Dështimi i madh i qeverisë te legalizimet
4504 prona! Kaq është numri i ndërtimeve pa leje që kanë përfituar nga procesi i legalizimeve deri më sot nga mbi 270 mijë që kanë aplikuar për legalizim. Këto janë të dhënat e paraqitura nga një raport i Bankës Botërore i publikuar së fundmi, ku përdorimi i fjalës “korrupsion” është aq i shumtë, sa bie paksa ndesh me politikën e zakonshme të korrektesës diplomatike që përdorin institucionet ndërkombëtare. Raporti, i publikuar për të dytën ditë rresht në gazetën “Shqip”, vëren se Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale ose ALUIZNI, ka marrë burime të bollshme financiare që paguhen nga taksapaguesit, por procesi ka ecur tejet ngadalë në raport me koston e kësaj ngrehine institucionale.
Njëra anë e dështimit i dedikohet mungesës së parave. Kur dikush premton tokë falas, vështirë se kjo mund të rezultojë e vërtetë. Por një pjesë tjetër e dështimit duket se nuk ka lidhje me paratë.
Rreth një e treta e ndërtimeve pa leje, sipas raportit të Bankës Botërore, janë ndërtime pa leje në pronë të vet dhe në një rast të tillë, nuk ka kosto kompensimi. Megjithatë, procesi nuk ecën.
“Procesi i legalizimit ka ecur ngadalë përkundër burimeve që i janë kushtuar. ALUIZNI është një organizatë e madhe dhe e pajisur mirë me burime, kostot operative të së cilës i mbulon buxheti i shtetit”, thotë raporti. Megjithatë, vetëm 4500 subjekte në 270 mijë të tilla ose vetëm 1.7 për qind e aplikantëve kanë mbaruar punë. /Telegrafi/