Gjermania do të ndaj 28.3 milionë euro për Kosovën
Ambasada e Gjermanisë ka bërë të ditur se të premten, u mbajtën bisedimet ndërqeveritare për bashkëpunim politik zhvillimor në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë. Që nga pavarësia e Kosovës në vitin 2008 këto bisedime bilaterale u mbajtën tanimë për të pestën herë me radhë Gjermania si donatori i dytë më i madh, pas SHBA-ve, do të mbështes Kosovën edhe më tej për t'i implementuar reformat e nevojshme në kuadër të procesit të afrimit të Kosovës me BE-në.Për këtë qëllim sipas njoftimi të ambasadës gjermane, gjatë këtyre konsultimeve janë zotuar mjete në vlerë prej 28.3 milionë eurove, të cilat i shërbejnë implementimit të projekteve në pikë rëndesat përkatëse për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, në fushën e energjetikës dhe ujërave, si dhe arsimit themelor.
Me qëllim të afrimit me standardet e BE-së është iniciuar në mënyrë të përbashkët edhe menaxhimi i ujërave të zeza. Pastrimi i ujërave të zeza nuk është bërë deri tani në Kosovë. “Në kuadër të një projekti në fushën e energjetikës financohet modernizimi i mëtejmë i rrjetit të transmisionit të energjisë për popullatën dhe mbështetet integrimi sistemit në tregun rajonal të energjisë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Po ashtu edhe Fondi për Sigurimin e Depozitave, i cili është themeluar brenda bashkëpunimit kosovaro-gjerman do të rritet për depozitat e vogla. Planet e tjera të rëndësishme kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik në zonat rurale, nxitjen e arsimit profesional, si dhe arsimit themelor.
Si projekt i ri është iniciuar themelimi i një qendre të takimit për të rinjtë në Mitrovicë, e cila do t'i mundësojë të rinjve nga të dy anët e lumit Ibër takime dhe shkëmbime me njëri-tjetrin. Konsultimet ndërqeveritare gjermano-kosovare për bashkëpunim politik zhvillimor mbahen një herë në vit. /Telegrafi/