Fillojnë punimet e top projektit për vitin 2012
Ka filluar realizimi i projektit kryesor të planifikuar për vitin 2012 nga komuna e Hanit të Elezit, rregullimi dhe asfaltimi i rrugës Lagje e Re- Pustenik. Bazuar në vlerën e përgjithshme të investimit ky projekt është investimi më i rëndësishëm në komunën e Hanit të Elezit për vitin 2012.
Kryetari i komunës, Rufki Suma tha se asfaltimi i rrugës Lagje e Re – Pustenik ka qenë projekti i parë në listën e projekteve kapitale për realizim gjatë vitit 2012. “Kostoja e lartë për financimin e këtij projekti ka bërë që për realizimin e tij të kërkojmë edhe përkrahje nga institucionet qendrore dhe dua që të shfrytëzojë rastin që të falënderojë Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrinë e Infrastrukturës, të cilët patën mirëkuptim dhe vlerësuan arsyeshmërinë për realizimin e këtij projekti”, theksoi Suma.
Sipas tij, rëndësia e kësaj rruge është shumë dimensionale, duke filluar nga aspekti i kompletimit të infrastrukturës rrugore në komunën e Hanit të Elezit, por edhe në hapjen e perspektivës për një zhvillim të kësaj pjese të komunës në fusha të ndryshme të zhvillimeve në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. “E veçanta e kësaj rruge është edhe perspektiva e zhvillimit të turizmit, atij kulturorë dhe historik duke pasur parasysh Kompleksin Memorial të Varrezave të Dëshmorëve në fshatin Pustenik”, ka thënë Suma.
Realizimi i këtij projekti kapital është 492 994.60 euro ndërsa pagesa do të bëhet për dy vite.
Për vitin 2012 do të paguhen 290 000.00 euro prej të cilave 60 000 euro nga MI-ja,120.000.00 euro nga MAPL-ja dhe 110.000.00 euro nga buxheti i Komunës së Hanit të Elezit.
Pjesën e mbetur për pagesë në vlerë prej 202.994.60 euro për vitin 2013 është zotuar Ministria e Infrastrukturës, raporton Kosovapress.
Bazuar në vlerën e përgjithshme të investimit projekti “Asfaltimi i Rrugës Lagja e Re- Pustenik” është investimi më i rëndësishëm në komunën e Hanit të Elezit për vitin 2012. /Telegrafi/