Diskutohet Ligji për blerje të produkteve vendore me asociacionet e bizneseve
Me ftesë të zëvendëskryeministres dhe ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, si inicuese e idesë për blerjen e produkteve kosovare, si dhe udhëheqëse e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, diskutoi me përfaqësues të prodhuesve kosovarë dhe asociacione të biznesit për të hapat e mëtutjeshme për Ligjin e produkteve kosovare.Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari – Lila fillimisht tregoi përparësitë e ligjit për blerjen e produkteve vendore e cila rrit ndërgjegjësimin e publikut të gjerë për blerjen e produkteve vendor: “Rritja e konsumit për produkte vendore, rritja e konkurrueshmërisë, krijimi i një tereni të barabartë në fushën e tregtisë si dhe një politikë që hap tregje janë disa nga përparësitë e këtij ligji”, theksoi Kusari - Lila. Ajo tha se standardi dhe etika e punës janë dy elemente kryesore që duhet ti kenë parasysh bizneset.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini tha se ky është propozimi më i mirë deri më tani dhe se e mbështet me plotni amendamentimin e këtij ligji. Ndërsa, përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës thanë se duhet të jemi shumë të kujdesshëm për procedurat e tenderimit, ngase sipas eksperiencave paraprake është bërë seleksionimi i bizneseve para se ato të merrnin pjesë në një tender.
Dhjetëra biznese të pranishme në këtë takim u pajtuan që nuk është nevoja të krijohet një ligj i ri, por të amendamentohet Ligji aktual për Prokurim Publik. Ky amendamentim duhet të nis nga Ministria e Financave, ku do të ketë edhe takime tjera për të marrë pajtimin e asociacioneve të biznesit si dhe të ministrive tjera.
Konkluzionet nga ky takim do të përcillen në mbledhjen e gjashtë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik që do të mbahet më 13 nëntor. Më pas, do të krijohet një grupi nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Financave për implementimin e iniciativës për Blerje të Produkteve Kosovare nga institucionet e vendit me kontrata publike. Ky grup do përcaktojë ndikimet ekonomike dhe ligjore, përfitimet nga kjo iniciativë dhe ndryshimet në ligje.
Ideja për blerjen e produkteve vendore u miratua në mbledhjen e pestë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. /Telegrafi/