Evoluimi i marketingut ndërkombëtar në Kosovë - para vitit 1999

16:57 / 30.01.2013

Marketingu ndërkombëtar edhe në ditët e sotme për ekonominë e Kosovës, përkatësisht ndërmarrjet kosovare, është nocion pothuajse i panjohur. Zhvillimi i ekonomisë apo këmbimeve ndërkombëtare të Kosovës para vitit 1999 mund të ndahet në tri etapa kryesore :

- Etapa e parë: periudha deri në vitin 1974;
- Etapa e dytë: periudha kohore prej 1974 deri më 1989 dhe
- Etapa e tretë: periudha prej 1989 deri në vitin 1999.

Etapa e parë (deri në vitin 1974) Kosovën e karakterizon me një ekonomi të prapambetur e të trashëguar nga sundimi feudal turk, por që nuk u përmirësua as nën sundimin jugosllav. Përkundrazi, në këtë periudhë u keqësua edhe me shumë, pasi udhëheqësia jugosllave Kosovën nuk e llogariti si pjesë të politikës së zhvillimit.

Më 1928 minierat e plumbit dhe zinkut të Kosovës bëhen pronë e kapitalit të huaj, respektivisht të bashkësisë ekonomike angleze “Selection Trust Limited” nga Londra .

Kjo shoqëri aksionare formoi tri minierat e njohura edhe jashtë vendit më vonë: Minierën e Trepçës, atë të Kopaonikut dhe Minierën e Novobërdës, të cilat i eksploatoi deri në vitin 1938. Ky “investim i huaj” nuk ndikojë pozitivisht në zhvillimin e vendit, sepse as kjo shoqëri e huaj dhe as borgjezia jugosllave nuk ishin të interesuara dhe nuk pretendonin që këto resurse natyrore t’i finalizonin në Kosovë, gjë që do të ndikonte që të zhvilloheshin kapacitetet prodhuese.

Gjatë kësaj periudhe, përveç industrisë ekstra-aktive, deri diku filloi të zhvillohet edhe bujqësia, peshkataria etj.

Etapa e dytë njihet si etapa e intensifikimit të këmbimit ndërkombëtar dhe kjo ndodhi si rrjedhojë e aprovimit të Kushtetutës së vitit 1974, me të cilën Kosova fitoi një status më të avancuar në krahasim me atë paraprak. Me Kushtetutën e vitit 1974 dhe reformën e Jugosllavisë, vendi fitoi atributet e një eksportuesi dhe importuesi të pavarur në botë, gjë që ndikojë në zhvillimin më të hovshëm ekonomik.

Gjatë kësaj kohe, industria e Kosovës u pasurua me degë të reja, e sidomos me disa kapacitete të industrisë përpunuese. Me reformën ekonomike të atëhershme, në aspektin e marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare, Kosova nisi të rrisë transaksionet ekonomike ndërkombëtare.

Sipas të dhënave, Kosova kishte marrëdhënie ekonomike me 69 shtete të ndryshme të botës, ku prej tyre 23 ishin nga Evropa, 19 të tjera nga Azia, 11 nga Afrika etj.

Gjatë periudhës kohore 1974-89, industria ekstra-aktive, agrobiznesi, industria e tekstilit, industria e metalurgjisë se zezë, ajo kimike dhe energjia arritën të zhvillohen në shkallë mjaft të lartë, sa që siguruan imazh prestigjioz edhe në vendet e huaja .
Etapa e tretë, prej viti 1989 deri në vitin 1999, mund të cilësohet si periudha e shkatërrimit të vlerave të jetës shoqërore dhe ekonomisë. Kjo dekadë filloi me largimin nga puna të punëtorëve shqiptarë, mbylljen e shkollave në gjuhën shqipe dhe të Universitetit të Prishtinës, integrimin e dhunshëm të gjigantëve të Kosovës në kompetencat e Serbisë (Elektroekonomia e Kosovës, Trepça, Eximkos-i e të tjera ), që kulmoi me luftën e tmerrshme e cila shkaktoi mbi 22 mijë njerëz të vrarë dhe shkatërrim total të ekonomisë së Kosovës.

 

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.