Eurostat, Shqipëria kampione në rajon për ndërtimin e autostradave
Shqipëria rezulton të jetë kampione në mesin e shteteve të rajonit në ndërtimin e autostradave. Sipas të dhënave të Eurostatit, të përmbledhura nga agjencia turke e lajmeve “Anadolia”, vetëm në tre vitet e fundit shteti shqiptar ka ndërtuar 300 kilometra autostradë. Kjo e dhënë është dyfishi i kilometrave të ndërtuara në Maqedoni, që nga pavarësimi i saj. Vetëm 150 kilometra në 20 vitet e fundit. Eurostat bën të ditur se Serbia ka ndërtuar 114 kilometra në 7 vitet e fundit, ndërsa Mali i Zi nuk ka arritur të ndërtojë as edhe një kilometër. Edhe Bosnja e Hercegovina rezulton të ketë ndërtuar shumë pak autostradë dhe kjo është vetëm 71 kilometra në 12 vjetët e fundit. Në Shqipëri janë asfaltuar që nga viti 2005 e deri tani rreth 9 mijë kilometra rrugë, autostrada, superstrada, rrugë dytësore dhe rrugë tretësore.
Qeveria e drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha, gjatë 6 vjetëve të fundit në Shqipëri ka ndërtuar 9103 km, ku nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit janë investuar 26.7 miliardë lekë për 1090 km rrugë dytësore, përmes grantit konkurrues dhe Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve 28 miliardë lekë për 5957 km dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve 2056 km rrugë.
Bashkuar të tre programet, rrugët e ndërtuara nga DPRR, rrugët e ndërtuara nga FSHZH dhe rrugët e ndërtuara përmes Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve, janë plot 9103 km rrugë që qeveria Berisha ka bërë në intervalin kohor 2005-2012. Janë 276 miliardë lekë të reja të investuara në sektorin e infrastrukturës rrugore kombëtare. /Telegrafi/