit të këtij projekti të arrijë 1 miliard euro, i pari i kësaj ministrie, Fehmi Mujota, ka thënë se kjo çështje i mbetet frazës tashmë të zakonshme - ekonomisë së lirë të tregut.
Mirëpo, zhvillimet e fundit në eurozonë dhe problemet me të cilat po përballen kompanitë, kanë bërë që Mujota të shpresojë për ndërtimin e kësaj autostrade me një çmim më të lirë sesa ai i autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë.
Megjithatë, Mujota nuk ka dhënë detaje se në çfarë mënyre do të bëhet ridizajnimi i 13 kilometrave të autostradës nga Kaçaniku deri në kufi me Maqedoninë.
Njëjtë sikur me ndërtimin e autostradës aktuale, Mujota, ka thënë se pret të ketë probleme me shpronësime edhe për këtë autostradë të re.
Ndërkohë dy autostradat pritet të kenë një lidhje të përbashkët.
Kjo autostradë parashihet të jetë e ndarë në dy seksione, në atë veriore dhe jugore.
Autostrada do të jetë e tipit të mbyllur dhe shpejtësia në këtë autostradë do të jetë 120 kilometra në orë. /Telegrafi/