Greqi, bujqësia sërish tërheqëse
Bujqësia e përbuzur për një kohë të gjatë është bërë sërish tërheqëse në Greqi. Edhe për eksportin. Megjithatë, produktet bujqësore greke po e gjejnë me vështirësi rrugën e tyre për në supermarketet gjermane. Asnjë vend tjetër evropian nuk i ka rritur eksportet në gjysmën e parë të vitit 2012 sa i ka rritur Greqia. Megjithatë, bilanci grek i tregtisë së jashtme vazhdon të mbetet negativ me gjithë plusin prej 12 përqindëshit. Dhe jo vetëm për këtë duhet bërë përpjekje për rritjen e eksporteve greke. Edhe për shkak të uljes së fuqisë blerëse brenda Greqisë duhet rritur përqendrimi tek eksportet. Shumë këtu ofron bujqësia.
Që prej fillimit të viteve 1980-të eksportet greke janë përgjysmuar. Eksportet modeste greke kanë mbetur më pak se një e katërta. Sipas të dhënave të Zyrës gjermane të Statistikave në vitin 2011 importet nga Greqia u rritën 13,5 për qind për medikamentet ndërkohë që djathi i bardhë, uliri dhe vaji i ullirit u rritën me 7,5 për qind. Këtu mund të bëhet më shumë. Por për produktet agrare dhe ushqimore greke nuk është e lehtë të gjejnë rrugën për tu vendosur në vitrinat e supermarketeve gjermane.
Për tu pranuar në zinxhirët e supermarketeve gjermane produktet greke duhet të garantojnë çmim të lirë dhe kualitet të lartë. Përveç kësaj produktet duhet të ofrohen në sasi të mëdha duke plotësuar të gjitha kushtet. Produktet greke duhet të përmirësohen, thotë Joachim Schalinski, i cili ka shkruar shumë artikuj për Greqinë në gazetën për industrinë ushqimore në Gjermani, raporton Dw.
"Po të shikoni verat greke ato janë shumë të shtrenjta. Ato janë të mira, por çmimi nuk përputhet. Unë nuk do të paguaja 18 euro për një shishe verë greke, vetëm sepse këtë e kërkojnë strukturat greke".
Problemi kryesor është, thotë Shalinski, fakti që prodhuesit agrarë grekë nuk bashkëpunojnë me njëri tjetrin, ata prodhojnë vetëm për tregun grek dhe janë mbështetur tek subvencionet e BE-së, të cilat japin para për shkatërrimin e kulturave të caktuara agrare. /Telegrafi/