Gërxhaliu: Shteti dhe ligji të thonë fjalën për privatizim
“Me një sundim të rendit e ligjit, me një gjykatë të mirëfilltë dhe aktive, procesi i privatizimit do të kishte arritur efektin, për të cilin është krijuar. Në këtë drejtim, është koha kur shteti dhe ligji duhet të thonë të veten dhe nëse kjo do të koordinohet, atëherë efektet e privatizimit do të jenë në funksion të mirëqenies dhe ardhmërisë së Kosovës”, tha në intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.“Në rend të parë duhet të jemi të vetëdijshëm se Kosova është në një udhëkryq drejt familjes evropiane, duke kaluar nëpër një proces të tranzicionit. Një ndër pikat kyçe të procesit të tranzicionit është pa mëdyshje edhe procesi i privatizimit.Është e vërtetë se nuk kemi arsye që të jemi të kënaqur me procesin se si ka vijuar deri më tani, mirëpo është diçka që nuk e meriton Kosova dhe proceset zhvillimore, të thuhet se jemi për ta ndërprerë procesin e privatizimit. Jemi të vetëdijshëm se duhet të ngrihet përgjegjësia; se duhet të ndryshojë qasja ndaj procesit të privatizimit, por kurrsesi të ndërpritet procesi i privatizimit.
Sot jemi duke u ballafaquar me një varfëri ekstreme, me papunësi, me rënie të investimeve të huaja direkte, me rënie të remitencave, dhe gjithë këta indikatorë vallë a nuk na obligojnë moralisht që të hulumtojmë sfidat për të tërhequr freski financiare ose investime të huaja në forma të ndryshme?!
Në këtë drejtim, një proces i tillë duhet të avancohet. Procesi i privatizimit duhet të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe kurrsesi të paraqiten kërkesa shumë më tepër centraliste, shumë më tepër anti-inegruese dhe aq më tepër anti-globaliste. Prandaj, një politikë e tillë, një qasje e tillë nuk i shkon në favor Kosovës, për momentin, por ardhmërisë së Kosovës në përgjithësi”, tha Gërxhaliu. /Telegrafi/