Ftohet investitorët holandez që të investojnë në Kosovë
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk po ndalet së promovuar mundësit që ofron Kova për investitorët e huaj, që kapitalin e vet ta investojnë në vendin tonë. Por pavarësisht kësaj, Kosova ende ka nevojë për përmirësimin e imazhit dhe ngritjen e numrit të investitorëve. Për këtë qëllim, ndalesa e radhës e konferencave për thirrje të investitorëve ishte në Hagë, qyteti i tretë për nga madhësia dhe qendra administrative e Holandës.Konferenca “Të Bërit Biznes dhe Investimet në Kosovë” u organizua nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Promovimin e Investimeve në Kosovë në bashkëpunim me Odën Tregtare të Hagës dhe Ambasadën e Kosovës në Holandë.
Përfaqësues të lartë të Kosovës dhe Holandës prezantuan mundësitë e bashkëpunimit ekonomik të dy vendeve.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari – Lila tregoi se Banka Botërore këtë vit shpalli Kosovën reformatorin më dinamik në Evropën Qendrore dhe Juglindore. “Jemi shteti më i ri në Evropë, por ofrojmë mundësi të shumta për investitorë. Në raportin e Bankës Botërore, këtë vit kemi shënuar ngritje për 76 pozita për mbrojtjen e investitorëve, i cilësuar si përmirësimi më i mirë nga të gjithë indikatorët prej 185 shteteve, ndërsa në fillimin e biznesit jemi 44 pozita më lartë”, theksoi ajo. Para bizneseve të shumta, zëvendëskryeministrja tha se përkundër krizës globale, tash e 4 vite Kosova ka rritje të GDP-së për 5 pwr qind, e cila pritet të jetë ngjashëm edhe për këtë vit.
Ndërsa kryeshefi i Agjencionit për Promovimin e Investimeve, Valdrin Lluka prezantoi mundësitë që ofron Kosova për investitorë si: fuqia e lirë punëtore masa preferenciale me SHBA, Japoni, Norvegji dhe BE. Gjithashtu ai prezantoj edhe projektin e Brezovicës dhe projekte tjera konkrete ku bizneset holandeze mund të vijnë të investojnë.
Kruese Këshilltari i Ministrit të Zhvillimit ekonomike Besim Beqaj, Frymezim Isufaj prezantoi projektet në fushën e energjisë, minierave dhe atë të telekomunikacionit.
Në këtë pjesë u prezantuan edhe programet konkrete të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës që kanë për qëllim përkrahjen e investimeve në Kosovë e posaçërisht fondet nga Iniciative e Sektorit Privat (PSI). Konferenca u përmbyll me prezantime të kompanive të huaja që tanimë operojnë në Kosovë.
Në fund bizneset kosovare dhe holandeze vazhduan takimet Biznese me Biznese (B2B) me qëllim të realizimit të projekteve konkrete në të ardhmen.
Në konferencën “Të bërit Biznes dhe Investimet në Kosovë” morën pjesë rreth 30 biznese Kosovare dhe po aq Holandeze. Ky organizim është në vazhdën e iniciativave të ndërmarra nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencia për Promovim të Investimeve për të promovuar mundësitë investuese në Kosovë. /Telegrafi/