Gërxhaliu fajëson ministren Kusari –Lila
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, i cili njëherësh është edhe anëtar i Këshillit Kombëtar Antikorrupsion (KKAK) i krijuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka kritikuar ministren Kusari-Lila, se po dëmton imazhin e ekonomisë së Kosovës.Gërxhaliu ka premtuar se nëse këmbëngulësia e ministres Kusari-Lila do të vazhdojë, këtë problem do ta ngrehë në KKAK, në të cilin bëjnë pjesë të gjitha institucionet relevante shtetërore.
Ai i ka thënë për “Epokën e re” se me vendimin e MTI-së shihet qartë se ka afera enorme korruptive, afera enorme të krimit të organizuar dhe kontrabandës e përfitime personale nga njerëz të caktuar.
“Gabimet që i ka bërë ministrja Kusari-Lila nuk i bën një amator, e mos të flasim për një ministre që e udhëheq një ministri shumë të rëndësishme. Është koha të merret prokuroria me këtë rast. Nëse prokuroria dhe drejtësia e Kosovës nuk merren me këtë rast, atëherë është mirë të shpallet dita e ‘varrosjes së drejtësisë’ në vend”, ka deklaruar ai.
Gërxhaliu ka vlerësuar se vendimi i Mimozës (siç e quan ai ministren Kusari-Lila) jo që ka dëmtuar tregtinë ndërmjet dy vendeve, por e ka dëmtuar shumë imazhin e Kosovës, qoftë tek investitorët, por edhe më gjerë.
“Ky është një kriminalitet i organizuar nga njerëz të caktuar. Gjithsesi duhet të hetohet kompania ‘Sharrcem’, pasi tradita e saj e importimit të çimentos, si lëndë të parë, ka filluar më herët. Është koha të ndalet kjo dukuri negative për Kosovën dhe biznesin”, ka thënë ai.
Gërxhaliu ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ta kthejë prapa vendimin e ministres Kusari-Lila, pasi kjo, sipas tij, është në të mirë të Kosovës, të bashkëpunimit me Shqipërinë dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë relevantë në vend.
Gërxhaliu ka shtuar se nuk ia vlen që tash e tutje Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) të quhet si e tillë, sepse nuk përkon me atë që Amerika ka bërë për Kosovën dhe popullin e saj. Por, sipas tij, kësaj ode duhet hequr nocioni “Amerikane” dhe të zëvendësohet me nocionin “Sharrcem”.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) më 11 qershor 2012 pati marrë vendim për marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos për të gjitha vendet me tarifë prej 35-përqindësh.
Ky vendim është i përkohshëm, në afat prej 90 ditësh, por nëse shihet e nevojshme mund të shtohen edhe 30 ditë të tjera, pra 120 ditë. Vendimi, sipas MTI-së, ka për qëllim mbrojtjen e tregut vendor derisa të zhvillohen hetimet. /Telegrafi/