Ekonomia gjermane stabile
Agjencia e Vlerësimit të Kreditit Standard & Poor's ka konfirmuar nivelin maksimal 3A, të vlerësimit të kreditit për Gjermaninë, duke thënë se, edhe parashikimi për të ardhmen është i “qëndrueshëm”. Si arsye kryesore, S&P përmend aftësinë e ekonomisë më të madhe në Europë për të përballuar goditjet e mundshme financiare dhe ekonomike.Standard & Poor's tha në raportin e saj se ky vlerësim reflekton ekonominë e shëndoshë dhe të larmishme të Gjermanisë, konkurrueshmërinë e saj, pozicionin e fortë me kreditorët e jashtëm, politikat e kujdesshme fiskale dhe disiplinën në shpenzime. “Ne vazhdojmë të jemi të mendimit se ekonomia gjermane ka treguar se është e aftë për të përballuar goditjet më të fuqishme ekonomike dhe financiare, të tilla si ribashkimi i dy Gjermanive në vitin 1990, apo recesioni global në vitin 2009”, tha Standard & Poor's në raportin e saj.
Muajin e kaluar, agjencia tjetër e vlerësimit të kreditit, Moody's, uli parashikimin për ekonominë e Gjermanisë, Holandës dhe Luksemburgut nga “të qëndrueshme” në “negative”, me arsyetimin se kriza e borxheve në Eurozonë ka prekur edhe ekonomitë më të qëndrueshme të bllokut. “Ekonomia gjermane është ngadalësuar”, shtoi S&P dhe parashikon që PBB të rritet me përafërsisht 1 për qind në 2012 dhe 2013, nga 3 për qind që ishte parashikimi i përparshëm.
Të dhënat e publikuara të mërkurën treguan se sektori i manifakturës në Gjermani u kontraktua në korrik me hapin më të shpejtë në tre vitet e fundit. /Telegrafi/