Gratë në biznes në kërkim të guximit

16:23 / 12.04.2012

Numri më i madh i kompanive private në Kosovë udhëhiqen nga meshkujt, ndërsa një numër i vogël i femrave janë pronare të ndonjë kompanie në tregun kosovar, thonë përfaqësuese të organizatave joqeveritare që merren me këtë çështje.

Në Kosovë ekziston një organizatë e quajtur “Gratë në Biznes”, që tashmë numëron afër 50 anëtare, përfshirë bizneset e grave dhe shoqatat që merren me aktivitete ekonomike .

Kjo organizatë ka identifikuar pengesa të shumta që ndalojnë gratë të hyjnë në fushën e ndërmarrësisë, duke filluar nga niveli arsimor i tyre , mungesa e përvojës së grave në biznes, mungesa e financave, e deri te mungesa e mbështetjes institucionale, përfshirë këtu edhe traditat, familjen dhe mentalitetin.

Hamide Latifi, udhëheqëse e kësaj organizate, thotë se autoritetet kompetente duhet të krijojnë një mjedis që përkrah dhe mundëson zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social, kulturor dhe politik, përmes kyçjes se grave në ekonomi.

Ajo thotë se gratë, edhe pse në numër të pakët, kryesisht janë pronare të ndonjë ndërmarrjeje të vogël. “Numri më i madh i grave në Kosovë janë të përfshira në fushën e agro-biznesit ose në fushën e bujqësisë. Po ashtu, ka një numër të madh të tyre, që ofrojnë shërbime gatimi, brumëra të ndryshme, në fushën e tekstilit, por edhe në fushën e shërbimeve, kujdesit të fëmijëve, pastrimi e kështu më radhë”, shprehet Latifi.

Edhe përfaqësuese të Qendrës së Inovacionit të Kosovës, pohojnë se pavarësisht sfidave në këtë fushë, femrat duhet të jenë më të guximshme për të themeluar bizneset e tyre.

Kosovare Krasniqi tregon se kjo qendër synon të rrisë numrin e bizneseve të themeluara nga femrat. “Vetë femrat janë ato që duhet të ndryshojnë për të rritur numrin e femrave pronare. Ato duhet të jenë të vendosura, të kenë vullnet, kurajë. Si femër, për të pasur sukses besoj se duhet të punosh më shumë se meshkujt për të arritur të njëjtin sukses”, thekson Krasniqi.

Në anën tjetër, Mirlinda Kusari- Purrini, udhëheqëse Shoqatës Afariste të Grave, thotë se institucionet qeveritare dhe ato lokale duhet të krijojnë politika favorizuese, dhe të përkrahin gratë që të fillojnë bizneset e tyre. “Nuk është vetëm pengesa financiare, mirëpo janë edhe shumë pengesa të tjera të cilat ato ballafaqohen, siç është kolaterali, të cilën ato e kanë si pengesë të madhe, ku pasuria e tyre nuk është në emër të tyre, mirëpo gjithmonë pasuria regjistrohet në emër të burrit. Janë pengesat e tjera sepse nuk kanë mbështetje institucionale”, thotë Kusari- Purrini

Sidoqoftë, në Kosovë mbi 90 për qind e kompanive drejtohen nga meshkujt, ndërsa më pak se dhjetë për qind menaxhohen nga femrat. Në të shumtën e rasteve, gratë punojnë në sistemin e arsimit, shëndetësisë dhe në administratë publike. /Rel/Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.