Dogana duhet tu kthejë importuesve të çimentos 33 mijë euro
Tarifa prej 35 për qind në importin e çimentos ka grumbulluar në arkën e Doganave të Kosovës rreth 33 mijë euro, për 45 ditët sa ishte në fuqi ky vendim i Ministrisë së Tregtisë. Por kjo shumë e mbledhur nga tarifa e përkohshme, sipas Ligjit për masat mbrojtëse në importe, nuk mund të derdhet në buxhetin e Kosovës. Ajo shumë e inkasuar duhet t’u kthehet importuesve, pasi Ministria pas hetimeve ka arritur në përfundim që rritja e importeve të produktit të hetuar në territorin e Republikës së Kosovës nuk shkakton ose nuk kërcënon t’i shkaktojë dëme serioze prodhuesit vendor. “Doganat e Kosovës nuk kanë marrë ndonjë urdhëresë nga Ministria për kthimin e tarifës prej 35 për qind që është marrë nga importuesit e çimentos gjatë periudhës sa ka qenë në fuqi vendimi i Ministrisë”, thotë Fllanza Mezini, zyrtare për informim në Doganat e Kosovës.
Sipas të dhënave të Doganave, gjatë kësaj periudhe në Kosovë është importuar çimento në vlerë doganore prej 108 mijë eurosh, për të cilën importuesit është dashur të paguanin rreth 33 mijë e 600 euro në emër të tarifës prej 35 për qind. Këto mjete kanë mbetur anash buxhetit të grumbulluar nga Doganat deri në vendimin e Ministrisë së Tregtisë, e cila sipas ligjit duhet të urdhërojë kthimin e tyre tek importuesit e çimentos, në të kundërtën duhet vendosur një tarifë të mbrojtëse për prodhuesit vendorë.
Zyrtarët e Ministrisë thonë se masat e përkohshme, të ndërmarra më 11 qershor 2012, kanë arritur qëllimin e tyre meqë kanë parandaluar fluksin e pakontrolluar të importit të çimentos, posaçërisht gjatë sezonit të ndërtimit. E në ligjin ku Ministria është bazuar për të marrë vendimin, nuk flitet askund për arritjen e qëllimeve të tilla. Masat e përkohshme, sipas Arta Istrefit, këshilltare politike për media e ministres së Tregtisë, gjithashtu kanë siguruar stabilitet për prodhuesin vendor dhe kanë mundësuar shtim të kapaciteteve vendore në industrinë e ndërtimit, shkruan Koha Ditore.
Zbatimi i një mase mbrojtëse ndaj çimentos, sipas ligjit, mund të përsëritet sërish në importin e një produkti të caktuar, vetëm një vit pas skadimit të masës mbrojtëse të zbatuar. /Telegrafi/