Elkos sërish pjesë e garës për PTK-në
Kompania “Elkos” edhe pse nuk është parakualifikuar për privatizimin e 75 për qind të aseteve të Telekomit, sërish do të jetë në garë, por kësaj radhe jo e vetme. Meqë mundësitë ligjore i kanë lejuar të bëjnë bashkëpunim me një nga kompanitë e parakualifikuara, “Elkos” tashmë e kanë bërë këtë. Zyrtarë të saj nuk tregojnë emrin e kompanisë me të cilën kanë filluar bashkëpunim, por kanë synime të marrin aksione edhe më shumë se që ka Qeveria, pra më shumë se 25 për qind.Deklarata e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj se nuk janë as në presion kohor e as financiar që ta privatizojnë Telekomin, dalin të mos jenë të vërteta. Zyrtarë të “Elkos” e dëshmojnë të kundërtën, ndërsa ekspertët thonë se fakti që po duan ta përmbyllin këtë proces për më pak se katër muaj, ky është presion buxhetor gjithsesi.
Bekim Abazaj, menaxher i projektit nga “Elkos” thotë se do të jenë në garë gjithsesi meqë kanë mundësi ligjore dhe se emrin e kompanisë do ta tregojnë në fillim të shtatorit.
Sipas tij, më nuk do të kenë 75 për qind të aksioneve siç kanë synuar por shpresojnë të mos kenë më pak aksione se Qeveria. “Sigurisht një përqindje e vogël nuk do të jemi. Do të jetë një fuqi bajagi e madhe por jo qysh e kemi synuar ta kemi në pronësi 75 për qindëshin por më mirë pak se hiq. Do të synojë më shumë se Qeveria por varet nga partnerët sa do të na lënë hapësirë. Shpresojë se do të marr më shumë se Qeveria në këtë rast”, tha ai.
Ndërsa njohësit e çështjeve ekonomike thonë se këto lloj marrëveshje duhet të sqarohen, a janë koncesion apo çfarë lloj marrëveshjesh janë?!
Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i STRAS-it, thotë se Qeveria me shitjen e Telekomit po i harxhon resurset e veta për t’u paraqitur si faktor i rëndësishëm në treg. “Është çështja e problemeve me buxhetin por edhe me stabilitetin makrofiskal, por është edhe një problem tjetër. Ajo shitet, shpenzohen parat dhe nesër prapë do të paraqiten probleme të njëjta. Qeveria po i harxhon resurset e veta që të paraqitet si faktor i rëndësishëm në treg. Por problem është edhe kush janë ofertues?! Sipas emrave nuk janë emra të mëdhenj global por thuhet se janë në bashkëpunim me disa kompani që janë të qëndrueshme në tregun ndërkombëtarë, e dilema është e që duhet të sqarohet se a janë në konsorcium apo janë në një bashkëpunim financiar apo i çfarë lloji”, theksoi Rexhepi.
Në anën tjetër, edhe pse ministri Besimi Beqaj thotë se nuk janë as në presion kohor e as financiar për të privatizuar Telekomin, rasti me kërkesën e “Elkos” i cili kërkoi edhe disa ditë shtesë para vendimit për parakualifikim, e vë në pikëpyetje mungesën e presionit kohor. “Nuk jemi as në presion kohor e as financiar që ta privatizojmë Telekomin. Do ta privatizojmë vetëm atëherë kur konsiderohet nga Qeveria dhe nga Komiteti se është e arsyeshme të vazhdohet me një proces të tillë”, ka thënë ai.
Por Abazaj nga “Elkos” thotë se në periudhën kur kanë kërkuar afat shtesë për të bërë marrëveshje me një operator që ka përvojë në fushën e telekomunikacionit, nga ministria kanë marrë përgjigjen se nuk kanë kohë.
Sipas Abazajt, Këshilltari i Transaksionit ka thënë se nuk mund ta marrin as në konsideratë kërkesën e tij, ngase FMN-ja ka caktuar afatet kohore. “Një javë para se të përmbyllet afati kemi marr përgjigje nga këshilltari i Transaksionit se është e pamundshme të merret në konsideratë ajo kërkesë për shkak se FMN-ja ka kërkuar dhe duhet të hapet tenderi në fillim të shtatorit. Jemi detyruar që të vazhdojmë garën të vetëm. Pra, nuk është përfillur një kërkesë e jona legjitime që në 99 për qind të rasteve Qeveria e Kosovës çdo herë i ka përkrahur kërkesat e operatorëve te huaj, por ndoshta ka ndikuar FMN-ja që të mos shkohet më një afat shtesë”, ka thënë ai.
Ndryshe, pak ditë më parë, Komiteti Vlerësues ka parakualifikuar pesë kompani për privatizimin e 75 për qind të aseteve të Telekomit, duke diskualifikuar tri të tjera, në mesin e tyre edhe kompaninë “Elkos”, si e vetmja konkurrente vendore që nga fillimi i procesit. /Kosovapress/Telegrafi/